Deklarata e BE pas miratimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, reagon Rama: 100% në një mendje me Bashkimin Europian!

24
Sigal

Pas deklaratës së delegacionit të BE për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ka reaguar në rrjetin social “X” edhe Edi Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se është në një “mendje me BE”, teksa shton se ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës së vendit tonë ambicioze “për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! *Me vizionin #Shqipëria2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Deklarata e BE: 

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të konvergojë drejt standardeve evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi temat e mbuluara nga acquis e BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në përputhje me kuadrin ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.