Kryemadhi: Këtë energji pozitive mund ta japë vetëm Korça, mos thoni ‘Rama ik’ po Shqipëria, duhet t’i japim dorën njëri tjetrit të trokasim derë më derë

180
Sigal

 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në takimin e Korçës

Mirëmbrëma të rinj, të reja, burra, gra të Korçës! Këtë entuziazëm të mrekullueshëm, këtë energji pozitive, këtë çiltërsi dhe këtë dashuri, vetëm Korça mund ta dhuronte në këto ditë të bukura, të cilat po trokasin në dyert e Shqipërisë. Sot fjalët e mia janë shumë të vakëta, nuk kanë asnjë lloj rëndësie përpara kësaj energjie, përpara kësaj bukurie të mrekullueshme, përpara fjalëve të Ismeraldës, përpara fjalëve të pedagogëve, përpara fjalëve të Leonsit, të Thanasit, të Brunës, që njihemi prej shumë kohësh. Përpara fjalëve të Gentit, përpara fjalëve të Petrikës, doktor Enginit. Përpara fjalëve të profesor Avniut, e kush më shumë se mësuese Marjeta, e cila me mikpritjen dhe dashurinë e saj mëson fëmijët në klasat e shkollave tona.

Ju dëgjoja tek thonit pak më përpara RAMA IK. Do ju lutesha të thërrisnit Shqipëri, sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Shqipëria është vendi ynë. Shqipëria është gjëja më e shtrenjtë që ka secili nga ne. Sepse fjala më e shtrenjtë për ne nuk është Rama ik, fjala më e shtrenjtë për ne është Shqipëria. Gjëja më e shtrenjtë për ne është flamuri ynë kombëtar. Këto dy gjëra, të cilat Rilindja do që t’i shkatërrojë, ne nuk duhet t’i lejojmë kurrë që t’i marrë nëpërkëmbë një i çmendur që po i çmend të tërë.

E pra të dashur miq, motra dhe vëllezër, të rinj dhe të reja, sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për t’i dhënë dorën njëri tjetrit, për të trokitur derë më derë, për të vajtur shtëpi më shtëpi, për t’iu thënë njerëzve që të marrin kartat e identitetit në dorë dhe më 25 prill të drejtohen në kutitë e votimit dhe të votojnë. Të votojnë ndryshimin, të votojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre, të votojnë numrin 6, të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim.