Majlinda Keta: “Partitë politike nuk respektojnë barazinë gjinore”

499
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish- Kryetarja e FGSSH-së: “Demokracia në PD-PS, edhe në raport me Forumet e Gruas, është në rënie”

Sot mbahet Kongresi i Gruas të Socialistëve. Ish- kryetarja e kësaj organizate, zonja Majlinda Keta, në intervistën për “Telegraf”, shpreh hapur kritikat e saj, “për  ato që duhet të shprehemi dhe vlerësojmë … që të mos pësojmë”. Zonja Keta argumenton se, si fryma demokratike e mendimit dhe e debatit në forumet e FGSSH-së ka vdekur dhe kjo për shkak të revanshit  të Kryetarit dhe i të  “urdhëruarave” prej Kryetarit rishtar për të shkatërruar çdo normë dhe komunikim demokratik brenda tij”. Urimi i ish-kryetares së FGSSH-së, Majlinda Keta, për kryetaren e re  është: “… vetëm HESHTANAKE të mos jetë, të personifikojë gruan e fortë, me virtyte morale dhe të suksesshme në modelin jetësor familjar, profesional dhe politik”.

– Kongresi i Gruas çfarë përfaqëson  për ish -Kryetaren e FGSSH të PS-së së 2005- s? Jemi 6 vjet pas dorëheqjes tuaj (pas së cilës nuk morëm vesh se kush e drejton Forumin),  ndërkohë që, bëhet një Kongres për elektoralin e  2013-të, si i vlerësoni?

– Mbajtja e Kongresit të Gruas Socialiste duhet të jetë një ngjarje shumë për t’u vlerësuar në aspektin përmbajtësor të alternativës socialiste këtë prag viti elektoral. Përmes cilësisë së punimeve të tij PS-ja ka shansin të japë një model premtimi elektoral për barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas për mbarë shoqërinë shqiptare. Modeli i suksesshëm i mbrojtur përmes një platforme që paraqet objektivat e një Plani Veprimi Kombëtar dhe fazat e zbatimit të tij kohor e financiar  do të ishte shprehja përgjegjshmërisë së kësaj force politike për të drejtat e njeriut,  por edhe ndaj rëndësisë që ka për ne përfshirja e gruas, barazia gjinore për zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Kongresi i Gruas vjen pas Asamblesë Kombëtare për Platformën e zgjedhjeve 2013, uroj që ai të bindë votueset femra, që, tek angazhimet që do marrë kjo alternativë, është rruga me e sigurt e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë. Më vjen mirë që ju  ekzaktësuat 2005-n, pasi ky vit për PS-në do të mbetet në histori edhe si viti prej së cilit morën kthesë regresive standardet demokratike në PS dhe revanshi i Kryetarit dhe i të  “urdhëruarave” prej Kryetarit rishtar për të shkatërruar çdo normë dhe komunikim demokratik brenda tij. Rezistenca dinjitoze, statutore dhe institucionale  e FGSSH-së ishte pararoja e tendencave dhe lëvizjeve për mendimin ndryshe në PS dhe në 3 dorëheqjet e para institucionale,  ndaj Kryetarit Autoritarist dhe jashtinstitucional, 2 ishin nga gratë e Forumit.  Në cilësinë e Kryetares së tij, që denoncova frymën antidemokratike të z.Rama,  kundër pavarësisë  dhe funksionimit statutor të FGSSH-së dhe e dyta ishte juristja e nderuar Zamira Caka,  që pasi drejtoi një proces elektoral të brendshëm në parti, nën një parim të madh, por që u uzurpua nga shkeljet dhe vjedhjet e listave dhe votave,  të cilat fuqishëm u denoncuan nga kjo zonjë dhe Mark Nikolli, një emblemë e ndershmërisë së statutit dhe mandateve në PS. Më pas, u bashkuan drejtuesit e FRESH-it, duke shënjuar ekzaktësisht ndryshimin e filozofisë së funksionimit të Partisë me 2 Forumet vlerore të së ardhmes së saj. Në 6 vite u realizua regresi, ku nga Forume që guxonin mendimin rigjenerues, alternativ dhe konkurrues në dobi të alternativës socialiste edhe në opozitë, ato ekzistonin a vepronin sipas oreksit dhe cilësisë përshtatëse me “reformat” e Kryetarit, që herë i detyronte të kalonin ylberin, herë i detyronte të fluturonin përtej të majtës dhe të djathtës, për të ardhur tek ngjarje të shëmtuara antidemokratike, si ato të zgjedhjeve të grave socialiste në Sarandë apo të FRESH-it në Kavajë e Korçë. Midis fillimit të mendimit se çfarë duhet të jetë ky Kongres, asaj që ndoqa nga infot mbi Asamblenë dje dhe ngjarjeve të fundit më lind e drejta të pohoj se Kongresi do të jetë farsa e radhës e atyre që sot kanë uzurpuar lidershipin e PS-të në rrugën e antidemokratizimit dhe fuqizimit të autoritarizmit në Partinë e Ramës. Farsë e cilësova edhe ftesën telefonike nga zj. Gjermeni që më kujtonte se në cilësinë e ish- Kryetares jam delegate në Kongres. Kjo lloj qeverisje politike e PS-së, jo e qëndrueshme në referim vlerash e qëndrimesh, ndaj statutit, forumeve dhe kontributorëve në vite mund t’i shërbejë zhvillimit të paqëndrueshëm të shtetit dhe vendit dhe kurrë atij kriteri minimal që do fuqizonte gratë në pjesëmarrje e vendimmarrje në vend.  Kongreset pa balance dhe analiza nuk i shërbejnë askujt, jo më PS-së dhe Forumit këto prag elektoralesh.

