Deputetët fallco në borderonë e Parlamentit

505
Sigal

Maxhoranca e tanishme hesht për shkeljen flagrante  të Kodit Zgjedhor për  mandatimin e  deputetëve

Lajmi: KQZ-ja me 4 anëtarë, bën mandatimin e deputetëve

KQZ-ja,  e tanishme, edhe pse me 4 anëtarë, ka bërë zëvendësimin e 7 deputetëve që dhanë dorëheqjen nga mandati, me 7 kandidatët e listave përkatëse, sipas qarqeve. Kjo është shkelje e hapur dhe flagrante e Kodit Zgjedhor, sepse kjo KQZ e tanishme, nuk ka numrin e anëtarëve të saj,  për të marrë një vendimmarrje të tillë, për shkak se nuk arrin kuorumin, pse ndryshe, nuk arrin votimin cilësor, të 5 votave.

KQZ-ja e zbaton Kodin Zgjedhor me 2 standarde

Kodi Zgjedhor është katandisur nga PD-PS, si një kartë higjienike, e cila përdoret nga secili që është në fuqi, sipas interesit partiak. Kështu, pas dorëheqjes së 3 anëtarëve të KQZ-së, që para zgjedhjeve të 23 Qershorit, të cilët ishin propozuar nga PS-LSI, si reagim i shkarkimit që iu bë anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Miho, nga maxhoranca e atëhershme, për shkak të shkëputjes të LSI-së nga maxhoranca e Berishës, Kodi Zgjedhor u shkel me të dyja këmbët, për shkak se u pranua në marrëveshje të heshtur nga PD-PS, që zgjedhjet të bëheshin nga një KQZ me 4 anëtarë, të gjithë të propozuar nga PD-ja.

Kodi Zgjedhor, neni 24, pika 1 e përcakton qartë që shpërndarjen e mandateve, d.m.th, vendimmarrjen e merr vetëm me 5 vota, nga 7 anëtarë që ka KQZ-ja.. Mirëpo, vetë fakti që KQZ-ja e mbetur me 4 anëtarë, nuk mund të bënte dot as zgjedhjet, por pikërisht, as shpërndarjen e mandateve, për shkak të mungesës së kuorumit, detyrimisht, nuk mund të pranohej që të shkohej në zgjedhje me një KQZ me 4 anëtarë.

Kodi Zgjedhor katandiset “letër higjienike” nga PS-PD

PS-ja, meqë fitoi zgjedhjet në mënyrë plebishitare, “e harroi” fare Kodin Zgjedhor, që nuk e lejonte fare KQZ-në që të bënte shpërndarjen e mandateve, sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor. Madje, edhe Kolegji Zgjedhor nuk e ka  kompetencën që të bëjë shpërndarjen e mandateve, edhe në rastet kur KQZ-së i mungon kuorumi në marrjen e vendimmarrjeve për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Megjithatë, PS-ja tashmë si maxhorancë, (së bashku me LSI-në që kishin fituar 83 mandate në zgjedhjet e 23 Qershorit), mbylli sytë dhe veshët ndaj shkeljes së Kodit Zgjedhor, dhe pranoi që Kolegji Zgjedhor, të bënte shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Madje, meqë KQZ-ja ka 4 vota, mori vendimet përkatëse, që e ka të pamundur që të bëjë shpërndarjen e mandateve, dhe këtë kompetencë kushtetuese të saj, ia anashkaloi Kolegjit Zgjedhor.

Tashmë, çuditërisht, KQZ-ja bën zëvendësimin e mandateve?!

Pra, atë që KQZ-ja nuk mundi ta bëjë pas 23 Qershorit, që të shpërndante mandatet, duke marrë vendimet përkatëse që kjo kompetencë t’i delegohet Kolegjit Zgjedhor, e bën tani, pasi 7 ministrat e qeverisë dhanë dorëheqjen nga mandati i deputetit. KQZ-ja, me 4 anëtarë merr vendimmarrje, që pranon dorëheqjen e 7 deputetëve dhe, njëkohësisht, merr vendim me 4 vota, që të zëvendësohen ata me kandidatët e tjerë në listat përkatëse, sipas qarqeve. Neni 24, pika 1 e Kodit Zgjedhor, e përcakton qartë, që këtë kompetencë e ka vetëm kur KQZ-ja arrin kuorumin me 5 vota. PS-LSI, që kanë maxhorancën, tani heshtin, pasi janë pikërisht ato që kanë tërhequr anëtarët e tyre nga KQZ-ja dhe, deri më sot, nuk kanë pranuar, që t’i zëvendësojnë. Por, si maxhorancë që janë, PS-LSI kanë interesa politike, që, qoftë edhe në kundërshtim të plotë të Kodit Zgjedhor, heshtin kur KQZ-ja me 4 anëtarë merr vendime të kundërligjshme. PS-LSI heshtin sepse u intereson politikisht. Pra, kjo maxhorancë, nuk ka qëllim që të zbatohet ligji, i barabartë për të gjithë, por, ligjin e bëjnë lastikë, për ta çuar në ato parametra që u intereson atyre. Më e çuditshme është edhe heshtja e opozitës, të PD-së, PR-së dhe PDIU-së, që nuk e ngrenë shqetësimin politik të zbatimit të Kodit Zgjedhor me 2 standarde. Opozita e sotme hesht, sikurse ai qen i rrahur, duke e pranuar humbjen, edhe kur maxhoranca, me arrogancë, e shkel ligjin në mënyrë flagrante. Kjo do të thotë, që opozita bën zhurmë- dhe jo opozitë- vetëm kur shikon se mund të përfitojë ndonjë gjë, për vetveten e saj dhe jo të jetë në vigjilje të zbatimit të ligjit e të drejtësisë.

