Braimllari dhe Incir përshëndesin pjesëmarrësit në kampin veror të LRI në Jalë

486
Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari duke folur gjatë aktiviteteve hapëse të kampingut me të rinj nga e gjithë Shqipëria që LRI po zhvillon në bregdetin e Jalës, falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi këtë nisëm që shpërndan energji pozitive. Braimllari falënderoi gjithashtu edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë për mbështetjen që u japin vazhdimisht të rinjve shqiptarë. “Gjiri i mrekullueshëm i Jalit tashmë është bërë si shtëpia jonë, pasi për të shtatin vit radhazi ne vijmë këtu dhe vijmë me të rinj nga e gjithë Shqipëria për të shpërndarë energji pozitive, për të hartuar strategjinë tonë dhe për të filluar në shtator një vit shumë herë më të suksesshëm dhe më të mirë të Lëvizjes Rinore për Integrim.
Do të doja të falënderoja ambasadorët e nderuar të cilët janë prezent me në këtë kamping. I falënderoj në mënyrë të veçantë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i japin rinisë shqiptarë, jo vetëm për ta integruar atë në një rini evropiane, por për mbështetjen e jashtëzakonshme për studimin dhe arsimimin e rinisë shqiptare dhe për të kthyer atë në një rini evropiane, një rini e cila është e aftë të përballet me tregun e punës evropian, një rini e cila konkurron lirshëm me të drejtat e saj”, tha kryetari i LRI-së duke folur para të pranishmëve. Ndërkaq, Braimllari tha se për herë të parë merr pjesë në një aktivitet të tillë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Internacionales së Rinisë Socialiste, Evin Incir, me synimin për të dëshmuar suportin e saj për të rinjtë e Shqipërisë, por edhe për të ndihmuar në hartimin e strategjisë në shërbim të rinisë, duke qenë se prej disa vitesh LRI-ja është anëtare me të drejta të plota e IUSY-t. Kryetari i LRI-së tha se përfaqësimi i lartë i të rinjve që vijnë nga ky forum në këshillat bashkiakë në gjithë Shqipërinë është rezultat i një punë 11-vjeçare plor sakrifica dhe përkushtim. 
“Është e vërtetë që sapo mbyllëm një fushatë elektorale, një fushatë të vështirë, por që na dha një emocion të veçantë. Për herë të parë në historinë e LRI-së, por mendoj për herë të parë në historinë e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, ne përfaqësohemi sot me 80 të rinj në këshillat bashkiak të gjithë vendit dhe për herë të parë përfaqësohemi me një deputete në Parlamentin shqiptar. Jo pa qëllim e them këtë, sepse unë nuk hyj tek ato persona që mendojnë se puna e LRI-së, rezultati i mirë në këto zgjedhje ka të bëjë me punën mujore apo 1-vjeçare. Kjo është punë e 11 viteve, është punë e 11 viteve sakrificë, e 11 viteve djersë e të rinjve dhe të rejave të LRI-së, të cilët e nisën me sakrificë dhe e vazhdojnë po me aq energji pozitive për ta çuar Shqipërinë në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Braimllari. Sakaq, Kryetari i LRI-së shtoi se të rinjtë që janë zgjedhur në këshillat e rinj bashkiak pas zgjedhjeve të fundit vendore mbartin vlera të veçanta dhe përfaqësojnë virtytet më të mira të rinisë shqiptare në parlamentet vendore. “Ju siguroj që këto 80 të rinj që na përfaqësojnë në Këshillat Bashkiakë dhe 9 të rinjtë që na përfaqësojnë në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbartin vlera të veçanta. Janë të rinj dhe të reja të arsimuar që kanë dëshirë maksimale për t’i shërbyer vendit të tyre dhe jam i bindur që prezenca e tyre nuk është thjesht prezenca e LRI-së apo e LSI-së, por është prezenca e rinisë shqiptare. 
Sepse programi i tyre është për rininë shqiptare, është në shërbim të rinisë shqiptare dhe ne jemi të hapur që këshillat bashkiak t’i kthejmë dhe të vazhdojmë punën tonë për t’i kthyer ato në parlamente vendore. Sepse jemi të bindur se këto anëtarë të këshillave bashkiakë nuk përfaqësojnë anëtarësinë e LRI-së. Këto përfaqësojnë Shqipërinë evropiane ku të gjithë ne duhet ta shohim si një vizion, i cili kërkon punë dhe kërkon një punë të jashtëzakonshme dhe jam i bindur që këto do e bëj rinia shqiptare”, deklaroi Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari. Ndërsa, Sekretarja e Përgjithshme e IUSY-t, Evin Incir duke marrë fjalën gjatë të njëjtit aktivitet u shpreh e nderuar që merr pjesë në një event të tillë rinor, teksa vlerësoi edhe punën e shkëlqyer dhe kontributin që LRI-ja jep për të rinjtë shqiptarë. “Ndihem krenare kur shikoj një organizim të tillë dhe që marr pjesë në këtë kamp veror, jeni vërtetë për t’u marrë shembull nga të gjithë. Gjithashtu, ndihem mirë që shoh kaq shumë të rinj e të reja energjike të angazhuar në këtë aktivitet dhe dua të vlerësoj punën e madhe që ju keni bërë në përfshirjen e të rinjve në listat e kandidatëve për këshillat bashkiak, duke i bërë pjesë e vendimmarrjes. Nuk ka gjë të mirë se sa të miksosh politikën me argëtimin dhe shoqërinë. Ky është kombinimi i suksesshëm për një kamp veror dhe për një forum rinor. Ne kemi nevojë për politikën në mënyrë që të ndryshojmë shoqëritë tona dhe ndryshimi është thelbi i lëvizjes sonë, i ideologjisë tonë socialiste dhe socialdemokrate”, deklaroi Incir ndër të tjerash gjatë fjalës përshëndetëse.
Sigal