Skënderbeu luan për ëndrrën Champions League

446
Të gjitha rrugët të çojnë në “Elbasan Arena”, sot. “Shtëpia kuqezi” do të frymojë me himnin e Ligës së Kampioneve, çka ndodh për herë të parë në Shqipëri, ndërsa Skënderbeu do të përfaqësojë një komb të tërë në këtë kompeticion. Për herë të parë, po ashtu, në “play-off”-in e Championsit. Një ballafaqim historik, që do të mbetet një pikë referimi për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, në rang klubesh.
Prej orës 20:45, rreth 12 mijë tifozë do të mbajnë frymën në shkallët e impiantit sportiv të Elbasanit, ndërsa mijëra e mijëra të tjerë do të bëjnë tifo përmes ekranit të televizorit. Brenda e jashtë kufijve shtetërorë, sikur po luan Kombëtarja. Sepse, fundja, Skënderbeu është “Kombëtarja” jonë në Champions. Sot nuk ka ngjyra klubesh, apo tifo-grupe shqiptare, ka vetëm një “kryefjalë”: është Skënderbeu, janë kampionët e Shqipërisë.
Skënderbeu në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes, në “Elbasan Arena”
Po si vijnë skuadrat, Skënderbeu dhe Dinamo e Zagrebit, në përballjen e tyre direkte në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve? Le të ndalemi në statistikat e të dyja skuadrave në katër kualifikueset e shkuara të kompeticionit më madhor për klube në kontinentin tonë, ku bie në sy një dominim i korçarëve në golat e shënuar dhe këndoret e fituara, ndërsa kroatët shquhen për agresivitetin në fushë, çka është shoqëruar me me shumë kartonë të verdhë dhe faulla të shkaktuar ndaj kundërshtarit.
Ja analiza e UEFA-s për të dyja skuadrat: “Skënderbeu do të jetë skuadra e parë shqiptare që luan në “play-off”-in e Championsit dhe synon fazën e grupeve të konkurrencës më të madhe europiane për klubet. Kampionët e Shqipërisë do të sfidojnë Dinamon e Zagrebit. Pyetja që ngrihet tani është: Cili është Skënderbeu, që ka bërë tashmë histori, duke arritur në “play-off”-in e “Champions League”?
Dinamo e Zagrebit në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes, në “Elbasan Arena”
Dy skuadrat takohen për herë të parë në garat europiane. Ky është, gjithashtu, takimi i parë i Skënderbeut me një kundërshtar kroat. Përvoja e mëparshme e Dinamos së Zagrebit i ka vënë kampionët e shumëfishtë kroatë kundër një skuadre shqiptare. Bëhet fjalë për triumfin total 10-2 ndaj KF Tiranës, në raundin paraprak të Kupës së UEFA-s, në edicionin 1996-1997. Trajneri i asaj kohe i Dinamos së Zagrebit, Oto Bariç, më vonë mori drejtimin e ekipit kombëtar shqiptar.
Dinamo e Zagrebit arriti në fazën e grupeve të “Champions League” në sezonin 2012-2013, por e humbi këtë shans në “play-off”-in e saj më të fundit në Champions, kundër Austrisë së Vienës, në sezonin 2013-2014. Skënderbeu mbërrin për herë të parë në “play-off”-in e Championsit, ndërsa është i sigurt për të bërë historinë shqiptare, pasi mund të bëhet klubi i parë shqiptar që merr pjesë në një fazë të madhe (atë të grupeve) të një konkurrence europiane (Liga e Europës), pavarësisht nga rezultati kundër Dinamos së Zagrebit.
Skenderbeu-vs-Dinamo-Zagreb
Skënderbeu-Dinamo Zagreb, një nga banerat e shumtë për këtë ndeshje
Skënderbeu është i pamposhtur në shtatë ndeshje europiane të luajtura në shtëpi. Dinamo është e pamposhtur në katër eliminatoret e “Champions League” të këtij sezoni. Shqipëria dhe Kroacia kurrë nuk janë takuar në nivel të lartë ndërkombëtar. Në 12 ndeshjet e mëparshme ndërmjet klubeve në konkurrencën e UEFA-s, pala kroate ka regjistruar gjashtë fitore kundër shqiptarëve, katër barazime dhe dy humbje.
