Bushati: Tentativa e 3 liderëve për kufijtë, cinike dhe preteks për në BE

448
Sigal

Ish-ministri Bushati, në intervistë për gazetën austriake “Der Standard”

Liderët që mbështetën ndryshimin e kufijve të Kosovës, në mënyrë cinike e paraqesin si alternativë për pranimin në BE

Adelheid Woelfl, “Der Standard”

Në një intervistë për gazetën e njohur austriake, “Der Standard”, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për shumë tema, po është ndalur në veçanti, në atë që e cilëson si ‘zgjidhje magjike’, ndryshimi i kufijve, duke replikuar në distancë kryeministrin Rama, për mbështetjen që i dha teorisë së ndryshimit të kufijve të Kosovës me Serbinë, teori që në mënyrë cinike paraqitet si alternativë për pranimin në BE.

Çfarë prisni ju, që negociatat e BE me Shqipërinë të rekomanduara nga Komisioni, të nisin tani?

Do ishte mirë që kjo të ndodhte sa më shpejt të ishte e mundur, për shkak se do ushtronte më shumë presion tek procesi i demokratizimit. Në fund të fundit, ne po flasim vetëm për fillimin e negociatave dhe jo për anëtarësimin. Negociatat do të jenë sfiduese, madje edhe të dhimbshme.

Franca dhe Holanda nuk duan një zgjerim tani dhe kërcënojnë se do të vendosin veton për fillimin e negociatave të pranimit- si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut. Çfarë do të thotë nëse në qershor nuk do jepet drita jeshile nga samiti i BE për nisjen e negociatave?

Ky do ishte një sinjal shumë i keq për BE-në, por edhe për rajonin. Në vitin 2018, ne ramë dakord për këtë plan kohor. Ne kemi filluar të krahasojmë përputhshmërinë e legjislacionit tonë me atë të BE-së. Procesi i anëtarësimit në BE është një dritë shprese. Por BE po konkurron edhe me lojtarë të tjerë gjeopolitikë.

A do të e dëmtonte besueshmërinë e politikës së kushtëzimit të BE, nëse, pavarësisht se sa bashkëpunues janë shtetet, BE nuk u përmbahet premtimeve? A do të thotë kjo se nuk ka më zgjerim?

Unë mund t’i kuptoj shqetësimet e Francës deri në një farë mase, sepse Franca është para së gjithash e shqetësuar për reformat e brendshme të BE. Por ne nuk duam të bashkohemi me BE-në tani menjëherë. Ne mund të përmirësojmë demokracinë, ekonominë dhe kushtet sociale në vend, nëse ekziston një perspektivë e prekshme evropiane.

Vendimi i shteteve anëtare të BE mund të ndikohet gjithashtu nga zgjidhja e krizës së brendshme në Shqipëri. Opozita është larguar nga parlamenti dhe proteston çdo javë. A e shihni një mundësi që situata politike e brendshme të qetësohet?

Në të kaluarën, të gjitha partitë politike e kanë përdorur bojkotin e parlamentit si një levë kundër qeverisë. Por në të vërtetë, ky nuk ishte kurrë një ilaç efektiv. Ne tani kemi një opozitë ligjore, në parlament, dhe ata në rrugë. Ne duhet të njohim të dyja realitetet, por natyrisht duhet të ruajmë sundimin e ligjit. Për fat të keq, në Ballkan shpesh bëhet fjalë për mposhtjen e kundërshtarit sesa për kompromise.

A mendoni se Shqipërinë e ka dëmtuar për çështjen e negociatave të anëtarësimit, fakti që kryeministri Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?

Ballkani ka kaluar nëpër faza të ndryshme, ka pasur luftëra dhe konflikte ndëretnike, kemi pasur Marrëveshjen e Dejtonit, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, kemi qenë në gatishmëri për menaxhimin e krizave. Më pas, kemi njohur metodat dhe parimet evropiane për shkak të angazhimit të BE dhe për shkak të bashkëpunimit rajonal. Por gjatë dy viteve të fundit, sidomos vitin e shkuar, na janë ofruar të ashtuquajturat ‘zgjidhje magjike’ nga shekulli i 19-të, për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21-të. Dy dekadat e fundit kishin të bënin me bashkëpunimin rajonal dhe procesin e pranimit në BE të Ballkanit Perëndimor, mbi të gjitha që qytetarët të bëheshin qytetarë evropianë dhe armiqtë e dikurshëm të ktheheshin në fqinj të mirë, duke u përpjekur të zgjidhur të gjitha këto mosmarrëveshje. Megjithatë, fakti se ky shkëmbim territoresh po diskutohet tani në qendër të Evropës në shekullin e 21-të, tregon një hap pas, një lloj ‘rruge të shkurtër’, që në mënyrë cinike po paraqitet si alternativë për pranimin në BE.

