Çfarë fshihet pas projektit: ‘Mandati i Parë për Lindën, i Dyti për Olsin, i Treti për Zahon?!

631
Sigal

Edi Rama ka hyrë në mandatin e Tretë, por nuk po duket edhe aq i kënaqur dhe i qetë.

Ai ka deklaruar se këtë 4-vjeçar në vazhdim, e do për Zahon i cili është ende fëmijë, ndërkohë që duket se “i ka mbyllur hesapet” me bashkëshorten Lindën dhe familjen pak më të gjerë, që përfaqësohet nga i vëllai Olsi.

Mandati i Zahos nënkupton finalen, kopsitjen e e çdo prone shtetërore apo jo dhe me vlerë nëpër gjithë vijën bregdetare nga Konispoli në Velipojë. Mbylljen e planit të “Korporatës së investimeve strategjike”, e cila do të sistemojë e tjetërsojë për 35-90 vite, apo edhe përgjithmonë, çdo gjë që nga ngelur nga pasuritë e këtij vendi.

Pikërisht për faktin se “mandati për Zahon” është finali dhe ai që do të sigurojë ndër breza dinastinë Rama, është edhe më i vështiri.

Mjaftojnë dy të parët që kutërbojnë korrupsion galopant dhe krim të organizuar si hibrid me shtetin e tij, që “katërvjeçari i Zahos” të hidhet në erë fare lehtë.

Edhe nga ç’thurja e një fijeje të vetme në rrjetën-skemë!

Ndaj në këtë shkrim nuk do të merremi me “mandatin e Zahos”, sepse nëse një ditë drejtësia do të funksionojë siç kanë premtuar amerikanët, me shumë gjasa ai do të mbyllet, si “Mandata e Edi Ramës”.

“Mandati i Lindës”

Pallate, apartamente, prona, toka në zona të ndryshme të Tiranës, por edhe jashtë saj.

Nuk është pasuria e ndonjë biznesmeni të madh, por e bashkëshortes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili rezulton burri i tretë-bankë për të.

Është pasuria e dyshimtë e Linda (Lindita) Ramës, gruas-bankë të Edi Ramës i cili edhe ky nga ana e tij e ka të paktën të tretën në radhë.

Por si e ka bërë gjithë këtë pasuri Linda Rama, ish-gruaja e një pedagogu të Fakultetit të Shkencave dhe më pas e një biznesmeni, që tani përfiton pa limit nga qeverisja e Edi Ramës?!

Si e ka ndarë Linda Rama pasurinë e saj përgjatë divorcit të mëparshëm, me Thanas Xhillarin dhe Ylli Çabirin, ortakun e saj, tani klient i kryeministrit?!

Çfarë prike ka sjellë Linda- nuse për herë të tretë në xhepin e Edi Ramës, i cili për sarajet e Surelit njëherë thotë se i ndërtoi me paratë e emigracionit, pastaj harron dhe thotë se i ka “pajë” nga Linda?!

Shikojeni e studiojeni këtu me shifra, fakte dhe dokumente (https://www.syri.net/politike/134530/dokumentet-si-i-ndau-linda-rama-pronat-me-dy-ish-burrat-e-meparshem/)

Në një përmbledhje trash e trash, Linda Rama, në bashkëpronësi ka pasur 5 shtëpi (secila mbi 100 metra katrorë), 4 sipërfaqe toke dhe 3 garazhe.

Sipërfaqja e 5 shtëpive të banimit rezulton 610,62 metra katrorë. Nëse do ti referoheshim çmimeve të banesave, vlera e tyre do të ishte rreth 1,2-1,3 milion euro.

Sipërfaqja totale e tokës rezulton rreth 6000 metra katrorë, me një vlerë prej rreth 600 mijë euro.

Kurse vlera e 3 garazheve do të shkonte rreth 100 mijë euro.

Pra në total vlera e pasurive të paluajtshme të Linda Ramës rezulton të jetë rreth 2 milion euro.

Në këtë vlerë nuk përfshihet vlera e pasurisë së paluajtshme, e krijuar gjatë këtyre viteve martese me Edi Ramën.

Shtrohet pyetja për çdo qytetar të thjeshtë:

Gjatë periudhës pas vitit 1990, a ka qenë e mundur që me një pagë shtetërore, Linda Rama të grumbullonte një pasuri të paluajtshme në vlerë rreth 2 milion euro?!

Kjo vlerë do të thotë që vetëm kursimi i lënë më mënjanë për të blerë pasuri të paluajtshme ka qenë rreth 100 mijë euro në vit, ose rreth 8 mijë euro në muaj.

Sa duhet të ketë qenë paga e Linda Ramës për të pasur mundësi të kursejë 8 mijë euro në muaj? Për 20 vjet rresht, apo për 250 muaj?

