Deputetët e PS-së: Baza po na mbyll dyert

625
Sigal

Shtohet numri i deputetëve të pakënaqur brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Drejtorët janë bërë fuqiplotë, ndërsa deputetët janë shfuqizuar krejtësisht, duke mos pasur asgjë në dorë. Kjo panoramë përbën realitetin aktual brenda Partisë Socialiste, ku deputetët nuk kanë mundësi të punësojnë as edhe një banor apo zgjedhës të zonës së vet, duke i humbur kështu kredibiliteti për votimet e ardhshme. Situata aktuale, me zhvlerësimin e deputetëve, ka krijuar një klimë pakënaqësie dhe mosbesimi të deputetëve ndaj Ramës, i cili u ka dhënë kompetenca të plota vetëm drejtorëve.

Situata

Pa mbaruar akoma dollitë e festës së fitores elektorale, duket se brenda Grupit Parlamentar të PS-së janë shfaqur hijet e dëshpërimit, që janë transformuar në pakënaqësi të hapur ndaj Ramës. Kjo për arsye të bllokimit të vendeve të punës nga ana e drejtorëve të drejtorive përkatëse, duke i krijuar bllokim të plotë deputetëve. Por nga ana tjetër deputetët janë ura lidhëse e Partisë Socialiste me elektoratin e bazës dhe për këtë arsye ata ndihen krejtësisht të izoluar. Të ulur në karrigen e Parlamentit, ata duket se ndihen atje, më vështirë se sa në karrigen elektrike, ku dënimi i dhënë prej Ramës është, izolimi. Pra, deputetët nuk kanë mundësi të fusin në punë asnjë përfaqësues të bazës, të cilët më 23 qershor votuan për koalicionin rozë. Por tani sipas urdhrit të fshehtë të Ramës çdo vend pune, qoftë nëpër dikastere, apo në fronte të thjeshta është përqendruar në duart e drejtorëve, të cilët kanë të drejtë të punësojnë njerëz, ose të heqin nga puna disa të tjerë. Ndërkaq, deputetët nuk i pyet njeri në pushtetin ekzekutiv. Ku as prefektët, as shefat as përfaqësuesit e tjerë nuk kanë gjë në dorë. Me këtë rast, vëmendja dhe interesimi i bazës po kalon nga deputetët tek drejtorët përkatës të cilët kanë në dorë fatin e ardhshëm të militantëve të thjeshtë, apo familjarëve të atyre që votuan për Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë, kur të vijë koha e zgjedhjeve të ardhshme deputetët aktualë nuk kanë dinjitetin dhe autoritertin e duhur t’u kërkojnë votat anëtarëve të partisë. Kështu që  ata s’mund të marrin përsipër një fitore të ripërsëritur të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Por duket se ky izolim i deputetëve socialistë nga e drejta për të punësuar njerëz bëhet pikërisht për këtë qëllim: Që të largojnë sa më shumë deputetët aktualë nga baza e popullit në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, të zgjidhen si deputetë vetë drejtorët e dikastereve. Dhe skema është ndërtuar në këtë mënyrë: Drejtorët punësojnë njerëz, pastaj kur të vijë momenti i kërkojnë votat anëtarëve të PS-së. Ndërsa deputetët nuk i pyet njeri dhe kështu ata dalin vetvetiu jashtë loje për situatat e ardhshme parazgjedhore.

Pakënaqësia

Janë më shumë se 20 deputetë të Partisë Socialiste që janë shprehur hapur me njeri-tjetrin për ngërçin e krijuar brenda Partisë së tyre, sipas udhëzimeve të Ramës. Pra, duket se roli i deputetit tani është bërë fare i parëndësishëm, përderisa asnjeri prej tyre nuk ka mundësi të punësojë qoftë edhe një roje te porta e dikastereve apo në sektorë të ndryshëm. Kjo gjendje natyrisht do të reflektohet edhe në marrëdhëniet e ardhshme brenda partisë, por sidomos në zgjedhjet e ardhshme.