Trojka bind Ramën-PS-ja OK!

751
Sigal

Pas konsensusit të arritur mes palëve për reformën zgjedhore, trojka e ambasadorëve vijon takimet me krerët politikë për të apeluar nevojën e gjetjes së gjuhës së përbashkët edhe për një tjetër çështje të rëndësishme, siç është ajo e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë. Pak ditë përpara votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, parashikuar për më 6 gusht, ambasadori i SHBA-së, ai i BE-së dhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë zhvilluan dje një takim me kreun e socialistëve, Edi Rama, në selinë rozë. Takimi nisi rreth orës10:00në selinë e Partisë Socialiste ku fillimisht mbërriti ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth, më pas ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe në fund ambasadori i BE-së Ettore Sequi dhe përfundoi pas rreth një ore.

Wolfarth: “Nënshtrimi ndaj ligjit, me rëndësi”

Menjëherë pas takimit, ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth theksoi rëndësinë e heqjes së imunitetit, si një ndër çështjet më të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit. Sipas ambasadorit Volfarth, “të qënurit i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe ligjit është shumë e rëndësishme. Dënueshmëria për çështje që bien në kundërshtim me Kushtetutën duhet të ekzistojë”. Ambasadori Volfarth nënvizoi se çështja e imuniteteve është e rëndësishme për funksionimin e shtetit dhe bëri apel që koha e mbetur të shfrytëzohet sa më mirë.

Sequi: “Shpresojmë tek heqja e imunitetit”

Pas takimit me Ramën, ambasadori i BE-së Etore Sequi deklaroi se çështja e imuniteteve është me rëndësi kombëtare edhe për integrimin e Shqipërisë. Duke shprehur dëshirën që të miratohet në Kuvend heqja e imunitetit, Sequi apeloi edhe për përmbushjen e reformve të tjera. “ Po aq të rëndësishme sa imuniteti janë edhe reformat e tjera, si ajo për rregulloren e parlamentit e arritur në nëntor të viti të kaluar. Ne shpresojmë që me reformën do bëhet aq progres sa edhe me imunitetin”, tha ai. Ambasadori komentoi më tej se “Marrëveshja për kodin zgjedhor është një hap i mire, të shoqërohet edhe nga heqja e imunitetit e reforma për rregulloren e parlamentit”, shtoi ai. Duke u kthyer tek çështja e imunitetit, Sequi apeloi, “Po e them troç, shpresjmë të arrihet kompromisi. Nuk po i’u kërkoj politikanëve të pëlqejnë njëri-tjetrin, por të punojnë me njëri –tjetrin”, nënvizoi ai.

Arvizu: “Paketa e reformave të gjithanshme”

Pas këtij takimi, edhe ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu shprehu dëshirën e tij për heqjen e imunitetit. “Paketa e reformave të jetë e gjithanshme. Në fakt këto janë të rëndësishme për intergimin në BE dhe për zhvillimin e gjithë vendit. Mbetet punë për reformën e rregullores së Kuvendit. Për imunitetin, ne besojmë që do bëhet një punë e mire”. Ai tha më tej se ka marrë nga PS mbështetjen për të bashkëpunuar në lidhje me këtë çështje. PS do që të jetë një faktor konstruktiv”, shtoi Arvizu.

Rama: “PS është një forcë konstruktive”

Zyra për shtyp e PS-së bën me dije se në takimin me ambasadorët kryetari i PS-së, Edi Rama vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka kjo reformë si pjesë e rëndësishme e të gjithë procesit të reformave për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian. “Pasi vuri në dukje ecurinë pozitive të procesit të reformës zgjedhore, Kryetari Rama theksoi se Partia Socialiste është një forcë konstruktive në këtë proces dhe mbështet krijimin e mekanizmave eficentë për luftën kundër korrupsionit. Në shërbim të ruajtjes së balancës mes pushteteve, Partia Socialiste konsideron të domosdoshëm një proces diskutimi gjithëpërfshirës për krijimin e një kuadri ligjor të qëndrueshëm dhe afatgjatë që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të këtij vendi, bazuar në sugjerimet e konstitucionalistëve, si dhe përvojën e institucioneve që ofrojnë asistencë juridike për vendin tonë si, EURALIUS, Projekti Paka, Komisioni i Venecias, etj”- thuhet në njoftimin e PS.

 Imuniteti, Ruçi letër ambasadorëve

Kreu i Grupit Parlametar Socialist, Gramoz Ruçi iu është drejtuar me një letër ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në lidhje me mënyrën e shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin për imunitetin në seancën e datës 6 gusht. Letranisme një sqarim rreth nenit 83 të Kushtetutës dhe rregullores së amenduar të Parlamentit, në tetor të vitit 1998 për ndryshimet kushtetuese. “Si ndryshime shumë të rëndësishme dhe një moment vendimtar për demokracinë parlamentare mes ligjbërësve dhe popullit shqiptar, PS i sheh ndryshimet kushtetuese si të një rëndësie të veçantë dhe po ashtu edhe vëmendja duhet të jetë e veçantë për të garantuar një proçes transparent”, shkruan Ruçi. Ai thotë se të tilla nisma ligjore nuk duhet të jenë të limituara, ku të kontribuojnë vetëm përfaqësuesit e partive në Parlament, por sipas tij është e domosdoshme të përfshihen mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, ekspertët konstitucionalistë, akademikët, profesorët si dhe ndihma ndërkombëtare për këto çështje. Zoti Ruçi liston në lëtër disa propozime në emër të Partisë Socialiste:

1 – Të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe të hartohet një projekt për ndryshimet kushtetuese, për t’i paraqitur në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit, në shtator, duke i përfshirë në programin e punës së Kuvendit.

2 – Të publikohet ky projekt në faqen e internetit të Parlamentit që qytetarët të kenë mundësi për t’u informuar rreth tij.

3 – Të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet.

4 – Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të drejtave të njeriut për të bërë të mundur përçimin tek publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët konstitucionalistë në proçes.

5 – Projekti me ndryshime t’i dërgohet organeve kushtetuese si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe grupeve të interesit të prekura nga këto ndryshime, që propozohen për t’i lejuar ata të sjellin këndvështrimin e tyre duke shprehur opinionin mbi këtë çështje.

Më herët ishte trojka e ambasadorëve, Arvizu, Sequi dhe Wollfarth, që gjatë një vizite në selinë rozë i bënë thirrje kryetarit Edi Rama që opozita të votojë pro heqjes së imunitetit.

 Topalli: “Të votojmë për ta hequr”

Ndërkohë, në konferencën me temë “Standardet e Etikës dhe Kodeve Parlamentare”, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u ndal në mënyrë të veçantë tek nisja e procedurës në Kuvend për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke theksuar se me heqjen e imunitetit, Shqipëria do të hedhë një hap vendimtar në rrugën drejt Bashkimit Europian, Topalli u shpreh: “Tashmë Kuvendi ka një proçes dhe proçedurë konkrete në këtë fushë. Të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe ambasadorja gjermane Karola Holtkemper, e cila u shpeh pro miratimit të kësaj iniciative më 6 gusht në Kuvendin e Shqiperisë”. Konferenca ishte organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e prezencës së OSBE-së dhe ambasadës gjermane në Tiranë.