Kriza e plehrave, Shijaku rishpall tenderin fiktiv dhe të gjitha rrugët të çojnë te landfilli i Zotos. Ekspertët e PL: Drejtësia të hetojë se si me vulat e tyre paguajnë kompanitë e plehrave. Kryebashkiaku tenton të mbrohet, por harron firmën qw ka hedhur pwr pagesat tek faturat e fiskalizuara
Banorët e Shijakut përballen me smogun toksik, që po çlirohet nga djegia e plehrave, ndërkohë bashkia e këtij qyteti ka rishpallur tender, por me specifika që të fitohet nga kompania “Integrated Energy BV”. Ndërkohë, bashkia e Shijakut ka një marrëveshje 5-vjeçare me inceneratorin e Klodian Zotos me vlerë prej 29 eurosh për çdo ton të depozituar në Sharrë.
Bashkia e Shijakut vijon të përpëlitet në procedurat për plehrat, ndërkohë që qytetarët vuajnë në mënyrë periodike tymin toksik, që prodhohet nga djegia e paligjshme e mbeturinave në periferi të qytezës. Ditën e hënë, bashkia e drejtuar nga Elton Arbana ka rishpallur tenderin “Depozitim mbetjesh urbane”, me fond limit rreth 250 milionë lekë të vjetra.
Kjo procedurë është anuluar fillimisht në korrik të këtij viti, me argumentin se nuk kishte ofertues, pavarësisht se i gjithë tenderi ishte hartuar që të fitohej nga kompania koncesionare e landfillit të Sharrës, “Integrated Energy BV”. Paralelisht me këtë tender, bashkia e Shijakut ka në fuqi një marrëveshje me kompaninë e krijuar nga Klodian Zoto, të firmosur në gusht të vitit të kaluar. Sipas marrëveshjes, Shijaku do të depozitojë mbeturinat në landfillin privat të Tiranës, duke paguar për 5 vitet e ardhshme një tarifë 29 euro për ton. Pra, ndërkohë që ekziston një marrëveshje në fuqi për depozitimin e plehrave, bashkia e Shijakut shpall tender për të njëjtën gjë. Referuar letrave dhe dokumenteve, Shijaku, më së paku, duhet të kishte shmangur emergjencën mjedisore me plehrat. Por, gjendja në terren është shumë e vështirë. Prej fillimit të kësaj jave, banorët e qytezës gjenden nën tymin e zi, që krijohet nga djegia e plehrave.
Kryetari i bashkisë, Arbana, si edhe Policia e Durrësit thanë se një person po digjte goma dhe ai u arrestua. Deklaratat e tyre u rrëzuan nga pamjet e “Syri”, ku tregohet qartësisht se aty po digjeshin mbeturina urbane. Bashkia e Shijakut, së bashku me atë të Durrësit e Kavajës, u gjendën nën emergjencën e plehrave në verën e vitit 2020, pasi qeveria e Edi Ramës vendosi mbylljen e landfillit të Porto Romanos, pa siguruar më parë një hapësirë tjetër.
Pasi plehrat pushtuan të gjithë qytezat bregdetare, Rama ngarkoi ish-drejtorin e Agjencisë së Mbetjeve, Alqi Bllako, që të detyronte bashkitë e përfshira në krizë për të lidhur marrëveshje me landfillin privat të Klodian Zotos, në Tiranë.
