Çështja McGonigal, kreu i grupit parlamentar demokrat dorëzon informacion shtesë në SPAK

20
Sigal

Të hënën, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, iu drejtua SPAK me një informacion shtesë të shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me çështjen “McGonigal”. Gazment Bardhi tha përmes një reagimi se: “i është drejtuar SPAK me një informacion shtesë, shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me këtë aferë të rëndë, duke kërkuar hetimin e Edi Ramës dhe mbajtjen e tij përgjegjës për aferën korruptive”- siç thuhet në njoftim. Më tej ai thotë: “Në 20 shtator 2023, Charles McGonigal pranoi fajësinë lidhur me të gjitha akt-akuzat, të cilat përfshinin, ndër të tjera, vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeministrin Edi Rama dhe “mbajtjen e një marrëdhënie të vazhdueshme me të”. Në të dhënat shtesë të dorëzuara në SPAK dokumentohet se McGonigal jo vetëm nuk deklaroi marrjen e parave, por avancoi interesat e biznesit dhe gënjeu FBI-në për aktivitetin e tyre të përbashkët me Edi Ramën, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private. Gjykata Federale e Ëashington-it dënoi ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Në vendimin e drejtësisë amerikane thuhet shprehimisht se fakti që McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze”. Nga faktet dhe dokumentet e dorëzuara sot në SPAK del qartë se tashmë organet e drejtësisë amerikane, Prokuroria dhe Gjykata, kanë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, u përfshi në një marrëdhënie të paligjshme dhe korruptive me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke pasur për qëllim që Edi Rama të dëmtonte partinë e tij kundërshtare, Partinë Demokratike të Shqipërisë, dhe shtetasi Charles McGonigal të realizonte përfitime monetare dhe favorizime shtetërore për shërbimet e ofruara kryeministrit shqiptar.