Emin Musliu: Ja pse u ndërprenë punimet në HEC e Banjës dhe Bushatit

1001
Sigal

Kujtimet e inxhinierit Emin Musliu: Rëndësia e Hidrocentralit të Bushatit, të Banjës, Bugovës dhe Smokthinës….

 Pse u ndëprenë punimet në hidrocentralin e Bushatit dhe të Banjës

Gazeta Telegraf

Sipas ing. Musliut Ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe në përbërje të saj, veprës më të rëndësishme ,hidrocentralin e Fierzës, është puna më e lavdishme që kanë bërë ndërtuesit shqiptarë në shekullin e XX. Hidrocentrali i Fierzës, për nga përmasat e disa objekteve dhe sasia e ujit që mbledh liqeni, është vepra hidroenergjetike më e madhe e ndërtuar deri më sot në vendin tonë.Për ndërtimin e tij janë bërë punime të shumta dhe janë ndërtuar një kompleks objektesh mbitokësore dhe nën tokësore të parametrave hidroteknik dhe konstruktiv nga më të mëdhatë, që njihte teknika e kohës. Por jo më pak tërëndësishme  janëHidrocentrali i Bushatit, Hidrocentrali i Banjës, Hidrocentrali i Bugovës dhe Smokthinës….

Si mund të na e përshkruani Hidrocentralin e Bushatit?

Ndodhet poshtë hidrocentralit të Vaut të Dejës; ndërtimi i tij filloi në vitin 1973.Iniciativa jonë për ndërtimin e kësaj vepre, u ndalua në vitin 1974 me një urdhër të posaçëm “nga lart”. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua vepra e shkarkimit, vepra e marrjes, ura e hekurudhës etj. Hidrocentrali i Bushatit, sipas projektit, do kishte një fuqi prej 100000 këh dhe do prodhonte rreth 400 milionë këh energji elektrike në vit. Nga vepra e shkarkimit të prurjeve, rreth 1000 m3/sek, nëpërmjet një kanali, do derdheshin në Belaj ose në det, gjë që krijonte mundësi për mbrojtjen e tokave të nënshkodrës, pasi në atë kohë lumi i Bunës ishte i lundrueshëm.

Në atë kohë, por edhe në fillimet e demokracisë flitej shumë për Hidrocentralin e Banjës?

Ndodhet në lumin e Devollit, pranë fshatit Banjë, rreth 8 km larg qytetit të Cërrikut ose 15 km poshtë qytetit të Gramshit.

Sipas variantit të parë, hidrocentrali ka një fuqi prej 60 MË dhe do prodhojë rreth 250 milionë këh energji elektrike në vit. Në variantin e dytë, fuqia e vendosur ishte 100 MË dhe prodhimi vjetor i energjisë elektrike ishte 400 milionë këh. Një rëndësi të veçantë kjo vepër do të kishte për ujitjen e fushave nën të. Punimet e kësaj vepre filluan që në vitin 1988 dhe në vitin 1992 u ndërprenë për mungesë të fondeve.

Hidrocentrali i Bugovës dhe Smokthinës

Para vitit 1990, krahas veprave hidroenergjetike që u përmendën më sipër, u ndërtuan edhe shumë hidrocentrale të tjera, si hidrocentrali i Bugovës, hidrocentrali i Smokthinës etj.

Arritjet në fushën e hidroenergjetikës ishin të shumta, por, për shumë arsye, ndërtimi i tyre u ndërpre deri në vitin 2009.

 

Dikur keni folur për skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin, çfarë përmban ajo?

Siç del nga legjendat e gojëdhënat, nga tregimet dhe nga përshkrimet e popullit, lumi Drin kishte sjellë vetëm dëme dhe fatkeqësi për fshatarët e banorët që jetonin në brigjet e tij, nga Peshkopia e Kukësi e deri në derdhjen e tij në Bunë pranë Shkodrës. Lumi Drin është lumi më i madh që ka vendi.Sipërfaqja mbledhëse e tij është afërsisht 14200 km2. Ai përbëhet nga dy degë kryesore: nga Drini i Zi, që del nga liqeni i Pogradecit në Strugë, dhe nga Drini i Bardhë, që i ka burimet në Kosovë. Të dyja degët kryesore të lumit Drin bashkohen pranë qytetit të Kukësit dhe që këtej Drini vazhdon rrjedhjen e tij deri në afërsi të qytetit të Shkodrës në Bahçallëk, ku bashkohet me lumin Buna, që del nga liqeni i Shkodrës e që derdhet në detin Adriatik.

