Denion Ndrenika: Diçka nuk shkon me 27 qershorin e SHBA-ve

448
Sigal

Diçka nuk shkon me 27 qershorin e Shtëpisë së Bardhë

 Denion Ndrenika

Ka diçka madhore që nuk shkon në dialogun e shqiptarëve me serbët referuar takimit të pritshëm në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë: kushtet në pabarazi. Për palën tonë kërkohej heqja e taksës dhe mandej reciprociteti. E në atë kohë serbëve nuk u kërkohej gjë. Tash kur ne hoqëm edhe taksë, edhe reciprocitet, na kushtëzohet të mos kërkojmë anëtarësim në organizmat ndërkombëtarë! Ndërkaq serbëve që të ndalin fushatën kundër njohjeve dhe çnjohjeve, ndonëse ata vazhdojnë të festojnë, siç postoi ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq pas Algjerisë. Veç kësaj, temë qenkërka ekonomia, kur themeli i dialogut është politik, (marrëdhëniet), ushtarak, (marrëveshja e Kumanovës, ku Serbia është pala humbëse e luftës) dhe ligjor me të drejtën ndërkombëtare, (GJND edhe pse jo vendim detyrues). E në fund të kthehemi në status quo nëse në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë Uashington nuk do të ketë përparim! I kam shprehur pikëpamjet fare qartë edhe asokohe, madje edhe në gazetën “Politika +” që hapa me kolegun Bledar Kuka vetëm për luftën për çlirimin e atdheut tonë. Sepse Kosova është territori i Shqipërisë verilindore, pra atdheu ynë. Me një rikthim të para fillimit të bombardimeve, Rambujeja përcaktoi mundësinë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, tri vjet më pas duke përfshirë ndonëse pa përmendur fjalën “referendum”, shprehjen e vullnetit të popullit. Vjena ishte jo aq me rëndësi, sepse raporti i Kai Aides i hapi udhën “UNOSEK”-ut të drejtuar nga Marti Ahtisari. Kam qenë kundër idesë së ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj për pavarësi të kushtëzuar dhe padyshim që po edhe kundër tezës përçarëse dhe përjashtuese për Shqipërinë “aktor, por jo faktor”. Besnik Mustafaj dhe kurrkush tjetër nuk ka asnjë autoritet që të shkelë vendimet e Prizrenit dhe veçanërisht të Vlorës. Edhe Bujanit 1943-1944 madje si akti pasues. Pavarësia e Shqipërisë u shpall pikërisht nga të gjithë trevat e saj për shtetin e 28 Nëntorit 1912 e kësisoj vetëm Shqipëria ka të drejtë të flasë për çdo kënd e tokë, për popullin e saj të ndarë. Jam shumë i sigurtë që nuk do të keqpërdoret pa u lexuar çka shkruaj e assesi të keqpërdoret, pasi nuk është gjetur asgjë që të bjerë ndesh me rrugën ku po ecet sot. E kam thënë dhe rithem: shumëkush mendon që pavarësia dhe shtetformimi i krahinës më të rëndësishme verilindore që solli ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Turke, Kosovës, na çon në bashkim. Unë them dhe mbroj idenë se ne nuk kemi bërë kurrë asnjë akt kombëtar që ta hedhë poshtë bashkimin e vendosur në Prizren dhe në Vlorë. Unë vetëm shpreh pikëpamjen mbi çfarë është kërkuar dhe çfarë thotë ambasadori Riçard Grenëll. Vetëm qyqarët mund të mveshin terma idiotë për kinse antiamerikanizëm për të shprehur një pikëpamje. Më duket se ato që thotë ai, janë tejkaluar që nga Rambujeja, Parisi, Kumanova, Vjena, GJND-ja. Pra asnjë fjalë më shumë nuk po them nga pikëpamjet e mia që janë të mbështetura vetëm në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878 dhe Kuvendin e Vlorës 1912. Andaj dua të mësoj të drejtën ose jo për saktësisht çfarë na kërkojnë ne, dhe serbëve. Këtu nuk ka aspak vend për të thënë nëse na do ose jo Amerika, apo si sillet Amerika me investimin e saj. Thjesht ta di nëse duket e drejtë çfarë referoj unë dhe jo çfarë mendoj unë që rrjedh veç nga Prizreni dhe Vlora. Pra, vërehen pabarazi në kërkesat-kushte për Kosovën krahasuar me Serbinë për dialogun. Nisur nga zhvillimet prej së paku Rambujesë, mos ka barazi në këto kërkesa-kushte mes kolonialistëve serbë ushtrues genocidi, shfarosjeje, masakrash ndaj palës tonë? Luftën e fituam ne shqiptarët dhe aleatët. Aleksandër Vuçiqi është humbës. Moti nuk duhej të lejonim që humbësi të barazohet me ne që u masakruam. Serbëve nuk iu kërkua ndonjëherë të tregojnë ku i kanë groposur shqiptarët e masakruar, në ç’vend i hodhën dhe as të dorëzojnë kriminelët e tyre. E në fund një rikthim: përse ka kërkesa për ne, kur ne nuk kemi bërë asgjë kundër serbëve?! Po pse ekonomia e para, kur është politike, ushtarake, ligjore?!