– Ajo çka vërejmë, është fakti i mungesës së figurave femërore si pjesë e mendimit ndryshe ose alternativ me Kryetarët e 3 partive të mëdha.  Për më tepër nuk mundim të shënojmë asnjë diskutim të grave brenda partive që të ketë frymë kritike. Si e shpjegoni zj.Keta?

– Demokracia në 2 partitë e mëdha, edhe në raport me Forumet e Gruas, është në rënie, ndërsa më pozitive, me performancë progresuese shfaqet tek LSI-ja. Fakti që edhe kur dështon politika, gratë brenda partive të mëdha nuk shprehen me mendim kritik, nuk tentojnë të bëjnë analiza në forume e të ndërtojnë platforma të përbashkëta për integrimin europian, janë tregues i pastër i metamorfozës antidemokratike në jetën e brendshme të tyre dhe standardeve debulante, karakteriale të përshtatjes së grave në parti me BURRAT e GERDEC-Politikës  për çdo problem në vend, përfshirë këtu edhe ato të integrimit. Edhe kur dalin për probleme të integrimit,  ato dalin si burrat, me pozicione frengji, për t’i gjuajtur kundërshtarit politik, pa konsideruar kurrë se po humbin terren, në mbështetjen në bazën politike, për më tepër, në anëtarësinë, militantizmin apo simpatitë politike të grave. Për mua, gratë e politikës në vijë të parë. në këto 7 vite shumë domethënëse të proceseve dhe fazave të integrimit europian. Nuk prodhuan asnjë model alternativ, me politikën larg dialogut, kompromisit dhe bashkëpunimit të prodhuar nga burrat e politikës. Meqenëse në maxhorancë janë këto të fundit, le të themi se edhe gratë nuk ju larguan Gërdec-politikës së papërgjegjshme, pa parime komunikimi dhe bashkëpunimi.

– Në jo pak ngjarje dhe aktivitet politik të PS-së për këto elektorale  2013-të shihet një indiferentizëm i elektoratit dhe rënie e optimizmit karakteristik të së majtës socialiste  pas 7 vjet pushtet të konsumuara prej Berishës.

– Datimi i kësaj cilësie të të bërit politikë, që konstatohet nga ju, është tregues i pastër i paqartësisë në orientimin që PS-ja ka në përfitimin nga mundësia elektorale e radhës për t’i dhënë vendit një alternativë më të sigurt për integrimin europian. Ashtu si ju, kam parë takime të Ramës në rrethe, nën një auditor burrëror, ku vetëm dëgjohet dhe nuk dialogohet. Kur nuk komunikon si mund të bindësh votuesit për epërsitë e tua? Kam ndjekur Forumin e grave në X rreth, apo gratë politikane brenda PS-së,  në ditën kur Shqipëria intelektuale dhe patriote rënkonte nga dhimbja e fenomenit “Ajshe”,  ku HESHTJA për të dialoguar dhe cinizmi për të mos ju referuar, nuk mund të mos mbjellë pasiguri dhe paqartësi për votueset femra. Nuk bëhet politikë kur do Kryetari, kur të jep letrën e shkruar për ta lexuar para medias, apo kur kemi ditë parlamenti.  Ky është manekinizëm politik, jo shërbim përmes politikës. Politika dhe politikani flet në vendin dhe në kohën e duhur për problemin publik, apo politik. Si mund të ngjallësh optimizëm, kur nuk i vë në konsideratë njerëzit me hallet e tyre, kur nuk ndjek shpirtin e tyre në të mirë e të keq, kur hyn në salla takimesh dhe nuk komunikon me asnjë, veçse me podiumin prej ku flet si gjenerali ushtarëve………dhe në ikje të pranishmit fillojnë analizën me “nuk na dha as dorën”… Në se ke gjeneruar dhe vazhdon të gjenerosh arrogancë në mbledhje kryesie, grup parlamentar, takime politike, nuk mund të presësh optimizëm publik për forcën, qoftë ky  shënjuar edhe si fenomen psikologjik i sjelljes socialiste në vite.

