“CEZ-i ka falimentuar, qeveria e mban në këmbë në mënyrë të paligjshme”

509
Sigal

INTERVISTA/ Flet deputeti i PS- së, Ilir Bejtja:”Manipulohen statistikat dhe deklarimet zyrtare lidhur me situatën ekonomike”

Deputeti i PS-së, Ilir Bejtja, në intervistën për “Telegraf” pohon se qeveria, manipulon statistikat për situatën ekonomike, duke përmendur që borxhi tashmë i ka kaluar kufirin kushtetues të 60 %, ndërsa qeveria deklaron që borxhi është më pak. Ndërsa politikën që ndjek qeveria ndaj CEZ-it, e cilëson një “Turp”, pasi CEZ-i, sipas zotit Bejtja, ka falimentuar, ndërsa qeveria i jep akoma miliona dollarë nga taksapaguesit shqiptarë. Zoti Bejtja argumenton përse PS-ja e ka filluar programin e saj ekonomik nga biznesi i vogël, pasi këtej sigurohen të ardhurat më të mëdha dhe vendet më të shumta të punës.

– Zoti Bejtja, nuk po arrijmë të kuptojmë realitetin ekonomik, pasi të tjera shifra jep maxhoranca dhe të tjera shifra përmend opozita. Mund të na jepni një rezyme të ekonomisë shqiptare?

– Çështja është se në mënyrë të turpshme vazhdohet dhe manipulohen statistikat dhe deklarimet zyrtare lidhur me situatën ekonomike. E vërteta është se ekonomia shqiptare është në ditët e saj më të vështira të kohëve normale. Ritmet e rritjes ekonomike kanë rënë nën 2%, kosto e borxhit publik i kanë kaluar të 4.5% të GDP dhe vetë borxhi publik është përtej kufirit kushtetues prej 60%, dhe është borxhi me i lartë në rajonin e Ballkanit dhe mbase më i larti në grupin e vendeve në  botë, që konkurrojnë mbi bazën e konkurrueshmërisë në përdorimin e faktorëve të prodhimit. Ndërkaq, inflacioni vazhdon të mbetet pranë kufirit të 4% dhe ajo që është akoma më e rëndë, sektori privat po njeh kohët e horrorit të tij, me bllokime të zgjatura kohore në Cash Flovv dhe pamundësi për të shlyer detyrimet e tij, si ndaj shtetit, ashtu dhe ndaj sistemit financiar. Koagulimi ekonomisë nga shkëmbimet klering është bërë tashmë i rëndë dhe duhet ndërhyrë me urgjencë, për të mos rënë në një kolaps fatal. Në sektorin publik ka filluar paralizimi si fillim në pushtetin vendor, si më fraxhile dhe ka një tendencë galopante në rritje, për t’u përkeqësuar edhe në qeverisjen qendrore, me pamundësi likuiduese dhe mos realizim investimesh publike në sektorët strategjike. Kriza nuk është përreth Shqipërisë e na ftoh krahët apo shpinën, por është ulur këtu mes nesh dhe është duke na mbytur e duke na paralizuar.

– Përse qeveria mundohet që me akt normativ ta kalojë bllokimin e fondeve të bashkive për të paguar borxhet që i kanë këto CEZ-it?

– Është një akt normativ që do të kishte kuptim nëse sjellja e qeverise me menaxhimin e ujësjellësve të kishte qenë konstante. Por ajo, herë e merr në dorë vetë këtë menaxhim, herë e transferon tek qeverisja lokale, por duke i transferuar çdo herë edhe problematikën që ka krijuar vetë, nëpërmjet administrimit katastrofal të buxhetit të këtyre ndërmarrjeve. Mjafton të kujtojmë blerjen abuzive të hidrocentralit dhe ujëmbledhësit të Lanabregasit nga ana e Bashkisë së Tiranës, me urdhër të Sali Berishës dhe shumë idiotësi të tjera të këtij soji, pa dashur me thënë vjedhje e hapur e fondeve lokale nga qeverisja qendrore, për të vërtetuar që nuk është halli tek CEZ-i, por tek pamundësia e menaxhimit të borxhit publik, që ka kohë që mbahet “në vend numëro” nga qeveria, gjoja 59.4%, duke i rënë në qafë pushtetit lokal dhe duke i hequr nga buxheti për shërbime publike për qytetarët plot 12 milionë Euro. Ndërkaq, CEZ- i detyrohet KESH-it 118 milionë US Dollarë dhe askush në qeveri nuk mendon se mund të bëhej një zbritje e “borxhit të ujësjellësve” në këtë borxh, që CEZ-i duhet t’i paguajë shtetit shqiptar. Është gjithashtu e turpshme ta mendosh një sjellje të tillë të qeverisë, kur në parlament, në datë 18 tetor 2012, Ministri Bode deklaroi se, jemi duke e prishur dhe mbyllur kontratën me CEZ-in, si një sipërmarrje që tashmë e ka shpallur falimentimin dhe mossuksesin e saj. Atëherë, pse duhet me i dhënë para të tjera të çmuara për pushtetin lokal këtyre dështakëve? Për sakrificat që kanë bërë në Shqipëri, duke e shkatërruar më keq sistemin energjetik shqiptar?Apo, për të ndarë së bashku, me pushtetarët, disa para të tjera të shqiptarëve? TURP!

