Djegia e fabrikës, ambientalisti: 2 elementë tejet me rrezik, kancerogjenë, do të mbeten në ajër

494
Ambientalisti i njohur Sazan Guri ka folur në lidhje me pasojat si rrjedhojë e djegies të fabrikës së riciklimit të mbetjeve në Kashar. Ai tha se si pasojë e zjarrit, në ajër përhapen elementë të tillë si polietileni, CO2 që janë lëndë të ngjashme si naftë.
“Në ajër përhapen elementë të rrezikshëm që janë shkatërrues për mjedisin dhe për trupin e njeriut. Këta janë elementë kancerogjenë, tejet me rrezik për qenien njerëzore, që e dëmtojnë ashpër atë”, tha Guri.
Më tej, ai ka shtuar se çdo element i çliruar në ajër ndikon negativisht në shëndetin e njeriut.
“Çdo element ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Ka elementë që ndikojnë keq në prostatë, ka elemente që ndikojnë keq në zemër, të tjerë në organet riprodhuese, mushkëri etj”, u shpreh ai.
Ambientalisti Guri ka theksuar për Shekulli se si pasojë e shpërthimit, janë çliruar dy elementë tejet me rrezik, që janë kancerogjenë dhe mbeten në ajër e nuk treten gjëkundi. Sazan Guri nënvizon se në Tiranë janë përhapur 74 elementë të tabelës së Mendelejevit.
I pyetur nëse ajri i kryeqytetit është ndotur si rrjedhojë e shpërthimit të sotëm, Guri tha se pasojat janë shkatërrimtare. “U mbush e gjithë Tirana me tym. Dy mbetje që të thashë mbeten në ajër dhe nuk ikin për vite me radhë, duke ndikuar shumë negativisht në shëndetin tonë”, tha ai.
Sigal