Gjatë rrugës së tij nga burimet kryesore deri në det, në të derdhen shumë lumenj e përrenj të vegjël, si: Radika, Valbona, Curraj, Gomsiqe, Gjadri etj. Gjatësia e lumit Drin nga liqeni i Pogradecit e deri në derdhjen e tij është afërsisht 280 km. Ndërsa rënia e tij prej daljes së ujit nga hidrocentrali i Spilesë pranë Dibrës (Maqedoni) e deri në det është rreth 485 m. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Drin në zonën e hidrocentralit të Fierzës është rreth 230 m3/sek, ndërsa në zonën e hidrocentralit të Vaut të Dejës është rreth 330 m3/sek.

Në zonën e Fierzës lumi Drin ka një prurje vjetore rreth 7 miliardë m3. Prurjet maksimale të Drinit të vrojtuar në Fierzë janë 3100 m3/sek; në Vaun e Dejës, 5500 m3/sek, ndërsa prurja maksimale me siguri një herë në 10000 vjet është marrë për zonën e Fierzës 9600 m3/sek dhe për Vaun e Dejës mbi 10000 m3/sek.

Përpara projektuesve dhe ndërtuesve të hidrocentraleve shtroheshin detyra të mëdha dhe të vështira për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të Drinit, i cili përbën një pasuri të madhe për vendin tonë.

Si duhet të shfrytëzohet lumi Drin? Kësaj pyetjeje nuk ishte e lehtë t’i jepej përgjigje në atë kohë (1961-1963). Deri në vitin 1960, nga disa studime paraprake, që ishin bërë për shfrytëzimin e lumit Drin nga specialistët tanë dhe të huaj, mbizotëronte mendimi se ai duhet të shfrytëzohej me diga 50- 60 m të larta, pasi në atë kohë ato ishin edhe më të mundshme për t’u projektuar e ndërtuar. Por një shfrytëzim i tillë i Drinit ishte kundërekonomik; kërkonte kohë të madhe ndërtimi për të plotësuar nevojat për energji që kishte vendi dhe, mbi të gjitha, nuk lejonte krijimin e akumulacioneve të mëdha, që të bëhej rregullimi i prurjeve të lumit dhe të përmirësohej cilësia e energjisë elektrike gjatë vitit.

Që në fillim të studimit për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të lumit Drin, u pranua teza se Drini duhet të shfrytëzohet duke ndërtuar akumulacione (liqene artificiale) sa më të mëdha, me qëllim që të bëhet rregullim vjetor dhe shumëvjeçar i prurjeve të ujit, që hidrocentralet e ndërtuara mbi të të mbulojnë sa më mirë kërkesat e konsumatorëve me energji elektrike, si në periudhën e thatë, ashtu dhe në periudhën me shumë ujë të vitit. Pasuria e Drinit duhet të shfrytëzohet sa më mirë. Por një gjë e tillë nuk ishte e lehtë të konceptohej dhe jo më të projektohej e ndërtohej, mbasi duhet të projektoheshin e ndërtoheshin diga me lartësi të mëdha që shkonin nga 160-220 m, duheshin vepra shkarkimi për kalimin e prurjeve 5000-9000 m3/sek me rënie të madhe e shpejtësi deri në 35 ml/sek, duheshin projektuar e ndërtuar vepra marrje të ujit me lartësi deri në 100 m, tunele me diametër 10 m e ndërtesa të centraleve me fuqi të mëdha etj.

