Kryeministri Edi Rama nga Luksemburgu tha se ambicia është që deri në 2027 jo vetëm të jenë hapur të gjitha grup kapitujt, por edhe të jenë mbyllur.
Në konferencë me ministrin e Jashtëm të Polonisë dhe komisioneren Marta Kos, kreu i qeverisë u shpreh se për Shqipërinë anëtarësimi në BE nuk është ambicie politike apo ekonomike, por është një zgjedhje ekzistenciale.
Rama: Më lejoni që të theksoj se së bashku me Komisionin dhe nën udhëheqjen e Martës kemi rënë dakord për një agjendë mjaft ambicioze. Po presim me padurim që të sigurohemi që brenda 2027 të gjitha grup kapitujt, jo vetëm të jenë çelur, por edhe të jenë mbyllur. Jemi këtu sot për të rikonfirmuar vullnetin tonë të fortë, vendosmërinë tonë, pasionin tonë për të arritur këtë objektiv.
Jam i sigurt që të dy miqtë e mi në të majtën time dhe shumë prej jush e kanë dëgjuar më parë, por ja vlen ta përsëris. Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është me tepër sesa një ambicie ekonomike apo politike. Është një zgjedhje ekzistenciale jete. Nga një vend ku kurrë nuk jemi lejuar të zgjedhim për shekuj e breza të tërë, tek një e ardhme që kemi dashur ta kemi.
E dimë shumë mirë që liritë tona, barazia jonë para ligjit dhe mënyra e jetesës që duam për fëmijët tanë nuk mund ta garantohet askund tjetër përveç në BE. Kështu që faleminderit shumë.