Por vetëm 3 vite pas ardhjes në pushtet të burrit, më 2016, Linda Xhillari tashmë vetëm me mbiemrin Rama, do të bënte goditjen e madhe.

Bashkëshortja e kryeministrit nga “biznesi i burrave” dhe OJF-ve, kalon te bankat.

Lindita Rama apo siç njihet ndryshe si Linda Rama u emërua “papritur” në Këshillin Drejtues të “ABI Bank” (Banka Amerikane e Investimeve). Sipas dokumenteve të rrjedhura në media, znj. Rama është emëruar në këtë detyrë që prej fillimit të vitit 2016 dhe mandati i saj do të zgjaste, deri më 7 janar të vitit 2020.

“Arsyet e hapjes së çështjes: Depozitim i Rezolutës Nr. 64, datë 07.01.2016, ku është vendosur emërimi i z. Richard Lukaj dhe zj. Lindita Rama si anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues”, thuhet në Regjistrin e Binzeseve, referuar emërimit të Linda Ramës në Këshillin Drejtues të “ABI Bank”, shkruhet në dokumente të publikuara nga kjo bankë e cila që atëherë pati një ekspansion të paparë.

Pasi u bë “gjysma e kryeministrit”, znj. Rama u larguar nga jeta publike për tu shfaqur, herë pas here, vetëm në darka private me gazetaret e preferuara.

Por sa më shumë ju shmanget prozhektorëve, aq më aktive rezulton në hijet e pushtetit dhe të çdo gjëje që ndodh sidomos me biznesin dhe ekonominë në këtë vend.

Nuk dihet nëse ishte e para kjo bankë e re e krijuar nga burime financiare hermetike që zgjodhi Linda Ramën për shkak të bashkëshortit-kryeministër, apo ishte Linda që zgjodhi “ABI Bank”, për ta ndihmuar me “eksperiencën” e saj.

Por “ABI Bank” nuk ju ngjan të tjerave. Ajo rezulton në pronësi të një kompanie financiare të quajtur “Tranzit”, e cila është themeluar më 30 mars të vitit 2009 si investim i dy kompanive të huaja dhe një shtetasi shqiptar. Pronarët e kompanisë “Tranzit”, e cila ka në pronësi “Abi Bank” janë: NCH Balkan Fund, L.P dhe Neë Century Holdings XI, L.P.

Dokumentet tregojnë se pronarët indirekt të “ABI Bank”, janë regjistruar në një zonë Offshore. Kështu NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, Neë Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711.

Pra pronarët e vërtetë dhe burimi i parave që themeluan këtë bankë janë sekret, edhe sot e kësaj dite përndryshe nuk kishin pse fshiheshin në offshore.

Ajo që dihet është se bashkëshortja e kryeministrit u tërhoq nga Bordi, por ndërkohë ky institucion financiar në bashkëpunim me shtetin i ka parakaluar të gjithë të tjerët që operojnë në këtë fushë për dekada në Shqipëri.

Në vitin 2019 në media dolën indicie për një hije skandali në qytetin e Elbasanit, i cili në prapavijë kishte kryeministrin Edi Rama dhe bashkëshorten tij, Linda Rama.

Në atë kohë në adresën e “Syri.net”, mbërriti një denoncim që bënte fjalë për një investim “të huaj” rreth 15 milionë euro.

Investimi që u bë nga aktorë shqiptarë në bashkëpunim me kompaninë franceze “Delmon Group”, çuditërisht kaloi në heshtje nga qeveria (apo qoftë edhe bashkia e Elbasanit) e cila nuk harron që të reklamojë edhe investime qesharake.

“Ertjan Ylli Cabiri, në bashkëpunim me kompaninë franceze Delmon Group ka bërë një investim prej 15 milionë eurosh në Elbasan. Kanë hapur një fabrikë për prodhimin e pjesëve të këmbimit plastike për automjete. Interesant Rilindja që inaguron edhe një lulishte me investim 12000 euro, po mban në heshtje totale këtë alamet investimi! Vallë Linda, gruaja e katërt e kryeministrit, të ketë ndihmuar djalin me nënë tjetër të ish burrit të dytë të saj?!”, shkruante qytetari në denoncimin e tij. Lajmi u raportuar edhe në mediat franceze, por për piarin e Ramës nuk duhej të shfaqej për publikun shqiptarë!

Këto janë disa copëza nga “mandati i Lindës”, por të mos harrojmë gjithashtu lidhjet direkte të saj me oligarkët kryesorë të vendit që marrin çdo koncesion dhe punë publike, troje të pantundshme e “investime strategjike”, tashmë nuk janë sekret.