Ish-Kryetari i KQZ-së, Kume: Maxhoranca hesht se i intereson!

Kristaq Kume, ish-Kryetari i KQZ-së, në një prononcim për “Telegraf”, duke iu referuar nenit 24, pika 1, të Kodit Zgjedhor, pohon se, kjo maxhorancë e pranon zbatimin nga KQZ-ja me 2 standarde, sepse i intereson, ose e ka humbur interesin politik për këtë çështje. “KQZ-ja, sipas nenit 24, pika 1- thotë për “Telegraf” zoti Kume- nuk mund të bëjë dot shpërndarjen e mandateve të deputetëve, as të plotësojë vakancat, kur nuk ka 5 vota, për të arritur kuorumin, sipas neneve 162, 163, 164, të Kodit Zgjedhor. Por, edhe kjo maxhorancë tani hesht, sepse e ka humbur interesin politik”.

Ja emrat e 7 deputetëve të rinj

KQZ-ja me 4 anëtarë ka miratuar zëvendësimin e 7 deputetëve ministra, që dhanë dorëheqjen me emrat që vijnë në listat respektive pas lënies së mandatit të deputetit nga 7 ministrat e kabinetit Rama. Emrat që zëvendësojnë ministrat janë: Anduel Xhindi, zëvendëson Ilirjan Celibashin, Adelina Rista zëvendëson Eglantina Gjermenin, Erjon Veliaj zëvendësohet nga Vladimir Kosta, Miranda Rira zëvendëson Edmond Haxhinaston, Enkeleda Shkreli zëvendëson Milena Hariton, Nasip Naço zëvendësohet nga Silva Caka ndërsa Klajda Gjosha zëvendësohet nga Kejdi Mehmetaj, 20-vjeçarja që është edhe më e reja që hyn në Kuvend. Shtatë ministrat e kabinetit “Rama”, përkatësisht katër ministra të PS-së dhe tre tëLSI-së depozituan dje pranë Kuvendit kërkesën për lënien vullnetare të mandatit të deputetit. Lënia e mandatit të deputetit, sipas ministrit Ilirjan Celibashi është përmbushja e një zotimi politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe në këtë mënyrë ministrat përqendrohen në rolet e tyre ekzekutive. Procesi i lënies së mandatit të deputetit edhe nga ministrat  e tjerë të kabinetit “Rama”, pritet të vijojnë në janar.

Kodi Zgjedhor

Neni 24

 

Vendimmarrja në KQZ

 1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:

a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;

 b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;

c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;

d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;

dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi;

e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;

ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit;

f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit.

Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

2. Vendimet e KQZ-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve të KQZ-së, përbri nënshkrimit të tij, shënon me shkrim mënyrën e tij të votimit, sipas rastit “pro” ose “kundër”. Anëtarët në pakicë duhet të paraqesin mendimin e tyre të pakicës ose atë alternativ jo më vonë se 24 orë nga marrja e vendimit. Mendimi i pakicës i bashkëngjitet vendimit përkatës.

3. Çdo vendim i KQZ-së zbardhet brenda 24 orëve nga marrja e tij. Jo më pak se dy ekzemplarë origjinalë të vendimit ose, sipas rastit, edhe të udhëzimit të KQZ-së, mbahen në arkivin e KQZ-së. Vendimet publikohen menjëherë në faqen zyrtare të KQZ-së.

4. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, gjatë periudhës zgjedhore, jep, kundrejt kërkesës të çdo subjekti zgjedhor, pa pagesë, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KQZ-së. Jashtë periudhës zgjedhore, si dhe për çdo person tjetër të interesuar kopjet e akteve të KQZ-së jepen kundrejt një pagese, sipas akteve përkatëse në fuqi.