Dhunimi dhe deformimi i votës nuk i shërbeu Kombit

398
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Lush Susaj: Rezultati i procesit politik të 25 prillit, vetëm zgjedhje demokratike nuk mund të quhet. Kontestimi i shifrave bazohet në faktin se, ato nuk pasqyrojnë verdiktin e popullit, i cili kërkon mirëqenie, unitet, goditjen e korrupsionit dhe integrimin në BE. Konfliktualiteti i Ramës, dorëheqja e Bashës dhe klanet nepotike, krahinore dhe hajdutërore

 

Nuk shpresoj për mandatin e tretë të Ramës, që për mendimin tim, mund të jetë edhe më konfliktual, më varfërues dhe më degradues për shtetin dhe shoqërinë shqiptare

Gazeta Telegraf

Prof. Dr. Lush Susaj, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, nuk pati vullnet politik, as kompromis për të zhvilluar zgjedhje të lira. Rezultati zgjedhor i 25 prillit nuk mund të quhet verdikt popullor, pasi procesi zgjedhor është dhunuar dhe deformuar. Prof. Susaj shprehet se mandati i tretë i kryeministrit Rama do të jetë edhe më konfliktual, më varfërues dhe më denigrues për shtetin dhe shoqërinë tonë. Prof. Susaj thotë se Lulzim Basha duhet mbështetur, tani, pas humbjes elektorale, sepse Lulzim Basha mund të përballet me kënetën e krijuar në vite.

Rezultati i 25 Prillit 2021, vetëm zgjedhje demokratike nuk mund të quhen, nuk është verdikti i popullit, që kërkon mirëqenie, unitet, qëndrueshmëri dhe integrim në BE

-Prof. Susaj, rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, a është verdikti i popullit shqiptar?

-Pavarësisht nga çfarë është thënë e po thuhet nga propaganda dhe nga militantët e politikës obskurantiste të këtyre 30 viteve, procesi politik i 25 Prillit është dhunuar e deformuar aq shumë, saqë nuk mund të quhet proces zgjedhor, as përbashkues.  Kjo sepse kurrë nuk pati kompromis e as vullnet politik, për të zhvilluar zgjedhje të lira e demokratike. Përkundrejt faktit, që klanet nepotike, krahinore e hajdutërore të këtyre 30 viteve kanë bashkëpunuar ngushtë për ta degraduar procesin zgjedhor në kotësi e në dhunë, nga ku buron e gjithë këneta jonë politike e shtetërore dhe mungesa e gjatë e zgjidhjeve politike për vendin e shoqërinë. Shqipëria, nuk ka peshë e as ndonjë arritje të njohur në shkencë, as në teknologji e, as në filozofinë e mendimit e të zhvillimit politik e shtetëror. Përkundrejt faktit të trishtë, që Shqipëria është rasti më i keq e më i pashembullt në drejtim të perfeksionimit të mënyrave të dhunimit dhe të shkatërrimit të proceseve zgjedhore dhe zgjidhjeve politike që pritet prej tyre. Nëse në vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, bëhen zgjedhje për zgjidhje, bëhen zgjedhje për unitet, normalitet e përshpejtim të zhvillimit ekonomik e shoqëror, në Shqipëri, procesi dhe kutitë e zgjedhjeve, gjithnjë janë dhunuar, janë manipuluar, janë vrarë e janë degraduar në kuti të kotësisë dhe në zgjedhje pa asnjë zgjidhje. Neve që jetojmë e punojmë me djersë e duke zbatuar ligjet dhe rregullat e shtetit, e kemi parë dhe kuptuar shumë mirë mënyrën se si janë vjedhur, manipuluar, shantazhuar e dhunuar votuesit, e deri edhe procesi i numërimit dhe administrimit të rezultatit në sallat e mbushura me policë dhe militantë të administratës moniste. Përdorimi i të gjitha kapaciteteve administrative të punësimit për vota të garantuara; Përdorimi i të gjitha financimeve, investimeve, bamirësive, si dhe projekteve në shërbim të manipulimit të votës; Përdorimi i të gjitha shërbimeve shtetërore për shantazh e për rrëmbim të votës, etj, e bën konkurimin dhe sfidën elektorale të pamundur, totalisht të pabarabartë, e thellësisht të dhunuar. Jemi komb bujqësor e blegtoral dhe gjithkush e di që, një kafshë e dhunuar në muajin e fundit të shtatzanisë, është e destinuar të dështojë. Rezultati e procesit politik të 25 Prillit 2021, që vetëm zgjedhje demokratike nuk mund të quhen, nuk është verdikti i popullit shqiptar që kërkon mirëqenie, unitet, qëndrueshmëri dhe integrim në BE. Rezultatet e një procesi të tillë të dhunuar e të masakruar për një kohë të gjatë, nuk mund t’i shërbejnë kurrë zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror, as unitetit dhe gjithëpërfshirjes, e as çështjes sonë kombëtare. Verdikti apo zgjidhja që duan shqiptarët mund të sigurohet vetëm në kushtet e zgjedhjeve të lira, zgjedhje që nuk mund të dalin nga pikatorja e diktaturës orientale të krimit e korrupsionit.

