Sigal

Qeveria dhe kryebashkiaku i Tiranës, për të konkretizuar planin e tyre, për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave në hapësirën publike, përveç vështirësive ligjore, të cilat i kapërcyen me ligjin, që u miratua në parlament, (pavarësisht se ai ligj cenon ligje të tjera), duke përfituar edhe nga mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ndoqën edhe politikën e përçarjes të komunitetit të artistëve, të cilët reaguan dhe kundërshtuan. Një nga “regjisorët” e prapaskenave të përçarjes së artistëve, për interesat e qeverisë, siç shkruan edhe Hashtag.al është edhe Gjergj Bojaxhiu. Këtë rol përçarës të Gjergj Bojaxhiut, të cilin Hashtag.al e cilëson si korrierin e kryeministrit Rama, e zbardh Altin Basha, një nga regjisorët, që mbështeti ligjin e qeverisë. Siç shkruan Hashtag.al, Altin Basha, së fundmi i perceptuar nga publiku, por edhe kolegë të tij si “tradhtar” i kauzës së Teatrit Kombëtar pas publikimit të një fotoje të tij me Erion Veliajn, Arben Derhemin dhe Alfred Trebickën, në një intervistë të djeshme për gazetën, një gazetë të përditshme ka dhënë një informacion të ri, të panjohur deri më tani. Regjisori Basha ka rrëfyer për rrugën se si mbërriti në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të diskutuar për teatrin, moment që u shit nga Veliaj si arritje e marrëveshjes me artistët. Pikërisht në këtë rrëfim, Basha nxjerr një emër të ri negociatori për teatrin: Ai është Gjergj Bojaxhi. Rrëfen Altin Basha: “Me organizimin e takimit do të merrej Alert Çeloaliaj me Arben Derhemin; Ideja ishte që të vazhdonte dialogu. Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues. Pasdite, Arben Derhemi më njofton se në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj. Ndërkohë Gjergj Bojaxhi, në emër të Aleancës më thotë se duhet futur në negociata një pikë tjetër, që ishte konkursi ndërkombëtar.” Me të drejtë gazetarja e pyet: “Konkurs ndërkombëtar, për çfarë?” ndërsa pas kësaj regjisori Basha nis e zbërthen çdo komunikim me personazhin, që del për herë të parë në skenë: Bojaxhiun. “Jemi takuar me Gjergj Bojaxhiun për të sqaruar këtë pikë, se çfarë parashikonte konkursi ndërkombëtar. Konkursi ishte i hapur për të gjitha alternativat: Rikonstruksion; shembje dhe ringritje nga e para në formën që ka; konkurs për një projekt të ri; për një sallë në mes, duke ruajtur dhe dy anët ekzistuese. Konkursi e fuste në shinat e duhura dhe legale gjithë dialogun dhe ishte një ide e pranueshme për Aleancën”, tregon më tej Altin Basha. Ky rrëfim i Altin Bashës dhe pretendimi, se Gjergj Bojaxhi kishte propozuar një konkurs ndërkombëtar, ku mbetej i hapur dhe opsioni i shembjes së Teatrit, është tepër interesant. Së pari, për faktin se Bojaxhi është shfaqur (bashkë me disa bashkëpunëtorë) si flamurtar për mbrojtjen e Teatrit, anulimin e projektit të kullave. Por propozimi konkret që ka bërë Gjergj Bojaxhi, e përfshin opsionin e shembjes së Teatrit. Në këto kushte lind natyrshëm pyetja: Kush ia dha Bojaxhiut këtë opsion? Cilat ishin shtysat që e çuan atë të propozonte një konkurs ndërkombëtar, që parashikonte edhe shembjen e Teatrit? Ndonëse nuk mund të thuhet me siguri, se për llogari të kujt e bëri zoti Bojaxhi këtë propozim, rrethanat e zotit Bojaxhi janë tepër interesante dhe mund të jenë një orientim i mirë. Gjergj Bojaxhi është një oligark i hidrokarbureve dhe kompania e tij e naftës është një ndër kompanitë logjistike me fitimet më të mëdha në Shqipëri. Në këtë Shqipërinë e ngatërruar, ku ndërsimi ndaj qeverisë të rrezikon edhe sikur të kesh në pronësi një kioskë, Gjergj Bojaxhi pretendon se do bëjë oponencë, duke pasur një aktivitet tregtar të rëndësishëm si kompania ‘Everest Oil’.

Është tepër interesante se si ky oligark nafte shfaqet në publik si i shqetësuar për mbrojtjen e Teatrit, ndërsa punët me kompaninë e naftës nuk duket se po i shkojnë keq.

Dy vite më parë zoti Bojaxhi u hetua nga policia e Saimir Tahirit për pastrim parash me kompani offshore dhe disa kohë ra në qetësi. Punët po i shkojnë sërish mirë.

Zoti Bojaxhi është pjesë e forumit ‘Për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore’ së bashku me Artan Lamen dhe Artan Shkrelin, dy drejtorë të Rilindjes, me të cilët Bojaxhi zgjedh shpesh të kalojë dhe fundjavat. Ndaj dhe propozimi i tij për konkurs ndërkombëtar për teatrin, nuk është se mund të çudisë ndokënd, punët e naftës janë të ngatërruara, ndonjëherë duhet të bësh dhe korrierin te Teatri. / Hashtag.al