A u mor kjo ide e shkëmbimit të territoreve në diskutim tani, për shkak se administrata amerikane e Donald Trump, në veçanti këshilltari për sigurinë, John Bolton, kërkoi një zgjidhje të tillë…

Është e vështirë të përcaktohet se kush është babai i kësaj ideje.

Është një ide shumë e vjetër, e cila vjen nga nacionalisti serb, Dobrica Çosiç.

Po, e dimë se këto ide nuk vijnë nga forcat pro-evropiane, por nga forca të prapambetura në Serbi. Pati edhe një fushatë marketingu të menaxhuar keq për këtë çështje. Autoritetet në Serbi dhe Kosovë e bënë këtë temë të dialogut të normalizimit. Por vetë ideja nuk u diskutua kurrë zyrtarisht në formatin rajonal apo evropian. Kjo ide lundroi rreth…

… dhe pas saj qëndronin shumë lobistë.

Po, ka pasur shumë konfuzion. Ekzistojnë parimet e Grupit të Kontaktit që përjashtojnë ndryshimet kufitare. Dialogu i normalizimit u transferua më pas nga OKB drejt BE-së. Por tani ka mosmarrëveshje për këtë debatin e shkëmbimit të territoreve, që do të thotë mbi të gjitha normalizim.

A mendoni se ideja e shkëmbimit të territoreve tani është hequr nga tavolina? Ideja e shkëmbimit të territoreve lidhet ngushtë me idenë e Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe, dhe disa politikanë në rajon vazhdojnë të linçojnë më tej këto ide.

Ka ende një hendek të madh mes dy palëve- Kosovës dhe Serbisë- sa i përket pyetjes se çfarë do të thotë në të vërtetë normalizim. Në çdo rast, normalizimi nuk duhet të çojë në një situatë të re në terren. Normalizim do të thotë, që të lehtësohen kontaktet mes njerëzve në terren, të fokusohesh më shumë tek të drejtat e qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në rajonet kufitare. Kjo do të thotë po ashtu që të thyesh pengesat dhe të zbatosh angazhimet për të cilat ke rënë dakord. Marrëveshjet e para janë arritur në vitin 2013 dhe prej atëherë janë rishkruar apo ri interpretuar nga aktorët, në varësi të agjendave të tyre të brendshme. Pyetja është, nëse palët e kanë seriozisht rrugën evropiane. Kur, për shembull, presidenti serb Aleksandër Vuçiç thotë se po e diskuton këtë çështje me presidentin rus, Vladimir Putin dhe të tjera, pyes veten nëse ai e pranon Evropën. Sepse kjo është një çështje politike, që duhet të shtrohet në Europë, dhe ai i njeh kushtet.

Si duhet të sillet Shqipëria? Në fund të fundit, edhe këtu ka ambicie për të krijuar një Shqipëri të Madhe.

Në këtë rajon është shpenzuar shumë kohë dhe energji me idetë e shteteve të mëdha, por në fund fare ne kemi nevojë për kohë dhe energji për zhvillimin ekonomik dhe social. Nuk ka plan B, pjesa tjetër janë vetëm mashtrime politike dhe retorikë, ndonjëherë të shoqëruar me frustrim.

A mendoni se miqësia e re mes Greqisë dhe Maqedonisë Veriore mund të shërbejë si model për mënyrën se si Shqipëria mund të zgjidhë çështjet e pazgjidhura me Greqinë?

Ky është një paradoks i ngjashëm. Kryeministri Edi Rama dhe unë jemi përfshirë për të kontribuar tek ‘fakti shqiptar’, që kryeministri maqedonas Zoran Zaev të bëjë një marrëveshje me Greqinë dhe tani na pyesin nëse Marrëveshja e Prespës është një model për marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këto dy gjëra nuk janë të krahasueshme, por unë jam i sigurt se ne kemi krijuar një bazë solide për një marrëveshje dhe kemi paketuar gjithçka në një paketë zgjidhjeje.

Çfarë mungon?

Bëhet fjalë për gjendjen e luftës mes dy shteteve dhe kufijtë detarë.

A mund të vijë së shpejti zgjidhja?

Kjo është shumë e mundur. Por tani në Greqi ka zgjedhje dhe gjatë këtyre periudhave zgjedhore, është e vështirë.