Në atë kohë, edhe në vende të ndryshme të Europës dhe në botë, vepra të përmasave të tilla ishin të pakta. Deri më 31 dhjetor 1962 ishin ndërtuar në botë 25 diga me lartësi mbi 140 m (6 në Zvicër, 3 në Itali, 3 në Francë, 1 në Spanjë, 3 në Japoni, 9 në Amerikë), prej të cilëve, me lartësi mbi 160 m, ishin ndërtuar 10 diga dhe konkretisht:

  • Në Zvicër 2 diga – Gran Diksans e lartë 284 m
  • Movaze e lartë 237 m
  • Në Itali 1 digë – Vaiont e lartë 262 m
  • Në Francë 1 digë – Tinje e lartë 181 m
  • Në Amerikë 6 diga – Bulder Dam e lartë 221 m
  • Shasta e lartë 183 m
  • Hongry Horse e lartë 172 m
  • Gran Kule e lartë 168 m
  • Ross e lartë 165 m
  • Trinity e lartë 164 m

Megjithatë, duke u mbështetur në arritjet e shkencës dhe teknikës botërore të viteve të fundit për ndërtimin e digave të larta, si dhe besimi në vlerat tekniko-shkencore të specialistëve tanë dhe vendosmërisë së tyre, u bë e mundur që të zgjidhen me sukses të gjitha problemet që do të dilnin dhe të merrej vendimi që Drini të shfrytëzohej me diga të larta.

Dhe pas një pune intensive prej gati 3 vjetësh të punonjësve të Drejtorisë së Projektimeve dhe Ndërtimeve të Hidrocentraleve, L.T.N. dhe nënstacioneve të krijuara më 1 janar 1961 dhe Drejtorisë së Gjeologji-Gjeodezisë pranë Ministrisë së Ndërtimit, si dhe të konsultimeve të shumta me specialistë francezë, italianë, kinezë, çekë etj., u përfundua studimi për skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin në disa variante. Në fund të vitit 1963 ky studim u shqyrtua dhe u miratua nga qeveria.

Një meritë të veçantë në kriteret për hartimin e skemës së shfrytëzimit të lumit Drin pati argumentimi shkencor nga prof. Petrit Radovicka, për nevojën e krijimit të liqeneve artificiale me rregullimin vjetor dhe shumëvjeçar.

Që në mesin e vitit 1962 u përcaktuan qartë nivelet e liqeneve të Fierzës dhe Skavicës.

Në marrëveshjen me palën jugosllave në tetor të vitit 1962, u bë e mundur që niveli i liqenit të Fierzës. nga 276 m, të shkojë 296 m ose 20 m më shumë, që futej në tokën jugosllave (Kosovë). Një gjë e tillë bëri të mundur që liqeni i Fierzës të ketë një rregullim vjetor dhe liqeni i Skavicës me kuotë 485 m, të ketë rregullim shumëvjeçar.

Në bazë të studimit të aprovuar, potenciali i lumit Drin do të shfrytëzohet me pesë hidrocentrale: hidrocentrali i Skavicës, hidrocentrali i Fierzës, hidrocentrali i Komanit, hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe hidrocentrali i Bushatit. Të pesë hidrocentralet e Drinit do të kenë një fuqi të vendosur prej 1.8 milionë këhdhe një prodhim mesatar të energjisë elektrike prej rreth 6.7 miliardë këh në vit. Për të prodhuar këtë energji elektrike me naftë, do të duheshin rreth 2.8 milionë ton naftë në vit.Secili nga këto hidrocentrale do të ketë fuqi të instaluar dhe do të prodhojë mesatarisht energji elektrike në vit si më poshtë:

  • Hidrocentrali i Skavicës 350 000 kë dhe 5 miliardë këh
  • Hidrocentrali i Fierzës 500 000 kë dhe 8 miliardë këh
  • Hidrocentrali i Komanit 600 000 kë dhe 2.0 miliardë këh
  • Hidrocentrali i Vaut të Dejës 250 000 kë

dhe1.0 miliardë këh

  • Hidrocentrali i Bushatit 100 000 këh dhe 0.4 miliardë këh

Gjatë studimit të skemës së shfrytëzimit të Drinit dhe më vonë gjatë hartimit të projekteve të këtyre veprave, janë marrë parasysh probleme të ndryshme, si: kushtet konkrete gjeologjike të zonës ku do të ngrihen hidrocentralet, materialet e ndërtimit, zgjidhja më e përshtatshme e tipit të digës dhe e veprave ndihmëse, radha dhe koha e ndërtimit të tyre etj. Nga shqyrtimi me kujdes i problemeve të studimit, projektimit dhe ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin, rezulton se:

Së pari, tipi i digave që do të ndërtoheshin në këto hidrocentrale duhet t’u përgjigjej më mirë kushteve dhe mundësive tona, duke shfrytëzuar sa më mirë materialet e vendit e ato rrethanore, që tipi i tyre të ishte mundësisht i njëjtë me të gjitha hidrocentralet, me qëllim që përvoja e fituar e kuadrove dhe e punëtorëve të përdorej sa më mirë dhe makineritë e ndërtimit të shfrytëzoheshin plotësisht. Për tri hidrocentralet e para të Drinit (i Vaut të Dejës, i Fierzës dhe i Komanit) janë zgjedhur diga me materiale vendi; edhe për hidrocentralin e Skavicës kjo çështje do të studiohet me kujdes – nëse do jetë digë me material vendi apo betoni.

Së dyti, në përputhje me nevojat e vendit për energji elektrike, si dhe mundësitë praktike të projektimit dhe të zbatimit, u caktua dhe radha e ndërtimit të hidrocentraleve, duke filluar nga Vau i Dejës, Fierza, Komani, Bushati dhe në fund Skavica. Krahas hidrocentraleve, u caktuan edhe trasetë e linjave të tensionit të lartë me tension 220 KV, që do të dërgojë energji elektrike pranë konsumatorëve kryesorë të vendit, së bashku me nënstacionet përkatëse. Liqenet artificiale, që do të krijohen nga këto hidrocentrale, parashikohet të kenë një volum të përgjithshëm prej 10.4 miliardë m3 ujë dhe një sipërfaqe me nivel normal të ujit prej 200 km2. Gjatësia ujore, që do të formojnë të pesë hidrocentralet e Drinit nga deti Adriatik e deri në hidrocentralin e Spilesë (Maqedoni) do të jetë rreth 240 km.

Me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, lugina e Drinit do të pësojë një transformim të plotë dhe bukuritë natyrore të saj (të paktë janë ata që i kanë parë) do të soditen me kënaqësi nëpërmjet lundrimeve në liqene, duke kaluar nga njëri liqen tek tjetri. Do të jetë një gjë e rrallë që, në një gjatësi prej 350 km, të ndodhen 3 liqene natyrore, si: liqeni i Prespës, i Pogradecit, i Shkodrës dhe nëpërmjet tyre të krijohen edhe 6 liqene artificiale, dy në territorin maqedonas (Gllabocice e Spile) dhe katër në territorin tonë (Skavicë, Fierzë, Koman, Vau i Dejës). Disa nga qytetet tona, si: Kukësi, Peshkopia dhe shumë fshatra të tjerë, do të jenë buzë liqeneve me ujë të kulluar e ku, krahas peshkimit, do të zhvillojnë dhe transportin ujor, turizmin etj.

Sipërfaqja e përgjithshme e katër liqeneve do të jetë mbi 200 km2. Thellësia e ujit në to do të jetë nga 54 m, që është në liqenin e Vaut të Dejës, në 190 m në liqenin e Skavicës.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Drin me liqene të mëdha, përveç vlerave që kanë për prodhimin e energjisë, do zgjidhin edhe një problem tjetër të rëndësishëm – ruajtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet e lumit në pjesën e poshtme të Drinit e Bunës dhe do të krijojnë mundësi reale dhe për përfitimin e tokave në brigjet e liqenit të Shkodrës, tëcilat mund të arrijnë deri në 10-11000 ha (në Shqipëri dhe Mal të Zi). Prandaj, vështruar dhe në këtë aspekt, vlerat e hidrocentraleve të Drinit, e atyre që janë ndërtuar e atyre që do të ndërtohen në të ardhmen, janë të mëdha.