Damian Gjiknuri në Shkup: Takime të frytshme, diskutime për situatën politike dhe rritjen e ndikimit të BE në rajon

118
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka marrë pjesë në Forumin Socio – Ekologjik, i pari forum i nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor – me temë “Një transformim i drejtë për një Europë të vetëmjaftueshme me energji”. Në panel Gjiknuri ishte bashkë me Presidentin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z.Martin Schulz; kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti; kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski; ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, znj. Ann Linde dhe eksperten e energjisë, znj. Hristina Spasevska.  “Sfida jonë dhe e mjaft vendeve Europiane sot është zbatimi i politikave ekonomike të bazuara në energji të pastër dhe të gjelbër. Progresi i Shqipërisë në këtë drejtim qëndron në diversifikimin e burimeve të energjisë; përveç energjisë nga hidro, shtimi i kapaciteteve për burime gjenerimi nga dielli, era etj; si dhe për një konektivitet më të mirë në rajon. Nuk mundemi të kërkojmë klimën e shekullit të XIX me mënyrën e jetesës së shekullit të XXI.” ka deklaruar numri dy i PS, Gjiknuri. Ndër të tjera drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit shprehet se gjatë qëndrimit në Shkup ka zhvilluar një takim me zv.presidenten e PES (Partia e Socialistëve Europianë), Radmila Šekerinska.  “Situata politike në të dyja vendet tona, si dhe fuqizimi i rolit të vendeve të Ballkanit në arenën ndërkombëtare, bashkëpunimi dhe mbështetja e PES në përshpejtimin e procesit të integrimit të BP në BE, ishin disa prej temave” deklaron Gjiknuri.