Zonja Linda ka hobi edhe emërimet e zëvendësministrave e të drejtorëve në sektorë me bereqet, apo edhe arredimet.

Nuk ka zyrë kryesore të shtetit, që nuk investohet e kompletohet pa “konsulencën” e saj dhe të firmave pranë saj.

Edi Rama, sa herë që i jepet mundësia thotë se, Linda Rama është gjysma e tij. Tani imagjinojeni vetë, se çfarë “vlere” ka gjysma e asaj që përfaqëson Rama gjatë këtyre 8 viteve dhe në vazhdim!

“Mandati i Olsit”

Kushdo shqiptarë pa përjashtim, le ta vërë veten në këtë pozitë:

Të jesh në SHBA, i rregulluar me gjithë të mirat. Me nënshtetësi dhe një punë si doktor në një spital të Bostonit dhe papritur të kthehesh në Shqipërinë nga kishe “ikur natën”.

Çfarë mund të kishte ndodhur që do të detyronte të bëjë këtë kthim gjigant prapa, përveçse një halli apo okazioni të madh?!

Për Olsin, vëllanë e vetëm të Edi Ramës, kishte ndodhur kjo e dyta; okazioni që vjen vetëm njëherë në jetë. Vëllai i madh u bë kryeministër i Shqipërisë!

Gjithsesi pasi u kthye, vëllai i kryeministrit për 4 vite rresht nuk kapi punë me dorë në atdhe, deri në qershor të vitit 2018 kur i shumë-njohuri Gaz Demi e bëri drejtor të ekipit të Partizanit pasi po binte shumë në sy si “i papunë”.

Katër vite pa punë në dukje të parë, por ende pa ngrohur mirë kolltukun e kryeministrit vëllai i madh, Olsit i doli emri si “i punësuar” në një nga rrjetet më të mëdha të trafikut dhe përpunimit të kokainës.

Goditja e laboratorit të kokainës në Xibrakë në vitin 2014, shkaktoi një tërmet të madh. Pinjollë e bashkëpunëtor të ish-Bllokut me gjithë nipin e Enver Hoxhës ishin organizuar dhe menjëherë pas ardhjes së Ramës në pushtet, themeluan një nga korridoret dhe laboratorët më të mëdhenj për kokainën e Amerikës Latine dhe Qendrore.

Por shërbimet inteligjente gjermane ndërhynë me urgjencë pas përgjimeve të shumta, vetëm për faktin se policia shqiptare po sabotonte operacionin. Ndaj ajo goditje, ka mbetur përgjysmë si hetim dhe procedim final penal.

Ndaj edhe i përdoret shpesh Edi Ramës si shantazh nga njerëz që kanë patur dijeni të plotë, duke nisur me Saimir Tahirin e deri te figura të prokurorisë që e kalojnë vettingun pa problem.

“Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. Është një absurditet i radhës. Janë sajesa, unë nuk kam lidhje. As me punë tenderash, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, foli për herë të parë dhe të fundit Olsi Rama për këtë çështje.

Dhe ku; në “Rubrikën Sportive” në TVSH-në e drejtuar në atë kohë nga miku i tij Thoma Gëllçi që gjithashtu braktisi Bostonit sepse Shqipëria e Edi Ramës ishte bërë “Amerikë”.

Pra në të vetmen herë që foli për “Xibrakën” dhe rolin e tij si sekser tenderash, Olsi që la qytetin-SHBA për fshatin-Shqipëri, të vetmen gjë që sqaroi ishte se këto janë llafe fshati!.

As thirrje drejtësisë së re, që ta çojë deri në fund dosjen “Xibraka” dhe ai të shpëlajë nderin e prekur nga opozita që e akuzon sistematikisht dhe as thirrje për publikim të plotë, të përgjimit gjerman.

Në një shkrim-dosje të datës 3 Gusht të publikuar në gazetën “Le Monde”, (https://rs.n1info.com/english/news/le-monde-in-the-balkans-gangs-at-heart-of-state-system/), zbërthehej implikimi i vëllezërve të presidentëve të Serbisë dhe Malit të Zi, Vuçiç dhe Gjukanoviç (Dy miq të ngushtë përtej politikës të Edi Ramës) në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe organizatave të frikshme kriminale.

Po roli i Olsi Ramës (nëse ekziston siç akuzon opozita) si “shef i infrastrukturës ndihmëse” në çështjen, “Kokaina e Xibrakës”, e cila u godit por sipas shumë burimeve konfidenciale vazhdon më e sofistikuar dhe e mbrojtur më mirë, a do të zbardhet një ditë?

 

Gjithsesi në shtator nis zyrtarisht edhe “Mandati i Zahos”, të presim si do shkojë!