Damian Gjiknuri : PS  vijimësi projektesh për zhvillimin e fshatrave malore

128
Sigal

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri edhe njëherë siguroi banorët se Gledian Llatja ka mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, “Gledi përfaqëson jo vetëm qytetarët e Elbasanit, por edhe qeverinë, përfaqësuesi i Edi Ramës si kandidati ynë, ka dhe mbështetjen time si sekretar i përgjithshëm i PS, dhe me gjithë këto mbështetje, të gjitha premtimet që Glediani ju tha do të bëhen realitet. Detyra e Gledianit është të bëjë projekte dhe të marrë mbështetje nga qeveria, të administrojë mirë të ardhurat e bashkisë së Elbasanit që janë taksat tuaja”.

Sipas Gjiknurit mbështetja e qeverisë garantohet me mbështetjen e qeverisë së PS dhe mbështetjen e Edi Ramës”. Ai përmendi një sërë investimesh që janë në proces si rrugët e mëdha, shëtitorja në Elbasan, ose Lungo Fiume, si edhe të gjitha ndërhyrjet e tjera, që po ndodhin në bashkinë e Elbasanit.

Duke u ndalur tek fshati, po ashtu Gjiknuri vlerësoi idenë e kryebashkiakut Llatja për ndarjen në dy pjesë të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për të ndërhyrë në mirëmbajtje rruge në kohë “por njëkohësisht ata ‘para’ t’i shkojnë fshatit, sepse fshati ka nevojë më shumë për mbështetje financiare, dhe Gledi gjatë kësaj kohe këtë punë e ka bërë mirë, sepse ka dhënë më shumë mbështetje financiare për zonat rurale. Edhe në buxhet shumicën e fondeve e ka kaluar në zonën rurale”,-tha ai.

Gjiknuri përmendi edhe shumë investime që janë kryer nga qeveria socialiste në Labinot Mal, siç është linja elektrike. ”Ndaj me votën për Gledin si kryetar bashkie, dhe me votën për këshillin socialist investimet do vazhdojnë. Gledi edhe pse nga qyteti është njeri i pastër dhe e ka vëmendjen tek zonat, gjithashtu ka mbështetje PS dhe kryeministrin, ndërsa krahu tjetër nuk ofron asgjë. Thanë do bëjnë revolucion, përfunduan tek oborri i PS. Krahu tjetër nuk ofron asnjë mbështetje, sepse edhe në të kaluarën nuk ka bërë asgjë. Do vijnë do premtojnë se do bëjnë punë, por nuk kanë me kë t’i bëjnë. Zgjedhjen e kemi shumë të pastër, shumë të qetë, por duam mbështetjen edhe tuajën për të bërë të mundur premtimet që kryetari i bashkisë ju bëri. Por mos harroni, se do të keni edhe mbështetjen time si deputet i zonës suaj. Jam këtu që të jap angazhimin tim se të gjitha premtimet do të bëhen realitet”, -përfundoi Gjiknuri.