Dinakëria e Imamit për të fshehur trafikun e armëve

765
Sigal

Dje ishte programuar seanca dëgjimore e ministrit të Mbrojtjes, zotit Imami në Komisionin e Sigurisë Kombëtare me temë kërkesën e këtij Komisioni për mbikëqyrje në Ministrinë e Mbrojtjes.  Mirëpo, pa u dhënë asnjë shpjegim, ministri i Mbrojtjes nuk u paraqit dhe seanca dëgjimore u shty. Nga Ministria e Mbrojtjes nuk u dha asnjë sqarim përse ministri Imami nuk u paraqit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Kështu na thanë deputetët, Gjoni dhe Qefalia,  anëtarë të këtij Komisioni.  “Thonë për nesër, të presim kur do të paraqitet zoti Imami në seancën dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare”, na bënë me dije deputetët socialistë. Siç është bërë publike, Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka marrë unanimisht vendim që ky komision të mbikëqyrë Ministrinë e Mbrojtjes pas disa informimeve që janë bërë edhe publike për shkelje të ligjit nga kjo ministri për çështje të shitjes së armëve si edhe (akoma në nivelin e dyshimeve) për përgjime të mundshme që specialistë të kësaj ministrie kanë bërë në mënyrë të paligjshme ndaj deputetëve të opozitës dhe të tjerëve.  Deputetët socialistë kanë bërë publike, tashmë, akuzat për trafik të armëve nga Ministria e Mbrojtjes, dhe diç dihet, me vendimin e Kuvendit në dorë, deputetët socialistë kanë shkuar dy herë në Ministrinë e Mbrojtjes për të kryer detyrën parlamentare të mbikëqyrjes, mirëpo në mënyrë arbitrare, antikushtetuese, Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar mundësinë që deputetët të mbikëqyrin për të provuar akuzat për trafik armësh dhe përgjime të telefonave nga kjo ministri. Madje, ministri Imami, duke dashur të përgënjeshtrojë akuzat dhe të përligjë kundërshtimin antikushtetues të Ministrisë së Mbrojtjes që pengoi deputetët të kryenin mbikëqyrjen, edhe pse me vendim të Kuvendit, publikisht, i ironizoi deputetët dhe misionin e tyre parlamentar, duke i cilësuar si “ kontroll punëtor” të rregjimit komunist. Kësisoj, me bekimin e Kryeministrit, ministri i Mbrojtjes, duke nxjerrë arsye të pajustifikuara, deri tani ka bërë të pamundur ushtrimin e kontrollit. Një nga manovrat që përdor ministri Imami, që të shmangë, të zvarritë dhe të vonojë sa të mundet kontrollin parlamentar në ministrinë e tij, është edhe kërkesa e dy anëtarëve të këtij Komisioni, deputetëve të PD-së, Fatos Hoxha dhe Luan Skuqi, për   një seancë dëgjimore të ministrit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Deputetët socialistë, sikurse na pohoi edhe deputeti Xhemal Qefalia, nuk kanë asnjë interes për këtë seancë dëgjimore të ministrit Imami, pasi, sipas zotit Qefalia, kjo është manovër e PD-së që të zvarritë kontrollin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të fitojë kohë vetë zoti Imami që të fshehë sa të mundë të dhëna kompromentuese.

Ilir Gjoni, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, në prononcimin për gazetën “Telegraf”, tha:  “Ne nuk dimë përse do të vijë në komision Imami, nuk dimë përse nuk erdhi dje, por të gjitha këto janë përpjekje që ai dhe PD-ja të shmangin kontrollin”. Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, deklaroi për “Telegraf”:  “Edhe pse ka një vendim unamim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare për të mbikëqyrur ministrinë e Mbrojtjes, nga ministri Imami dhe kryeministri Berisha bëhen të gjitha manovrat që të zvarritin mbikëqyrjen dhe të fitojë kohë Imami që të fshehë të dhënat kompromentuese. Ne nuk kemi interes për seancë dëgjimi në komision të Imamit, këtë kërkesë e bënë deputetët e PD-së Fatos Hoxha dhe Luan Skuqi, qëllimisht që të vonohet mbikëqyrja. Dje nuk erdhi Imami, e nuk e dimë se kur do të vijë ai në komision. Prandaj, PD-ja kërkoi që Imami të vijë në komision, që të zvarritë mbikëqyrjen. Ne kemi frikë, se duke përfituar sado kohë, me zvarritjet të çfarëdo lloji, që po na pengon të mbikqyrim, zoti Imami do të fshijë ose do të fshehë të gjitha të dhënat që e kompromentojnë në skandalet e trafiqeve të armëve dhe të përgjimit të telefonave të deputetëve socialistë”.