Partia e Lirisë kërkon hetimin e kryebashkiakut të Shijakut, drejtësia të hetojë se si me vulat e tyre paguajnë kompanitë e plehrave
Partia e Lirisë ka përgënjeshtruar një deklaratë të bërë ditën e djeshme nga kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, i cili tha se mbetjet e qytetit depozitohen falas në Sharrë. Gjatë një deklarate për mediat ditën Partia e Lirisë theksoi se Arbana ka gënjyer në deklaratën e tij dhe se Bashkia që ai drejton ka paguar kompaninë e inceneratorit të Tiranës për mbetjet. Deputeti kërkoi hetimin e Arbanës. Deklaratë të cilën do ta paraqesim më poshtë. “Thirrja publike për këta mashtrues, që shpërdorojnë taksat e qytetarëve. I bëjmë thirrje drejtësisë që kryesisht të nisë hetimet për këtë mashtrim publik e të jetë ky mësim për këdo kryebashkiak apo nëpunës rilindas që do guxojë të gënjejë. Kryetar bashkie që thotë 4 herë që këtë gjë e bëjmë falas, dokumentet provojnë që jo s’e kanë bërë falas, por kanë lënë ka marrë zjarri dynjanë atje kanë paguar kokërr më kokërr kompaninë e famshme 29 euro tonin me vulë dhe me firma. Këta dhe kur vënë vulën dhe firmat e tyre pacipësisht gënjejnë me idenë që nuk do demaskohen”,- theksoi Vasili.
Ja kontratat e lidhura mes bashkisë së Shijakut dhe inceneratorit të Tiranës
Partia e Lirisë ka denoncuar me dokumente bashkinë e Shijakut sa i takon mbetjeve. Në një deklaratë për mediat, Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsiont Brisida Shehaj publikoi disa dokumente ku faktohej se ishte lidhur marrëveshje me inceneratorin, që kundrejt pagesave të bëhej depozitimi i mbetjeve në landfill.“Ky është dokumenti i parë që bëhet për herë të parë publike. Kompania i thotë Bashkisë që keni të drejtë që të depozitoni 15 ditë falas pa paguar asnjë cent. Në datën 23 gusht të 2021 lidhet marrëveshja. (Tregohet marrëveshja) mes Inegretet Energji SPV me Bashkinë e Shijakut. Më pas hynë në marrëveshje kontraktuale për 5 vite me inceneratorin, ku palët bien dakord për të paguar 29 euro për 1 ton mbetje.
Kjo kontratë ka dhe një aneks, që është firmosur nga bashkia Shijak, nga zoti Elton Arbana dhe përgjegjësja e sektorit juridik. Ata kanë marrë angazhimin për njësitë vendore të qarkut të Durrësit, pasi janë dhe për Durrësin këto. Po i vëmë në dijeni, se Elton Arbana për një Shijak më të pastër se di që ka paguar para! Kjo është një tjetër shkresë ku i thotë bashkisë; këtu keni faturën, situacionet dhe kopjen. Në këtë dokument është rakordimi, që është firmosur nga zoti Arbana, që vetëm për muajin shtator detyrimin që ka bashkia është 14 mijë e ca euro. Është firmosur nga kryebashkiaku.”, -tha Shehaj.
Kreu i Bashkisë së Shijakut tenton të mbrohet për depozitimin falas të mbetjeve, por harron marrëveshjet e firmosura
Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë, Brisida Shehaj gjatë konferencës për media përgënjeshtroi deklaratën e kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana i cili tha se plehrat depozitoheshin falas.“Që nga koha e mbylljes së Porto Romanos Bashkia e Shijakut ka bërë depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Bashkia e Shijakut ka hapur tenderimin për menaxhimin e mbetjeve që të shkojnë në një landfill. Për aq kohë sa nuk është mbyllur tenderimi Bashkia e Shijakut do t’i depozitojë në Sharrë. Deri në këtë moment që flasim Bashkia e Shijakut nuk ka paguar asnjë qindarkë. Edhe këto ditë shtatori nga përfundimi i kontratës, bashkia po i çon falas në Sharrë.”- është shprehur ndër të tjera Arbana. Por Shehaj publikoi marrëveshjen për mbetjet të firmosur midis Bashkisë së Shijakut dhe Inceneratorit të Tiranës, në të cilën thuhet se palët bien dakord që do të paguhet tarifa 29 euro për ton mbetje të depozituar në inceneratorin e Tiranës. Ajo shtoi se Shijaku paguan para dhe askush nuk e bën këtë shërbim falas.