Damian Gjiknuri: PS-ja i ka dhënë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim

150
Sigal

 

  Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili fajën qeverinë aktuale për krizën energjitike në vend. Përgjigjia e plotë: Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll ndonëse gjithësecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes. Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin. Investuam mbi 600 milion euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kapacitetet gjeneruese? Mjafton që kushdo të hapë raportin e ERE-s për vitin 2013 dhe ta krahasojë me raportin e vitit 2021. Kishim 1,878 MË kapacitete të instaluara publike/private ndërsa sot kemi 2,605 MË mes të cilave edhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike.

Dy fjalë dhe për gazin. Sali Berisha nënshkroi një kontratë të pa favorshme ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar. Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar. Kompania Albpetrol aplikoi menjëherë në 2014 për të rezervuar kapacitetet e gazit. Nuk kishte një sasi të disponueshme gazi sepse ajo ishte e rezervuar tashmë që në 2013 nga vende të tjera të cilat kishin ditur të negocionin më mirë se qeveria e Sali Berishës. Ndonëse të vendosur në kushte të pafavorshme nga kontrata e trashëguar e Sali Berishës, në arritëm të siguronim nga TAP një paketë prej mbi 80 milion euro përfitime shtesë mes të cilave rritjen e investimeve në komunitetet ku kalonte tubacioni, asistencën teknike në sektorin e gazit natyror dhe ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së TAP në fazë operacionale nga pala shqiptare përmes Albgaz.