Braimllari: Raporti vërtetoi manipulimin e zgjedhjeve

224
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron raportin e OSBE-ODIHR-it sipas tyre, se zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, shprehet se ky proces ka rënë, pasi sipas raportit të OSBE-ODIHR-it, Partia Socialiste përdori administratën shtetërore, fondet e tërmetit dhe lidhjen me persona të inkriminuar për të orientuar votat dhe për të kërcënuar qytetarët. Braimllari tha se beteja për zgjedhje të lira vazhdon për largimin sa më parë të bandës në pushtet. Deklarata e plotë:

“Raporti final i OSBE-ODHIR, i vuri vulën masakrës zgjedhore të 25 prillit të shkaktuar nga qeveria. Raporti, vulos faktin që më 25 prill nuk pati zgjedhje, por një masakër zgjedhore të drejtuar drejtpërdrejt nga ‘Rilindja’. Nga ky raport, u konfirmua se më 25 prill: Vullneti i shqiptarëve u tjetërsua; U blenë në formë masive votat; Pati presion ndaj votuesve në favor të ‘rilindjes’; U keqpërdoruan  asetet publike  në avantazh të partisë në pushtet; U rrit punësimi në administratën publike me qëllime elektorale; Presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet; Përdorimi i fondeve të rindërtimit për të orientuar votën; U vodhën të dhënat private dhe personale nga partia në pushtet. U përdorën  grupet kriminale për të intimiduar votuesit; Ndryshime kushtetuese të njëanshme në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias;

Pra është e qartë që, zgjedhjet e 25 prillit kanë rënë. Më 25 prill nuk pati zgjedhje të lira dhe të ndershme por tjetërsim vullneti, ndërhyrje dhunshëm në proces në favor rilindjes. Ndaj, beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është pa kompromis për të shpëtuar të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë nga një bandë në pushtet.”