Kryetari i Bashkisë së Tiranës me ekselentët, Veliaj: Së shpejti ristrukturojmë shkollën “Petro Nini Luarasi”

19
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit ekselentë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, me të cilët ndau lajmin se projekti për rikonstruksionin e shkollës së tyre do të nisë këtë vit, pasi të mbyllen kantieret e hapura për shkollat 9- vjeçare. Ai shtoi se dizenjimi i shkollës së re do të përfshijë edhe një auditor, si pjesë e paketës për rikonstruksionin e objekteve arsimore në kryeqytet. “Ne na duhet të mbyllim njëherë shkollat që kemi: sapo kemi mbyllur kantieret te “26 Nëntori”, te “Emin Duraku” po mbyllet tani. Pra, duam të mbyllim 9-vjeçaret, që këtë vit të fillojmë projektin për “Petro Ninin” dhe të fusim buxhetin për shkollën e re. Tek shkolla e re do të kemi një auditorium, madje e kemi kthyer në praktikë në çdo shkollë të re që bëjmë”, -theksoi kryebashkiaku. Këtë vit kemi futur buxhet edhe për pishina olimpike, për t’u siguruar që aty kemi një standard në not. Gjimnazi “Dritëro Agolli” do të jetë pranë Parkut Olimpik, në xhepin mes pallateve, çka do çlirojë nga fluksi “Petro Ninin. Ne mund të kemi shumë sfida me arsimin, por një nga gjërat që është bërë mirë është ky i portalit. Praktikisht, kur të ndërtohet shkolla e re tek Astiri, organika ose organizata e re do të formohet nga të parët e portalit të mësuesve. Pra, mësuesi njësh i fizikës, me zyshën njësh të anglishtes e kështu me radhë; pra, të gjithë të parët e portalit krijojnë këtë organizatë të re që do quhet shkolla e re. Këtë vit, kësaj baterie të 72 palestrave, do i shtojmë edhe 12 të tjera. Prapë nuk mjaftojnë. Inkurajimit të bashkisë për të çuar fëmijët në kurse sportive iu përgjigjën aq shumë prindër, saqë tani na duhen edhe më shumë ambiente”, u shpreh kryebashkiaku.