Dhunuan për vdekje 18-vjeçarin, gjykata lë në paraburgim dy të rinjtë nga Podujeva

21
Sigal

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të mbajë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë dy të dyshuarit e mitur për vrasjen e një 18-vjeçari në qytetin Podujevës. Përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, Tomë Gashi e ka konfirmuar vendimin e gjykatës për zgjatjen e masës së paraburgimit për dy të akuzuarit.

Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë pas plagëve të rënda që kishte marrë në trup. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “vrasje në tentativë”, e më pas e ka cilësuar si “vrasje”.

Përleshja mes viktimës dhe dy të rinjve të tjerë kishte ndodhur më 15 janar. Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kanë goditur 18-vjeçarin me shkop, duke i shkaktuar lëndime në trup, ku si pasojë viktima ishte dërguar në QKUK ku më pas ndërroi jetë.