Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ka deklaruar se çdo deputet i Kuvendit duhet të deklarojë nëse e ka përdorur apo jo platformën e Sky ECC.
Ai shtoi se sa kohë një detyrim të tillë e kanë funksionarët e tjerë të shtetit, nuk ka asnjë arsye pse të njëjtit detyrim të mos i nënshtrohen edhe deputetët.
“Nuk po them se deputetët e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës së tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë nëse e ka përdorur apo jo platformën e Sky ECC. Kjo është e gjitha. Kush nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka pse të friksohet. Për sa kohë ne ja kemi vënë detyrim funksionarëve të tjerë të shtetit, do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme. Sa kohë detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lekë të vjetra, ne do duhet të nisim ne nga vetja. Ky është standard moral”, tha ai.