Çështja Tahiri, juristët vënë alarmin, reforma në drejtësi në rrezik

471
Vettingu nisi me shpejtësi dhe me mbështetjen e të gjitha palëve, por tashmë duket se është në një rrugë pa krye. Flasin Subashi, Meçe, Vishaj dhe Doja
Politika prej më shumë se dy vitesh është investuar tërësisht në një nga sfidat e saj, reformën në drejtësi. Për të arritur në fund të këtij procesi vetëm sa i përket anës ligjore, janë dashur shumë përpjekje, të cilat lidhen kryesisht me bindjen e opozitës dhe palëve të tjera për bashkëveprim. Sot kemi ardhur në pikën, kur kjo reformë vihet në pikëpyetje. Ka shumë arsye që të çojnë në këtë konkluzion. Skandali me çështjen Tahiri, ka ulur besueshmërinë tek shoqëria. Këtë fakt tashmë e besojnë edhe juristë të njohur ne vend. Ata janë skeptik për realizimin e plotë të reformës. Ndajnë pothuaj të njëjtin mendim. Shprehen se reforma është e domosdoshme, por në këto momente ajo është venitur. Po kështu juristët thonë se nuk kanë besim tek realizimi i Vettingut dhe tek largimi i duarve të politikës nga sistemi i drejtësisë. Për gazetën “telegraf” folën lidhur me këtë çështje, avokati Saimir Vishaj dhe Ferdinand Doja, ish-kryetarja e KQZ, Dëshira Subashi dhe ish-kryetarja e KSHH, Vjollca Meçe. 
Sa do të ndikojë situata e krijuar pas skandalit Tahiri në Reformën në Drejtësi? Nëse realizohet Vettingu, mendoni se do të jetë efektiv? A do mundet politika “të heqë dorë” nga sistemi i drejtësisë?
Vjollca Meçe, ish-kryetare e KSHH
Ç’është e vërteta duket një rënie e ritmeve shumë të gjalla që Reforma në Drejtësi pati në momentin e parë . Janë të vonuar. Disa ligje i kanë akoma në shqyrtim e sipër. Me sa unë jam në dijeni brenda dhjetorit duan ta mbyllin. Strukturat që do bëjnë vettingun, po shoqërohen me disa vështirësi dhe kjo, jo vetëm së disa nga ligjet u kundërshtuan nga struktura të veçanta si ato të gjyqësorit por, dhe formimi i strukturave dhe rifillimi i funksioneve me eficencë duket se nuk po ecën me ritmet e dëshiruara. Situata aktuale padyshim që tërheq vëmendjen, por dhe angazhon strukturat ligjvënëse me çështje të tjera. Pra ka dhe hapësira janë ato që nëse nuk do të merresh me reformën e shtyjnë ritmin. E thënë me dy fjalë ka një lloj ngadalësimi. Ky ngadalësim sigurisht influencon te besueshmëria e popullit. Nga njëra anë popullit i lëkundet besimi por dhe kategoria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk janë në rregull. Në situatën e krijuar tashmë për shkak të çështjes Tahiri, ata mund të përfitojnë nga kjo situatë dhe thonë se asgjë nuk do të ndodh. Edhe shoqërua civile nuk ka ditur të reagoj dhe të rris vigjilencën. Por tek ne të vetmit që reagojnë janë ndërkombëtarët. 

Sa për pastrimin e sistemit të drejtësisë është vështirë të thuhet sa do të realizohet. Ndjeshmëria në publikun e gjerë, sjell nevojën për një ndërhyrje të thellë. Por unë nuk e di se sa thellë do të shkojnë se edhe këta që do bëjnë Vettingun nuk duhet të flasin me ndjeshmëri. Organet e Vettingut duhet të mbështeten në profesionalizëm duke u treguar gjyqtarëve dhe prokurorëve se kush janë ata që nuk kanë standarde. Unë besoj se kjo do të ndodh, pasi së pari jo të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët janë të paaftë, janë të këqij apo të korruptuar. Por si gjithmonë lajmi negativ bënë lajm më tepër. Ne nuk kishim një e dy njerëz korruptuar brenda sistemit. Reforma kërkon jo vetëm të pastrojë sistemin nga ata që kanë humbur vlerat dhe integritetin e tyre, por dhe për të kontrolluar dhe ata që do të futen. Efektivisht ne kemi konstatuar që çështja kryesore e sistemit ishte humbja e integritetit . kishte probleme dhe në mënyrën e formimit dhe kapacitetit , por e rënda ishte korruptimi dhe bashkëpunimi me botën kriminale. Baza ligjore është vetëm krijimi i kushteve për ta filluar reformën. Nuk e bënë ligji reformën por ligji që është brenda sistemit. Ka vende që ka legjislacion shumë më të thjeshtë se ne. Ne e bëmë ligjin të ndërlikuar se duhet të krijojmë një kuadër që të detyrojmë ata të punojnë sipas standardeve. 
Dëshira Subashi, ish-kryetare e KQZ
Po për politikën. Kemi dëgjuar shpesh se politika ndërhyn në gjyqësor. A do të mundet vettingu t’i thotë stop edhe ndërhyrjes së politikës në dhënien e vendimeve?
Besoj se kjo që pyesni është fakt publik . Vetë politika e ka pranuar ndikimin politik në vendimmarrjen gjyqësore. Sigurisht këtu nuk bëhet fjalë për mijëra e dhjetëra mijëra dosje që bëhen në proceset gjyqësore në të gjithë vendin. Ndërhyrja politike është në çështje për të cilat politika ka interes për të. Ky fakt nuk është kaq i thjeshtë . Ky është korrupsioni politik në gjyqësor , që ka cenuar imazhin e drejtësisë , besimin e publikut tek drejtësia . Këtë e kanë thënë vetë politikanët , por që akuzojnë njëra- tjetrën. Uroj dhe dëshiroj të ndodhë që politika të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë! Një drejtësi e vërtetë është një qeverisje e mirë dhe kjo do të ishte “ këshilla” dhe misioni i drejtësisë.

