Deputetët socialistë kërkojnë armikun e tyre te LSI edhe në qarqe

491
Edhe pse Asambleja Kombëtare e PS, e mbledhur në vapën e korrikut, vendosi që, sa të freskohet moti, në shtator, do të fillojë menjëherë analiza e humbjes së zgjedhjeve të 21 qershorit, në çdo strukturë të PS në rrethe dhe qarqe, (pasi siç dihet, PS humbi 15 % elektorat ose 311.321 vota më pak se zgjedhjet e 2013), siç duket, deputetët socialistë të qarqeve, “analizën” e humbjeve të tyre elektorale, si përgjegjësit kryesorë në ato zona elektorale ku ata janë përfaqësues, e kërkojnë ta gjejnë te aleati i tyre, LSI. Kjo, sipas logjikës aritmetike të mendësisë së deputetëve socialistë, PS humbi elektorat në 21 qershor 2015, po kaq elektorat, njëkohësisht, fitoi LSI, ndaj fajësohet …LSI! Por PS, nuk e di nëse e ka kuptuar se fitorja e Koalicionit të Majtë në 21 qershor erdhi pikërisht edhe në saj të LSI, sepse, nëse shikojmë dhe analizojmë rezultatet zgjedhore, PS, në asnjë bashki nuk mund të fitonte pa votat e LSI, qoftë kandidatët e saj për kryebashkiakë, por edhe mazhoranca e këshillave bashkiakë. Madje në 12 bashki, LSI doli forcë e parë politike, në 29 bashki LSI ishte forcë e dytë politike, ndërsa PS në 13 bashki ishte forca e tretë politike. Edhe në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj nuk do të fitonte pa votat e LSI, por edhe mazhoranca e Këshillit Bashkiak nuk do të fitohej nga PS e cila fitoi 29 këshilltarë, pa LSI, e cila fitoi 12 këshilltarë. Nëse këto realitete zgjedhore politike të 21 qershorit 2015, shikohen si zili nga PS, dhe deputetët e PS kërkojnë të bëjnë inskenime politike në dëm të LSI, atëherë, siç thotë populli, PS, në të ardhmen, me prapaskenat që mbjell me deputetët e saj kundër LSI, do të korrë vetëm humbjet elektorale, siç ndodhi në 8 vitet e shkuara. 

Deputetët socialistë gjejnë armikun e tyre, te …LSI
Kryeministri Edi Rama, u ka bërë të qartë deputetëve: Ata që kanë humbje më të mëdha elektorale, në zonat e tyre elektorale, nuk do të jenë në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 2017. Ndaj, deputetët socialistë nëpër qarqe, i ka kapur paniku, se nuk do përfshihen në listat e kryetarit për deputetë në 2017, ndaj, kanë filluar të inskenojnë armiqtë e humbjes të 21 qershorit. Dhe, këta deputetë socialistë gërmojnë, çdo emërim që është bërë pas 2013, në administratën publike të qarkut ku ata janë, për të gjetur të gjithë drejtuesit, apo nëpunësit që janë emëruar pa firmanin e tyre. Shembulli më tipik është deputeti socialist në Gjirokastër, Vladimir Kosta, i cili publikisht akuzoi LSI se ka punësuar në administratë publike më shumë militant të saj se PS, duke pranuar që emërimet janë partiake, por PS, i ka shkarë pazari nga duart. Deputetët socialistë, gjithashtu në shumë bashki dhe qarqe, kanë dhënë udhëzimet e tyre te njerëzit e tyre, që në këshillat bashkiakë dhe në Këshillat e qarqeve, të mos e japin votën për kandidaturat e mundshme të LSI. Kjo ndodhi në këshillin bashkiak të Shkodrës, të Gjirokastrës, e në disa këshilla të tjera bashkiake, ku anëtarët e koalicionit të Majtë, nuk ua dhanë votat kandidatëve të tyre, ose kishte raste kur kandidatët ishin të dy nga e Majta, duke bërë të qarta ndasitë politike të koalicionit. Nëse vërtet deputetët socialistë duan të gjejnë shkaqet e humbjes elektorale, ata le të kërkojnë te vetvetja përse elektorati nuk u beson më, te zhgënjimi i socialistëve, që mbeten të papunësuar, kur ndërkohë deputetët po punësojnë njerëzit e oborrit të tyre, pa merita profesionale dhe intelektuale, pa kontribute partie dhe se janë vetë deputetët, që nuk kanë mbajtur asnjë premtim elektoral që u kanë dhënë njerëzve të tyre. 

Qarku i Dibrës: Kandidati i LSI zgjidhet me votat e PD
Pas debateve mes PS dhe LSI në Këshillin Bashkiak të Peshkopisë pak ditë më parë, ftohja e marrëdhënieve mes këtyre dy forcave u pasqyrua edhe në mbledhjen e këshillit të Dibrës, konkretisht në zgjedhjen e kryetarit për katër vitet e ardhshme. 17 këshilltarë të këshillave bashkiakë, përkatësisht të Burrelit, Klosit dhe Bulqizës, pas votimit zgjodhën kryetar, Hajri Laçin e LSI me 10 vota, kundrejt 7 të kandidatit socialist, Qazim Gjoni dhe asnjë votë për kandidatin demokrat. Bashkimi i votave mes LSI dhe PD bëri të mundur dhe zgjedhjen e nënkryetarit të qarkut, Fehmi Hoxha nga radhët e PD, i cili mori 10 vota përkundrejt 7 të kandidatit të majtë Qemal Cenaj.
Sigal