Caka: Edi Rama, i tmerruar nga rritja dhe forca e LSI-së dhe e rinisë në qarkun e Beratit

467
LSI, përmes deputetes Silva Caka, e cila doli në një deklaratë për shtyp ka reaguar për deklaratat që Kryeministri Rama bëri nga Berati kundra Lëvizjes Socialiste për Integrim
Një ditë pasi kryeministri Edi Rama nga berati shigjetoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke kërkuar votat e qytetarëve për të qeverisur i vetëm dhe për të larguar nga pushteti njerëzit që sipas tij kanë shkatërruar administratën , ka reaguar deputetja e këtij qarku Silva Caka. Ajo e ka konsideruar Ramën, kryepolicin e Rilindjes. “Kryepolici i Rilindjes, Edi Rama erdhi në Berat i qartë në qëllimin e tij për të provokuar, i tmerruar nga rritja dhe forca e LSI-së dhe e rinisë në qarkun e Beratit. I frikësuar ai deklaroi dje se LSI heq gratë socialiste nga puna, ndërkohë që gratë socialiste më shumë se çdokush ai i ka injoruar me mosmirënjohjen dhe arrogancën e tij, duke i zëvendësuar kudo me vajzat e korridoreve të Rilindjes. Edhe pak gra me vlera socialiste, zonja të vërtetë të së majtës u fshinë pabesisht nga lista për deputete të PS-së, duke u zëvendësuar nga vajzat e korridoreve të Rilindjes dhe biznesmenët tenderxhinj. Pasi u ktheu krahët socialistëve të thjeshtë për 4 vite me radhë dhe i dha “gjithë pushtetin oborrit të tij të Rilindjes”, tani kujton se mund të mashtrojë për herë të dytë socialistët, duke u thënë se nuk e ka fajin zullumi i tij me pushtetin dhe përbuzja e tij ndaj tyre, por na e paska fajin LSI-ja që është në koalicion. Kjo alibi e tij është e mjerë dhe e pashpresë. Problemi i tij i madh është tmerri që ka nga zgjedhjet e lira dhe vota e lirë. Ai ishte njeriu më i frikësuar të bënte zgjedhje brenda Partisë Socialiste me rival Blushin e jo më të pranojë zgjedhje të lira me të gjithë aktorët e përfshirë në garë. Ai bëri çdo përpjekje që opozita të mos hynte në zgjedhje me qëllim shkatërrimin e opozitës dhe manipulimin e zgjedhjeve përmes përdorimit të segmenteve të policisë të lidhur me grupet kriminale të drogës. Ai Rilindjen e tij e ktheu në ndërmarrjen më të madhe të drogës në Evropë. Ndaj dhe inskenimi i turpshëm i ditës së djeshme në mitingun e Beratit në bashkëpunim edhe me segmente kriminale të policisë, për gjoja blerje votash, është përpjekje e dështuar për të trembur dhe frikësuar LSI-në, ndërkohë që është vetë kryepolici që planifikon blerje votash masive duke përdorur çdo mjet të pushtetit. Ky akt dëshpërimi në fakt dëshmon se atë e ka kapur paniku, jo vetëm për mbështetjen e jashtëzakonshme, që gëzon LSI-ja në qarkun e Beratit dhe në të gjithë Shqipërinë. Fitore e cila do të konfirmohet me votën e shqiptarëve më 25 qershor, por mesa duket ai ka panik edhe nga vetë zbatimi i plotë i Vetingut që shqiptarët e presin me padurim për t’i dhënë fund arrogancës dhe padrejtësisë së pushtetit oligarkik, kriminal dhe klientelist. Prandaj le të çmendet kryepolici, LSI do të dalë forcë e parë në qarkun e Beratit, sepse është shpresa e rinisë dhe fundi i oligarkisë. Forcë e parë jo vetëm në qarkun e Beratit, por edhe në të gjithë Shqipërinë”. Kjo ishte deklarata e Silva Cakës e cila më pas ka zhvilluar edhe takime në disa fshatra të Beratit. Kandidatja për deputete në qarkun e Beratit, Silva Caka ka vijuar me takimet në në Çerricë, ku bashkë me Kryetarin e Bashkisë vizituam shkollën e vjetër të fshatit, me qëllim rivënien e saj në punë. Gjithashtu një tjetër takim ka qenë në fshatin Gjerbës në Skrapar. Silva Caka është bërë pjesë e festës me të rinjtë e LRI-së duke i shprehur mirënjohjen që i kanë dhënë mbështetjen Lëvizjes Socialiste për Integrim. Energjia juaj është ajo që na nevojitet në këto zgjedhje,prandaj ju jemi të gjithëve mirënjohës që keni zgjedhur Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe që na jepni mbështetje.
Sigal