Në të vërtetë kam mbetur pa fjalë nga deklarimi i Ambasadorit Amerikan Donald Lu – thuhet në këto raste. Një impresion të madh pata, kur dëgjova që Ambasadori Donald Lu diplomati amerikan në Tiranë, të akuzonte fort, drejtpërdrejtë, drejtimin e vendit nga klane kriminale ! Kam ndjekur qindra komente në mbështetje të deklarimit të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Donald Lu, në faqet sociale. Ambasadori Donald Lu nuk është një individ i zakonshëm që e thotë një fjalë a një shprehje , si një mendim të tijin. Ambasadori Donald Lu foli në emër të Amerikës dhe për mua kjo flet shumë, është tronditëse, është e frikshme , jo pse e tha Amerika apo Donald Lu , por për atë që jeton përditë dhe nuk e din si individ përmasën e ndikimit të krimit në jetën e tij.

Fjala e Ambasadorit Donald Lu tregoi për pasigurinë në vendin tonë, tregon për pasigurinë për jetën, për shkak të një drejtësie të dobët tregon shumë e më shumë për pasigurinë juridike në vendin tonë, për humbjen e të drejtave dhe për jetën në tërësi për vendin. 
Saimir Vishaj, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalist
Unë mendoj dhe kam bindjen se Reforma në Drejtësi është në rrezik. Ajo çfarë do të ndodhë pas këtij momenti është fakti se, askush nuk ka besim tek drejtësia në vendin tonë. Ndërkohë që me këta politikanët që ka vendi ynë, asnjëherë s’do të ketë qetësi drejtësia. Vettingu mendoj se do të jetë i dështuar. Kam këtë bindje për aq kohë, sa atë vetting pritet ta bëjnë ushtarët e zgjedhur nga Parlamenti me lista. 
Ferdinand Doja, avokat
Kjo situatë nuk mendoj se do të ndikojë në realizimin e Reformës në Drejtësi. Them se nuk ka lidhje. Ajo çfarë ndodhi për çështjen Tahiri, ishte një qëndrim politik për sa i përket pjesës së parlamentit. Ndërsa qëndrimi juridik ishte nga prokuroria. Kështu që në këto kushte s’ka pse të ketë probleme. Kjo për sa kohë që organet e Vettingut janë ngritur dhe ato nuk kanë pse të ndikohen nga politika. Po është e vërtetë. Ky organ nuk është ngritur. Por duhet të dimë një gjë që politika nuk ka të drejtë të zgjedhë anëtarët e SPAK. Institucioni i SPAK që do të zëvendësojë Prokurorinë dhe Gjykatën për Krime të Rënda do zgjidhet, pasi të kalojnë të gjithë trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve në procesin e Vettingut. Politika nuk ka më dorë tani. Të them të drejtën unë nuk kam aspak besim tek vettingu. Kjo për faktin se, ai mund të largojë nga sistemi vetëm ndonjë gjyqtar a prokuror që nuk do të mundë të justifikojë pasurinë e tij, por do të jetë e pamundur të pastrojë të paaftët. Pra, sado të bëhet procesi i Vettingut, drejtësia po kjo do të jetë, pasi këta gjyqtarë janë, ku do t’i gjejnë të tjerët. Prurjet e vetme janë ata që kanë përfunduar Magjistraturën. Por rrugë tjetër nuk ka. Kjo ka të bëjë me aftësitë profesionale. Në rast se do të bëhet një filtrim i të aftëve duke i ndarë nga të paaftët atëherë po. Në të kundërt i paafti i ka sytë nga politika. Ne sot nuk kemi një siguri juridike. Gjykata e Lartë jep vendime unifikuese dhe gjyqtarët kanë frikë t’i zbatojnë. 
Sigal