Ekipet shqiptare janë të pamposhtura në pesë takimet e fundit me homologët kroatë. Mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radaš, erdhi përmes Akademisë së Dinamos së Zagrebit në futbollin profesionist, por ende nuk ka bërë një paraqitje me klubin në fjalë. Disa lojtarë të tjerë të Skënderbeut, që kanë përvojë në ligën kroate, janë: Sabien Lilaj (Lokomotiva e Zagrebit 2011-2012), Arbër Abilaliaj (Inter Zaprešić 2010-2012) dhe sulmuesi bullga Ventsislav Hristov (Rijeka 2014-2015).
Cekici kryesore
Mungon Arijan Ademi, por Dinamo e Zagrebit ka shqiptarin tjetër, Endri Çekiçi
Lilaj ka luajtur së bashku me Domagoj Antolić dhe Josip Pivarić të Dinamos së Zagrebit te Lokomotiva e Zagrebit. Dinamo e Zagrebit mburret me talentin shqiptar, mesfushorin 18-vjeçar, Endri Çekiçi, pjesë e kombëtares U-21 të Shqipërisë. Babai i tij, Ylli Çekiçi, është një ish-lojtar i Skënderbeut. Mesfushori i Dinamos së Zagrebit, Arijan Ademi, ka lindur në Kroaci dhe luan futboll në rang kombëtareje me Maqedoninë, por është një shqiptar.”
Ndërkohë, po t’u referohemi statistikave të katër ndeshjeve kualifikuese të shkuara të të dyja skuadrave, konstatojmë se Skënderbeu ka më shumë gola të shënuar: 10-8. Po ashtu, skuadra kampione e Shqipërisë ka më shumë goditje në drejtim të portës kundërshtare: 50-44. Nga këto, në kuadrat, apo si të thuash në shenjë, është më efikase Dinamo e Zagrebit. 21-17. Për gjuajtjet jo në kuadrat dominon Skënderbeu: 23-18, çka tregon se kampionët kroatë janë me shënjestër më të kolauduar.
Skënderbeu e ka studiuar nga ekrani i televizorit kundërshtarin kroat
Ngaqë kanë gola të shënuar më pak se korçarët, i bie që portierët kundërshtarë të kenë qenë në gadishmëri optimale ndaj kampionëve kroatë. Skënderbeu ka më shumë këndore deri më tani, 24 të tilla, kundrejt 15 korneve të kroatëve. Kjo vjen si pasojë e lojës së krahëve, që spikat te Skënderbeu, me anë të Berishës dhe Latifit, veçanërisht.
Dinamo e Zagrebit bie shpejt në pozicione jashtë loje. Plot 23 herë është gjendur në këtë situatë, në katër ndeshjet e kaluara kualifikuese, ndërsa Skënderbeu vetëm 3 herë. Meritë e Hamdi Salihit, një lojtari që di të pozicionohet dhe t’u vidhet mbrojtjeve kundërshtare, duke e nxjerrë golin nga hiçi. Sa u përket ndëshkimeve me kartonë, rezulton se Dinamo e Zagrebit është më e ashpër në lojë.
Renato Arapi, i vetmi karton i kuq i Skënderbeut në Champions, deri tani
Ajo ka marrë 13 kartonë të verdhë në katër ndeshjet e kaluara kualifikuese të këtij sezoni në Champions, kundrejt 6 të tillëve nga korçarët. Kartonët e kuq i kanë të barabartë, nga një për secilën skuadër. Një tjetër statistikë që e përforcon bindjen, se Dinamo e Zagrebit është më agresive në fushë, është ajo e faulleve të shkaktuar. Kështu, Skënderbeu numëron 34 faulla ndaj kundërshtarit, ndërsa Dinamo e Zagrebit 78 të tillë, më shumë se dyfishin. Edhe faullat e pësuar tregojnë këtë gjë. 57 faulla ka fituar skuadra e Josës, ndërsa kroatët 54 të tillë.
Telesport
Sigal