– Ju këtë përpjekje të qeverisë, në ndihmesë të CEZ-it, si mund ta cilësoni? PS-ja, a e ka të qartë përse qeveria është kthyer në një menaxhuese e CEZ-it?

– E përsëris, VJEDHJE të parave publike në favor të CEZ-it dhe bashkëpunëtorëve të tyre në qeverinë shqiptare.

– Politikën e qeverisë që të detyrojë KESH të marrë kredi 100 milionë dollarë, për të importuar energji elektrike, për llogari të CEZ-it, e shikoni të ligjshme?

– Një tjetër papërgjegjshmëri që nuk e kuptoj sesi mund të ndodhë, kur tashmë mjafton vetëm “një mollë” për ta mbytur anijen e ekonomisë shqiptare. Niveli i borxhit ka vetëm një destinacion, të tejkalohet përsëri përtej nivelit “të palëvizshëm” prej 59.4%. Është totalisht e paligjshme.

– Cili është qëndrimi politik i PS-së ndaj CEZ-it? Duhet t’i hiqet licenca, sikurse bën fjalë edhe ERE?

– Tashmë CEZ-i ia ka hequr të drejtën e kësaj licence vetes dhe vetëm qeveria shqiptare e mban në këmbë me veprime antikushtetuese e të paligjshme si këto të ditëve të fundit. Duhet të ndërpritet kjo farsë korruptive sa më parë e të ndërhyhet për sistemimin e situatës energjetike. Njëkohësisht, fajtorët për këtë situatë duhet të përgjigjen para ligjit.

-Derisa PS-ja bën fjalë për një ekonomi të rrënuar, sa mundet, njëkohësisht, rimëkëmbja e ekonomisë do të rinisë nga heqja e taksës të biznesit të huaj?

– Mund të rinisë po aq sa çdo hap tjetër që ne do të ndërmarrim, sapo të vijmë në pushtet. Hapat tonë do të prekin të gjithë ekonominë shqiptare për ta nxjerrë atë nga apatia.

– PS-ja bën fjalë për një  ekonomi të ” Tokës së djegur”, por  jep premtimin e një rilindje kombëtare të ekonomisë, a është e bindur se ekzistojnë fondet financiare të domosdoshme?

– Të jemi nikoqirë tashmë bizneset shqiptare e kanë mësuar për shkak të krizës që na ka pllakosur. Dhe me këtë ndjesi e filozofi bashkëpunimi me të gjithë faktorët ekonomikë, politikë e socialë në treg, si edhe duke zhdukur drejt zeros absolute taksën e korrupsionit, besojmë dhe kemi gjithashtu qartësinë e nevojshme për të mbjellë me farë të re zhvillimi tokën e djegur nga Berisha në këto vite të “qeverisjes” së tij.

– Në takimin e Edi Ramës me përfaqësues të biznesit të madh, nga ata u theksua se PS-ja nuk është e qartë me shpjegimin e teorisë ekonomike të ” Taksës progresive”. Mund të na shpjegoni, me fjalë më të kuptueshme, çfarë është taksa progresive dhe përse PS-ja kërkon ta zbatojë?

– Taksa progresive lidhet me të ardhurat personale ose TAP, siç quhen ndryshe, në terminologjinë tatimore si edhe me dividentet dhe fitimin e shpërndarë për ortakët. Pra jo me fitimin e ndërmarrjeve. Në këtë aspekt, ajo që ne duam të ndryshojmë është vënia në kushte të barabarta tatimore, si ata që marrin më pak të ardhura personale dhe ata që marrin më shumë. Në fund të fundit, janë të gjithë të barabartë në garantimin e jetesës së tyre, si para zotit, edhe para ligjit.

– Faleminderit!