Denoncim i Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Tedi Blushi lidhur me Idajet Beqirin, një nga kallëzuesit dhe bashkëpunëtorët e SPAK në hartimin e dosjes politike ndaj Presidentit Meta
Në kuadër të transparencës, do të demaskojmë sot me prova konkrete, se kush është Idajet Beqiri, një nga partnerët në krim të Altin Dumanit dhe SPAK-ut, mbi bazën e kallzimit edhe të të cilit ky institucion hartoi fletërrufenë prej 165 faqesh dhe mban sot në izolim ekstrem Presidentin e Partisë së Lirisë, Z.Ilir Meta me zero fakte penale, me zero dokumente dhe zero prova të shkeljes së ligjit.
Lehësi i neveritshëm dhe “juristi” i denjë për “Rilindjen”, i dënuar për falsifikim dhe mashtrim në çdo kohë dhe nga çdo sistem, brenda dhe jashtë vendit, me vendim të Dhomës së Avokatisë i është pezulluar pak kohë më parë leja e ushtrimit të profesionit si avokat, për faktin se është mashtrues publik.
Vendimi, që mediat e kapura nga “Rilindja” nuk e publikojnë, ka ardhur pas një ankese të bërë nga një klient i tij, i quajtur Ferdi Kastrati, që e akuzon Idajet Beqirin si mashtrues dhe zhvatës të një shumë prej 200.000 lekësh për një shërbim të parealizuar.
Dhoma e Avokatisë e akuzon Beqirin për sjellje joprofesionale të avokatit dhe për shërbime të papërshtatshme profesionale dhe për pasojë i ka pezulluar lejen e ushtrimit të aktivitetit.
Regjimet dhe pushtetet në Shqipëri kanë ndryshuar, por vetem falsifikatori ka qenë gjithmonë i njëjti, Idajet Beqiri, që është dënuar në kohën e Partisë Punës dhe nga të gjitha qeveritë e pluralizimit në Shqipëri, por edhe jashte vendit.
Kaq i neveritshëm është kallëzuesi apo partneri në krim i Altin Dumanit, sa që edhe Partia e Punës e ka dënuar, megjithëse i ka kërkuar mëshirë në seancë për falsifikimet ordinere të tij.
Pas publikimit të vendimit të Gjykatës së PPSH, që e ka dënuar për falsifikim me 1 vit burgim dhe pas mëshirës që kërkoi ju ul dënimi në 4 muaj, një tjetër vendim rezulton për këtë kampion të mashtrimit dhe falsifikimit.
Idajeti siç faktohet nga ky vendim është dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Liezh, rikonfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo e Kasacionit në Belgjikë.
Me kartelë të kuqe nga Interpoli, ky “mashtrues” i SPAK-ut, sponsorizohet qartësisht nga “Rilindja” në studio dhe portale dhe më e rëndë akoma, kallëzimi i këtij individi të dënuar brenda dhe jashtë vendit, merret për bazë nga Altin Dumani.
Idajet Beqiri, mund të fshihet pas pseudonimeve të tij: “Petrit Tepelena”, “Alban Vjosa” dhe “Kolonel Ilir Duraku” por nuk i fshihet dot të vërtetës.
Më 12 tetor 2023, një dokument zyrtar bën me dije se SHBA ka përditësuar listën e personave të sanksionuar në të gjithë botën, mes tyre 29 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia me status politikanë, avokatë, biznesmenë e anëtarë të UÇK, ku bie në sy emri i avokatit “rilindës”, Idajet Mane Beqiri.
Ai është i sanksionuar nga SHBA dhe Departamenti i Thesarit si terrorist.
Madje edhe në listën e SHBA, ai gjendet dy herë non-grata, njëherë me emrin Idajet dhe njëherë me emrin Hidajet.
Po përse e ka sanksionuar SHBA, avokatin e Edi Ramës dhe Altin Dumanit, Idajet Beqiri?