    Nuk pati kompromis, as vullnet politik për të zhvilluar zgjedhje të lira e demokratike. Klanet nepotike, krahinore e hajdutërore kanë bashkëpunuar ngushtë për ta degraduar procesin zgjedhor në kotësi e në dhunë

-Si e shpjegoni ju, që ndonëse kryeministri Rama në 8 vite qeverisje, nuk mbajti asnjë premtim, përkeqësoi jetesën e shqiptarëve, skandalet e korrupsionit ishin të përditshme, dështoi në integrimin e Shqipërisë në BE, por megjithë këto, shqiptarët e votbesuan?

Më duhet të sqaroj faktin që shqiptarët nuk e kanë dashur e as votëbesuar kurrë diktaturën e Enverit, e as diktaturat e njohura të mamlukve të krimit dhe korrupsionit të këtyre 30 viteve. Dhuna shkaktohet nga njerëzit, që sipas filozofit Heinrich Wisner (1925), fjalë për fjalë thotë që: “Njeriu është një kod gjenetik akoma i pazbërthyer”, një pafundësi ku dremitin genet e lashta, të ashtuquajturit “Genet Kriminalë”, e ku nuk mungon kurrë kodi i njohur i dhunës e ligësisë, i mirëorganizuar në trajtat dhe nivelet e njohura të sadizmit, të poshtrimit dhe ligësisë së organizuar. Në këtë bashkësi, vetë ligësia ndahet apo trajtohet në dy nivele. Në ligësinë e momentit, dhe ligësinë e planizuar, të organizuar e të mirëmenduar. Unë kam jetuar e punuar çdo ditë në Shqipëri, e nuk mund të jem i mallkuar e të dal e të them që nuk kam parë e nuk kam dëgjuar asgjë deri në ditën e zgjedhjeve. Përkundrazi, unë e kam parë e përjetuar shumë keq degradimin e situatës në ekonomi, investime, punësim e deri dhe në hartimin e një kodi zgjedhor të papërshtatshëm, e që u përmbyll me miratimin e një praktike dhe liste memece, që shkaktoi mbi 90.000 fletë votimi të pavlefshme. Nëse ka ndonjë politikan që kapardiset e del e thotë se jam votëbesuar, për ta ulur sado pak me këmbë në tokë, më duhet t’i kujtoj shumë pak gjëra nga ato që kanë parë e përjetuar të gjithë banorët e Shqipërisë, e që mund të përmblidhen në faktet e mëposhtme:

Janë mbi 500.000 votues të larguar me varfëri, korrupsion dhe dhunë politike e administrative përgjatë viteve 2013-2021, pjesa më e madhe janë dëbime politike, dëbime të elitës së mirëfilltë, janë dëbuar kundërshtarët e mirëfilltë të sundimit kakistokratisë. Mungesa e tyre nuk mund të quhet votëbesim, përkundrazi është varfëri dhe reduktim i kapaciteteve tona ekonomike, administrative, shoqërore,  zhvillimore e shtetformuese. Ky nuk është rezultat. Një tjetër problem që e njohin të gjithë është fakti që të shtunën, më 24 prill 2021, një ditë para procesit politik të 25 Prillit 2021, në kundërshtim të hapur e në mënyrën më idiote, është shpërndarë nafta falas, thuhet për rreth 25000 fermerë të bujqësië.  Nafta (50-100 litra/fermer) dhe aplikimet e bëra prej më shumë 5 muajsh, mund të ishin lënë për datën 26 e në vazhdim e jo një ditë para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, as votat e manipuluara e të shantazhuara me aplikimet bujqësore, nuk janë e nuk mund të quhen votëbesim. As votat e marra përmes zvarritjes e presionit me legalizimet dhe hipotekat. Votëbesim nuk janë as votat për një vend pune. Votëbesim nuk janë as votat për lejet e ndërtimit që u zvarritën e që u dhanë vetëm në ditët e fundit. Votëbesim nuk mund të quhet as loja e njohur me financimet për fasada, për laboratore, për ndërtime fushate, për studime, projekte, etj, por që realisht janë dhënë për patronazhistët dhe grumbulluesit e njohur të votave. Nga të gjitha këto, në terren e për popullin nuk ka mbetur asgjë, kurse për partinë shtet dhe klanët e njohura politike e krahinore, janë siguruar kolltuqe e mandate që në Bibël e Kuran quhen e janë haram, e të pamerituara.

   Janë mbi 500.000 votues të larguar me varfëri, korrupsion dhe dhunë politike e administrative përgjatë viteve 2013-2021, pjesa më e madhe janë dëbime politike, dëbime të elitës së mirfilltë, janë dëbuar kundërshtarët e mirfilltë të sundimit kakistokratisë

Përse humbi Opozita?

– Opozita nuk ka humbur, mendoj që procesi është dhunuar, është manipuluar e vjedhur. Demokracia ka mekanizma dhe alternativa të shumta për ta zbuluar në dritën e diellit atë që ka ndodhur, e për ta ndëshkuar që të mos përsëritet më kurrë. Nuk u dënua manipulimi i kamufluar i vitit 2017 në Dibër, në Shijak e në të gjithë Shqipërinë. Prandaj ngjarja u përsërit në një mënyrë tjetër më të gjerë e më të kamufluar. Blerjes së votës me para, ju shtua nënshtrimi dhe blerja masive me shantazh e me korrupsion administrativ e financiar. Por nuk duhet me ia kursye hakun as opozitës, e cila edhe pas 8 viteve larg pushtetit, përsëri u gjend e pa reformuar, e përçarë dhe me lëvizje të shumta meskine kundër kryetarit dhe kundër njëri- tjetrit. Opozita mendoi se fitoren do ia sillte mbi pllëmbën e dorës varfëria, zemërata dhe keqqeverisja e ‘rilindjes’. Ndaj nuk mendoi as edhe një minutë për kontributet dhe as për elitën e mirëfilltë të PD-së, asnjëherë nuk u mendua për elitën e pastër e me dije dhe aftësi të larta transformuese. Për ironi të fatit, pavarësisht  nga përpjekjet e Lulzim Bashës, në listat e PD-së dhe në shtabet elektorale, u sulën si të çartun korbat dhe rriçnat e njohura të korrupsionit dhe ata langojtë e zi të turpit shtetëror të drejtorive kombëtare dhe të ministrive të viteve 2008-2013. Në këtë mënyrë, shkaktarët e dhimbjeve, të katastrofave dhe të turpeve politike e shtetërore, pa asnjë meritë e intelekt, përsëri bën yrysh dhe u strukën në listat dhe shtabet e PD-së dhe opozitës. Harruan që jemi vend shumë i vogël e që njohja për njëri -tjetrin është shumë e thellë. Nuk dua të përmend këtu as lëshimin e pushtetit lokal, as braktisjen idiote të reformës territoriale e më pas të gjithë parlamentit. Pavarësisht nga sa më sipër, në analizën time, më rezulton që opozita ndodhet në kushtet e mungesës së demokracisë e të shtetit ligjor. Për pasojë, kemi të bëjmë me fasada, e jo me ndeshje në kushte të barabarta.

 

As votat e manipuluara e të shantazhuara me aplikimet bujqësore, nuk janë e nuk mund të quhen votëbesim. As votat e marra përmes zvarritjes e presionit me legalizimet dhe hipotekat. Votëbesim nuk janë as votat për një vend pune

A krijoi frymë uniteti dhe besim në fitore, në këto 4 vite të fundit kryetari i PD-së?

