Ditmir Bushati anulon takimin me ministrin e Jashtëm gjerman, sillet si ministër i shkarkuar

324

Gent Cakaj, ministri i pa dekretuar, vepron me plotfuqishmëri në ministrinë e Jashtme

Jakup B. GJOÇA

Presidenti i Shqipërisë argumentoi në bazë të Kushtetutës, mosdekretimin e Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, i propozuar nga kryeministri Rama dhe njëkohësisht nuk dekretoi as shkarkimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Kryeministri Rama, duke mos pasur në dorë asnjë kompetencë kushtetuese, po vepron në prapaskenë, që ta bëjë de fakto shkarkimin e ministrit Bushati dhe emërimin e Cakaj si ministër të Jashtëm.

Asnjë personalitet, politikan, diplomat, analist, gazetar nuk e mbështet kandidatin për ministër të Jashtëm të kryeministrit

Nuk është rastësi, që asnjë analist, asnjë gazetar, asnjë media, asnjë personalitet mbarë shqiptar nuk ka guxuar të argumentojë, apo të mbrojë qëndrimin e kryeministrit në lidhje me ngërçin institucional Presidencë – kryeministri për mosdekretimin e Gent Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm. Përkundrazi. Personalitete dhe intelektualë mbarëshqiptarë, analistë, gazetarë, politikanë kanë mbështetur qëndrimin e Presidentit të Shqipërisë, duke e vlerësuar si një qëndrim në interes kombëtar.

Prapaskenat politike: Bushati de fakto i shkarkuar

Ngërçi institucional midis kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta për mosdekretimin e Cakaj si ministër i Jashtëm po prodhon edhe pasoja në politikën e jashtme të Shqipërisë. Derisa Presidenti Meta nuk e dekretoi shkarkimin e ministrit të Jashtëm Bushati, kryeministri Rama nuk mundet dot të emërojë Cakajn zëvendësministër me detyra të ministrit të Jashtëm, siç bëri me Sandër LLeshin. Kryeministri Rama, sipas burimeve të mirinformuara, i ka kërkuar ministrit Bushati që të japë dorëheqjen, gjë që ende nuk është pranuar. Mirëpo, Bushati, nuk kryen më funksionet e kryediplomatit të Shqipërisë, derisa, siç bëjnë me dije të njëjtat burime të mirinformuara, ministri në fuqi Ditmir Bushati e ka anuluar vizitën e tij në Gjermani, të programuar për javën që fillon sot, ku duhej të takonte homologun e tij në Berlin, Heiko Mass. Gjithashtu, ministri Bushati ka anuluar edhe dy takime në Bruksel, më 10 janar, ai me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si dhe takimi me eurokomisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, asnjëri prej të cilëve nuk u zhvillua. Pavarësisht kësaj situate dhe anulimit të agjendës së jashtme, mbeten të konfirmuara dy takime të tjera të ministrit Bushati me homologët e tij në Tiranë. Bëhet fjalë për vizitat në Shqipëri të ministrit italian, Enzo Moavero Milanesi, programuar për të mërkurën më 16 janar, si dhe atë të ministrit të Jashtëm holandez, Stef Blok, në agjendë të enjten.

 

Gent Cakaj, i plotfuqishmi i godinës së Ministrisë së Jashtme

Edhe pse Gent Cakaj nuk mund të emërohet si ministër i Jashtëm nga Presidenti i Shqipërisë, de fakto, ai sillet si i plotfuqishmi në godinën e ministrisë së Jashtme. Burime nga ministria e Jashtme bëjnë me dije, se në ditët e fundit të dhjetorit dhe në fillim të janarit të këtij viti, Cakaj ka kërkuar dhe ka zhvilluar mbledhje me drejtorët e MPJ, ku ka kërkuar informacion për punën e tyre, ndonëse gjatë atyre ditëve ai nuk dispononte ende Certifikatën e Sigurisë (Cakaj ka aplikuar disa ditë pas Vitit të Ri dhe e ka marrë brenda 24 orëve). Ajo që përbën shkelje është fakti se bëhet fjalë për drejtori që disponojnë informacione të klasifikuara dhe sekrete, dhe për të pasur akses mbi to, duhet me patjetër aprovimi me CSP-në. Në të kundërt, kujtojmë se administrimi i informacionit të klasifikuar pa certifikatë çon automatikisht në ndjekje penale. Nuk dihet se çfarë është diskutuar në këto takime dhe a ka marrë Cakaj informacione prej drejtorive “hermetike”, pasi në të kundërt do të “ndizte” edhe më shumë debatin politik në emër të tij.