Idajet Beqiri arrestua në Kosovë me 24 maj 2012, pas kërkimit ndërkombëtar nga drejtësia e Belgjikës, si i dënuar 4 vite burg dhe i skeduar nga FBI e DEA, për mashtrime me viza perëndimore dhe ushtrim aktiviteti trafiku droge e kontrabande.
Për t’i shpëtuar urdhër-arrestit në Shqipëri, në tetor 1998 u arratis në Belgjikë, ku u paraqit me pasaportë false si komandant lufte i UÇK.
Atje krijoi organizatën e tij kriminale, si gjoja lëvizja “Fronti i Bashkuar Kombëtar Shqiptar”.
Me logon e kësaj organizate, grumbulloi shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të gjithë eksponentë të botës së krimit.
Veprimtaria e organizatës që drejtonte Idajet Beqiri, u cilësua “organizatë terroriste” nga EUROPOL, EUROJUST, FBI e DEA Amerikane, dhe nëpërmjet një dosjeje me prova konkrete në 2800 faqe të gjetura fashikuj e në kompjuterë, ai u dënua 4 vite burg nga drejtësia e Belgjikës.
Por arrestimi i tij nuk mund të realizohej, mbasi me një pasaportë tjetër false shqiptare me emër “Hidajet Riza Kuta”, mashtruesi Idajet Mane Beqiri, u arratis në Gjermani.
Atje filloi të përdorte emrin tjetër kosovar fals, duke treguar një medalje nderi false me logo të NATO-s, 1 certifikatë, 5 dekorata të UÇK dhe 1 autorizim sikur ishte ngarkuar nga komanda qendrore e UÇK-së, për grumbullim donacionesh për luftën, por pas denoncimeve, gjurmimit e verifikimit u prangos.
Pas 6 muajve burg në Gjermani, në muajin maj 2004, Idajet Mane Beqiri i maskuar me emrin fals “Hidajet Riza Kuta”, u ekstradua në Shqipëri.
Sepse më parë se Belgjika, Idajeti me 7 emra ishte shpallur në kërkim në shumë shtete, për krimet e mashtrimeve financiare, trafikut njerëzor nëpërmjet vizave për SHBA-BE dhe përfshirje në trafikun e drogës kur ishte kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar.
Pas përfundimit të burgut në Shqipëri, i dënuar 3 vite në dy shkallët gjyqësore, më 3 qershor 2010 drejtësia belge e ridënoi Idajet Beqirin edhe me 4 vite burg, duke i kërkuar drejtësisë shqiptare ta ekstradonte, por ai u arratis në Kosovë, ku qëndroi afro 2 vite i fshehur me 3 emra fals.
Më 24 maj 2012, Idajeti u arrestua në Prizren për llogari të drejtësisë belge, por pas 40 ditësh burg, në vend të ekstradohej në Belgjikë u deportua në Shqipëri, ndërsa në Belgjikë, përveç heqjes së shtetësisë, ka akoma në fuqi dënimin 2 herë nga 4 vite burg.
Ky mashtrues ordiner pra është kallëzuesi i Ilir Metës dhe partneri në krim i Altin Dumanit dhe SPAK-ut, që tregon edhe njëherë botërisht se si është sajuar dosja farsë ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë.
Pezullimi i licencës së avokatit për mashtrim dhe zhvatje nga ana e Dhomës së Avokatisë është një shuplake shume forte ndaj SPAK, që ashtu si Idajet Beqiri, nuk është gjë tjetër veçse thjesht një institucion mashtrues, manipulues dhe montues procesesh të rreme me zero fakte penale, zero dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës për llogari të narkomafias kombëtare dhe ndërkombëtare dhe që vetëm me të tillë mashtrues ordinerë mund të bashkëpunojë kundër opozitës sepse asnjë njeri me integritet dhe dinjitet nuk mund të bëhet palë në të tilla procese të montuara politikisht.