– Unë nuk kam qëndruar kurrë afër kryetarit të tanishëm, e asnjë kryetari tjetër të mëparshëm. Kjo për shkak se reagoj e nuk pajtohem me padrejtësinë, me shkeljen e kolegjialitetit dhe me sjelljet antiligjore. Por nga ato që dëgjojmë e që kuptojmë nga jashtë, mendoj që Lulzim Basha, sidomos vitin e fundit, është përpjekur dhe ka punuar shumë për të siguruar frymën, besimin dhe ekipin e duhur për fitore. Mendoj se ka arritje të mira që reflektohen edhe në këto zgjedhje me rritje të votave për PD-në. Por nuk duhet të harrojmë që PD është strukturë e madhe dhe e ndërlikuar, e në shumë raste edhe me njerëz e personalitete problematikë, e në disa raste edhe tmerrësisht të konsumuar, e deri dhe të urryer, në opinionin vendas dhe ndërkombëtar. Unë me shqisat e analizës time, besoj shumë tek vendosmëria dhe përpjekjet e Lulzim Bashës për ta reformuar PD-në, e bashkë me të, edhe të gjithë strukturën politike e shtetërore të Shqipërisë. Unë mendoj që qarkullimin e mirfilltë të elitave, të ideve, të projekteve, të politikave, e të gjithë kënetën e qelbur të politikës orientale të Tiranës, nuk e hapi e nuk e qarkulloi dot as Sali Berisha, as Fatos Nano, as Edi Rama. Fatkeqësisht, të gjithë ranë në autokraci, në kakistokraci, në grykësi, në kriminalitet e në korrupsion pasuror. Unë mendoj se Lulzim Basha e ka kuptuar këtë mundësi e mision që duhet t’i prijë e ta realizojë, për të mirën e botës shqiptare e vetëm me praktika e mënyra demokratike. Mendoj që Shqipëria mund dhe duhet të zhvillohet me qytetari, me bashkëjetesë, me bashkëqeverisje e me politika të mirëfillëta sociale, ekonomike e kulturore për popullin, e jo duke krijuar site e këneta të korrupsionit, të krimit e të shkulturimit.

Prof. Susaj, nëse analizojmë si u zhvillua fushata elektorale, fituesit, ‘Rilindja’ dhe PSD e Tom Doshit, nuk kishin program, nuk kishin alternativa, e megjithëkëtë, fituan. Pse ndodhi kjo?

– Fan Noli (Albania 1897), shkruante: E vërteta nuk ka nevojë për stilin gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. E vërteta e thënë troç, e sikur në kohën e diktaturës po thuhet e diskutohet kudo, është se votat janë shitur e blerë. Janë shitur tek varfërit dhe të shantazhuarit me vendin e punës, me naftën, me subvencionin, me hipotekën, me ndërtimin, me lirimin me kusht, etj, ndërsa janë blerë nga patronazhistët e parazitët që qëndrojnë mbi ligjin dhe institucionet, e që punësojnë e bëjnë çfarë të ju dojë qejfi me administratën, me ligjet, me sigurinë, me pronat e me shërbimet publike. Këtu e gjejnë përgjigjen edhe pyetje të tilla, se, si ka mundësi që nën drejtimin e Skënder Gjinushit nuk fitoi asnjë mandat, ndërsa tani ka vetëm rritje. Këtu gjen përgjigjen edhe pyetja se si ka mundësi që nuk fituan asgjë Bojkeni, as Endri Shabani, as Jozefina, as Patozi, etj, kurse të tjerët kërcyen si kandari i prishur. Këtu gjejnë përgjigje edhe pyetjet mbi shkakun e metamorfozave dhe sjelljes së “mirë” të të fortëve të qyteteve, si dhe mungesa e ndëshkimit të krimit elektoral dhe incidenteve të dhunshme. Di, që është punuar shumë për ta varfëruar e për ta shkulturuar sa më shumë popullin dhe administratën shtetërore. Kjo sepse të varfërit dhe inkopetentët e shumtë të këtij vendi, shantazhohen, mashtrohen dhe shiten lehtë, lirë e pa zë. Ky është meraku dhe trendi i tregut aktual të votave. Politika duhet ta kapërcejë këtë ves dhe prapambetje të urryer.

Di, që është punuar shumë për ta varfëruar e për ta shkulturuar sa më shumë popullin dhe administratën shtetërore

– Çfarë do të thotë për shqiptarët dhe Shqipërinë mandati i tretë i kryeministrit Rama?

