Dëgjesat në Lezhë, qytetarët kërkojnë nga Rama ujë, rrugë dhe zgjidhjen e pronës

467
Kryeministri publikon raportin e dëgjesave për qarkun e Lezhës. Kërkohet ndihma e njerëzve të zakonshëm për të shprehur qëndrimet e tyre lidhur me situatat personale
Pothuaj në të gjitha dëgjesat qytetarët kanë të njëjtin mendim. Problemet në Shqipëri janë të njëjta në çdo bashki dhe njësi administrative. Më te theksuara ato paraqiten në zonat rurale. Fshati nga të dhënat e mbledhura në terren gjatë dëgjesave të Kryeministrit është më i diskriminuar, sa i takon ofrimit të shërbimeve. Pasditen e djeshme shefi i qeverisë publikoi të dhënat e grumbulluara gjatë dëgjesave në Lezhë. “Bashkëqeverisje me njerëzit për Shqipërinë që duam”. Nën këtë moto u zhvilluan të gjitha takimet. Raporti i publikuar nga kryeministri Edi Rama, thuhet se është produkt paraprak i turit të dëgjesave publike me qytetarët e Qarkut Lezhë. Është realizuar në tre bashkitë e qarkut dhe njësitë administrative nën juridiksionin e tyre. Janë realizuar 21 dëgjesa publike dhe një sipas raportit i është dedikuar të rinjve. Shqetësimet e ngritura nga qytetarët janë regjistruar të gjitha, por ato sipas të dhënave nga vet zyra e kryeministrit, janë përpunuar në përfundim të punës. Në çdo takim të realizuar bëhet e ditur se kanë qenë të pranishëm një numër mesatar pjesëmarrësish. rreth 150. Në total turi i dëgjesave në Lezhë ka pasur të pranishëm 3200 qytetarë. Problematikat kanë qenë të shumta. Por grupi i punës pranë deputetëve të zonës ka arritur të veçojë shtatë çështje prioritare. 

Në krye të problemave qëndron mungesa e ujit të pijshëm 76 herë, nevoja për investime në sistemin e vaditjes 68 herë, investime në rrugët rurale dytësore 67 herë, problemet mbi pronësinë e tokës dhe mbivendosjen e pronës 59 herë . Po kështu në grupin e problematikave më të shumta futet edhe politizimi dhe keqadministrimi i institucioneve publike 43 herë dhe papunësia 36 herë. Por tabela e publikuar nga grupi i punës së kryeministrisë ka edhe zëra të tjerë për të cilat qytetarët kanë shprehur indinjatën e tyre. Një nga këto ka të bëjë edhe me investimet e pakta në shëndetësi, dypunësimi i mjekëve është një tjetër ankesë e ardhur nga lezhjanët. Tarifat e energjisë elektrike dhe ato të transportit ndërqytetas sipas njerëzve të zakonshëm janë tepër të larta dhe për këtë arsye i kanë kërkuar kryeministrit të vërë dorë duke bërë të mundur uljen e tyre. Bashkitë me problemet më të mëdha sipas raportit paraqiten ato të Rrëshenit dhe Kurbinit. Ndërkohë që fshatrat pothuajse janë të zhytura në varfëri. Investimet në rrugët dytësore në qarkun e Lezhës kanë gjetur vëmendjen e qytetarëve. 
Problemet që janë kërkuar më shumë në 21 dëgjesa
• Mungesa e ujit të pijshëm 76 herë
• Nevoja për investime në sistemin e vaditjes 68 herë
• Investime në rrugët rurale dytësore 67 herë
• Problemet mbi pronësinë e tokës dhe mbivendosjen e pronës 59 herë
• Politizimi dhe keqadministrimi i institucioneve publike 43 herë
• Papunësia 36 herë
Sigal