Deklarata/ Edmond Panariti: Buxheti për fermerët, mjeran dhe diskriminues. Të shtunën të gjithë në protestë!

119
Sigal

Anëtari i Kryesisë së Partisë së Lirisë, Edmond Panariti në një deklaratë për mediat ngriti shqetësimin e buxhetit për bujqësinë, që sipas tij është i pamjaftueshëm dhe diskriminues. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se duhet ti bëjmë presion qeverisë që të trefishojë fondet për bujqësinë dhe fshatin.

Shqipëria u shpreh Panariti është kthyer në një kosh të produkteve të importit. Ndërsa bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen nesër protestës për ti thënë jo rrënimit të bujqësisë dhe zbrazjes së Shqipërisë.

“Buxheti i Bujqësisë për vitin e ardhshëm, thellon rrënimin e Bujqësisë dhe përshpejton zbrazjen e vendit. Me kaq para të këtij buxheti mjeran fermeri nuk mund ta kultivojë tokën, nuk mund të mbajë bagëti dhe nuk mund as të jetojë e mbijetojë. Atij thjesht i kërkohet të largohet, ai ftohet të braktisë tokën, vendlindjen, atdheun. Nëse nuk e bën, atëherë ai kërcënohet të taksohet për tokën të cilën nuk mund ta punojë, dhe nuk mund të prodhojë. Ky nuk është largim, por shpërngulje e detyruar. Nga një fuqi rajonale prodhimi dhe e eksportit të prodhimeve bujqësore, vendi po shndërrohet në një kosh depozitash prodhimesh bujqësore të importit. Për ti thënë ndal rrënimit të Bujqësisë, braktisjes së saj dhe zbrazjes së vendit, të gjithë fermerët, prodhuesit agropërpunuesit ti bashkohen protestës së opozitës dhe qytetarëve këtë të shtunë më 12 Nëntor”, tha Panariti.