– Më kujtove një shkrim ku tregohet se si në Çamëri, Irinia që pa me sytë e saj vrasjet e kryera nga burri i saj toger Alqiviadh Popoviti, mbi fëmijët dhe popullsinë çame, i drejtohet të shoqit me fjalët: Lamtumirë toger Alqiviadhi, unë po iki nga ky vend i përgjakur i të pafajshmëve, ti rri me fantazmat e viktimave të tua dhe mos më kërko”. Uroj që të mos vijë kurrë dita e këtyre fjalëve për Ramën dhe asnjë nga kryeministrat dhe qeveritarët e vendit tonë. Por unë, sado që mundohem, nuk arrij të gjej asgjë të mirë në mandatet e shkuara (2013-2021), e jo më që të fantazoj e të shpresoj për mandatin e tretë, që për mendimin tim mund të jetë edhe më konfliktual, më varfërues dhe më degradues për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.  Unë mendoj se populli do punë, investime e të ardhura nga zejet dhe fushat e prodhimit. Qendrat urbane të shtruara me pllaka guri e me bordure mermeri, si dhe ndërtesat e larta e të dendura të qyteteve tona, nuk janë investime prodhuese dhe nuk sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm. Ndonëse përpiqëm të gjej diçka të mirë, nuk arrij dot, për shkak se kam disa njohuri e përvoja jetësore mbi arsimin, që është përkeqësuar e mund të degradojë edhe më shumë. E njoh bujqësinë e vjedhur e të abuzuar deri në ekstrem nga të gjitha qeverisjet e këtyre 30 viteve, e që mandati i tretë, mund ta shkatërrojë edhe më keq. E njoh mjedisin, pyjet dhe hidrologjinë e abuzuar e që mund të degradohet edhe më keq. Por ajo që më shqetëson më shumë është urrejtja, bullizmi, përçmimi dhe përçarja kombëtare e shoqërore që është mbjellur në vite, e që në mandatin e tretë rrezikon të rritet edhe më shumë. Pa folur këtu për mundësinë e rritjes së ritmeve të shpopullimit, të kriminalitetit, të korrupsionit, të autoritarizmit dhe të rrëshqitjes së sigurtë në një diktaturë, psh., putiniste.

Lulim Basha duhet mbështetur dhe inkurajuar në betejën dhe misionin më të madh të çështjes shqiptare, atë të kombëtarizimit dhe evropianizimit të mirfilltë e konkret të politikës dhe të administratës së shtetit shqiptar

Duhet të dorëhiqet Basha nga drejtimi i PD-së?

Kam dëgjuar shumë zëra e dëshira për ta larguar Bashën, duke e ngarkuar atë me përgjegjsi e gjëra që nuk i ka. Hedhja e kësaj ideje në treg është një tjetër ndërhyrje diabolike e partisë shtet, për të përçarë, vjedhur e sunduar pa opozitë e për një kohë sa më të gjatë. Për mendimin tim, më shumë se kurrë më parë, Lulzim Basha duhet mbështetur dhe inkurajuar në betejën dhe misionin më të madh të çështjes shqiptare, atë të kombëtarizimit dhe evropianizimit të mirfilltë e konkret të politikës dhe të administratës së shtetit shqiptar. Kamilio Libardi, sa herë që fliste për Shqipërinë, e krahasonte vendin tonë me një organizëm të sëmurë, pa qarkullim gjaku. Nuk beson më askush në demagogji e, as në qeverisje ambasadorësh e opinionistësh. Shqipërisë i duhen institucione të lira e me frymë e sjellje Euro-Atlantike. Unë mendoj se Lulzim Basha mund të përballet me kënetën e krijuar në vite. Është koha që ta mbështesim e ta inkurajojmë si kurrë më parë, për të mirën e Shqipërisë e të çdo shqiptari. Lideri politik krijohet në beteja me fitore e disfata, e jo në pulari, e as në laboratore krimbash. Dorëheqja duhet të vijë nga të shtrydhurit, të konsumuarit, të korruptuarit, të inkriminuarit e të gjithë ata që ia nxinë aq shumë jetën dhe imazhin Shqipërisë e shqiptarëve.

Faleminderit!