– Ndërkohë kemi 2 grupime të reja politike FRPD dhe AK që shprehen të hapura për koalicione “anti-berishë” pra të mundshme dhe me PS-në. Si i gjykoni këto gjendje si një grua në politikë?

– Nga Asambleja me dyer të mbyllura dhe kyçje të sinjalit celularik, ndërsa ne po bëjmë intervistën tonë nuk po marrim ndonjë sinjal nga “pashallarët e PS-së”,  por në potencë referimi si koalicion “Antiberishë”, e ul shumë reputacionin e angazhimit të forcave politike përballë një viti vendimtar për fatet tona europiane. Raporti i fundit i progresit, statusi i kushtëzuar me provë elektoralet 2013-të në standardet e tyre të zhvillimit janë akuza të rënda për të gjithë politikanët aktivë deri më tash  pa ndarë asnjërin. E lexuar kështu koalicioni i hipotetizuar do të ishte minimizim i deklaruar i përgjegjësive që atyre ju presim të ushtrojmë.  Nga ana tjetër, ju i referoheni disa deklaratave konkrete e për këtë më duhet të pohoj se përpara se ky të shihet instrument zgjidhës partitë e vjetra dhe 2 forcat e reja le të tentojnë që përmes frymës së platformave konkurrente brenda të zgjedhin liderë jo me këto objektiva minimaliste, afër pazareve dhe sferave të konkurrencës së biznesit politik. Kështu do të shpëtojë politika e madhe shqiptare nga biznesmenët e pandershëm dhe me motive antikombëtare që e shesin dhe “Politika Shqiptare” siç shesin e blejnë gjithë pronat e shërbimet publike.

– Që do të thotë se përshkruani një një situatë, po ofroni një rrugëzgjidhje pothuaj të pamundur pasi kemi hyrë në vitin elektoral!? Po gratë socialiste, që sot bëjnë bilancin e tyre, ku i shihni?

– Unë ofroj të mundurën për ato forca politike që ekzistojnë, për një lobim politik të mundshëm me rishtarë dhe anëtarë të “të vjetërve”, që, si kryefjalë të politikës që do prodhojnë, do ketë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit ,përmes proceseve integruese dhe ku protagonizëm do të bëjnë intelektualët  patriotë dhe JO  mediokriteti e miopia e Gerdec-politikës,  politikës anti-humane dhe antikushtetuese të 21 janarit, heshtanakëve të politikës, kur dhunohet  e stërdhunohët një jetë fëmije nga  shpellarët e zëdhënieve, mediat jashtë çdo etike, apo makabroanalistët që viktimën e rivrasin dhe mostrën kriminale e justifikojnë po aq larg dhe politikës që kërkon të përfitojë e bëjë pazare dhe me vetëflijime e marrje jetësh nën flakë benzine. Uroj që ide të tilla të gjenerohen edhe nga Kongresi i Gruas Socialiste,  forumi më  lartë politik i grave socialiste, ku gratë të flasin më mendimin e tyre kritik, mbi ato që bëmë dhe nuk bëmë deri më sot për këtë vend,  ku zëri i së vërtetës  së artikuluar prej tyre politikisht, të ngjizë optimizmin socialist për sigurinë që ofrojnë për qeverisjen prej tyre nga parlamenti, qeveria, vetë partia, shërbimi i administratës civile, sektori privat, shoqëria civile duke i realizuar suksesshëm përmes pjesëmarrjes së barabartë e dinjitoze së bashku me burrat në dialogë publikë të rëndësishëm, me ndikimin e tyre për vendimmarrje strategjike që do të kushtëzojnë të ardhmen e familjeve të tyre. Uroj që kryetaret e dala në rrethe, apo ajo që do të drejtojë vetëm HESHTANAKE të mos jetë, të personifikojë gruan e fortë, me virtyte morale dhe të suksesshme në modelin jetësor familjar, profesional dhe politik.