Balluku në botën e çudirave/ Rikthehet ligji komunist i konfiskimeve të pronave, gati skenari me qiri. KLSH: Ja allishverishet e KESH me energjinë

131
Sigal

 

PD ka denoncuar vazhdimisht në parlament se aty në një prej kullave të oligarkëve ndodhen 5 kate pa leje. Vetë Balluku, sipas denoncuesit ka firmosur që të legalizohen katet. Po Balluku, a ndjen përgjegjësi kur i kërcënon tani ndërtuesit me sekuestrim?

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim me anë të të cilit synon t’u konfiskojë ndërtimet pa leje ndërtuesve, të cilët i kanë zhvilluar ato qoftë edhe jashtë planit me qëllim për t’i legalizuar ato më pas. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, tha se katet shtesë të pallateve, të cilat janë ndërtuar jashtë planit, do konfiskohen dhe do përdoren nga shteti për zyra apo në ndihmë të komunitetit. Po Belinda Balluku, a ndjen përgjegjësi kur i kërcënon ndërtuesit me sekuestrim, kur vetë ka lejuar jo pak, por 4 apo 5 kate pa leje në qendër të Tiranës dhe kur për këtë skandal është njoftuar si nga mediat ashtu edhe nga opozita?

PD ka denoncuar vazhdimisht në parlament se aty në një prej kullave të oligarkëve ndodhen 5 kate pa leje. Vetë Balluku, sipas denoncuesit Gazmend Bardhi ka firmosur që të legalizohen katet. Bardhi ka deklaruar se është marrë leje për ndërtimin e 37 kateve dhe 5 kateve nëntokë, por kësaj ndërtese i janë shtuar edhe 5 kate pa leje. Pra, në total gradaçela ka 42 kate nga 37 kate për të cilat ishte kërkuar leje. Atëherë pse nuk u mor kjo masë edhe për këtë rast, që katet pa leje t’i sekuestroheshin dhe “t’i jepeshin popullit”? Teksa sot Balluku deklaron se: “Akti në ditë në vazhdim do të ketë të tjera komunikime. Ka të bëjë me ndërtesat pa leje, siç ka një trend për ndërtimin e shtesave mbi lejet që ka dhënë bashkia. Ky trend ka një sjellje, që leja është me 7 kate, bëhen me 3 kate të tjera shtesë. Këto nuk do tolerohen më, do konfiskohen dhe do të merren për përdorim publik. Ky është proces i gjatë dhe që ka për qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese. Për çdo ndërtesë që ka shkelur lejen apo që ka ndërtuar pa leje do ketë investigim edhe për institucionet, që kanë për detyrë të monitorojnë u kanë kaluar këto ndërtime nën hundën e tyre,- tha ndër të tjera Balluku.

Drita me orare

Sot qeveria do të prezantojë paketën e re për energjinë. Zv.kryeministrja Belinda Balluku e pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, nëse do të ketë ndërprerjeje të energjisë elektrike pas orës 22:00, Balluku sqaroi se po shqyrtohet plani që pas orës 22:00 të ndërpritet ndriçimi publik, ashtu sikurse Gjemani dhe në disa vende të BE-së. “Nuk më rezulton që të ketë masa për ndërpreje të energjisë pas orës 22:00. Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik. Aplikimi i ndriçimit publik, i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër ndodh nga ora 4 pasdite deri në orën 10 të darkës. E ka nisur Gjermania dhe po e aplikojnë e vendet e tjera. Është një paketë për kursimin e energjisë. Përsa i përket fashës 800 KË/ orë që do të fillojë nga 1 tetori, do ketë dhe disa të tjera masa drastike. Nesër do të prezantojmë paketën e kursimit të energjisë.”,- tha Balluku.

Shkëmbimi i energjisë, KLSH: KESH shiti lirë dhe përdori “depozitën” me Kosovën

Dy operatorët e gjenerimit të energjisë në Shqipëri dhe Kosovë kanë mes tyre një marrëveshje depozitimi që i shërben optimizimit të portofoleve mes njëra-tjetrës. Për hir të natyrës së ndryshme të prodhimit të energjisë ku njëra ka në bazë hidron dhe tjera termocentralet marrëveshja është parë si një opsion i mirë për të rritur përfitimet dhe sigurinë energjetike mes vendeve. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se në disa raste nuk është përmbushur siç duhet marrëveshja e shkëmbimit që dy vendet kanë mes njëri-tjetrit. Konkretisht KLSH nënvizon se nga auditimi rezulton se, Korporata Elekteoenergjetike Shqiptare ( KESH SHA) ka shitur energji elektrike si pasojë e prurjeve të mëdha në muajt shkurt-maj 2018, nëntor-dhjetor 2019 dhe tetor-dhjetor 2020. Në këto periudha, sipas dokumentit, në vend që të rezervohet energji në KEK, pasi çmimi i shitjes në bursa është shumë i ulët, është marrë nga KEK dhe është shitur me çmime të pafavorshme, siç është shitja në kushtet e prurjeve të mëdha, duke dëmtuar interesat e KESH SHA(përjashtim bën periudha tetor-dhjetor 2021, ku është marrë dhe është rezervuar energji në KEK).“Nga ana e KESH SHA, janë vënë në dispozicion vetëm dy e-mail, sipas të cilëve i ësht bërë kërkesë KEK për depozitim energjie, konkretisht me shkresën datë 16.03.2018, është bërë kërkesë për depozitim energjie për periudhë 72 orësh për sasinë 12252 MWh, me kapacitet deri 200 MW në bandë dhe me shkresën datë 24.03.2018 i është bërë kërkesë KEK për rezervim energjie për periudhë 6 ditore, për sasinë 10509 MWh, kërkesë së cilës i është kthyer përgjigje për pamundësinë e marrjes së kësaj sasie për arsye të përballjes me teprica të mëdha.Megjithëse kërkesa për depozitim në KEK mund të mos jetë e pranuar është i pa justifikueshëm fakti se nga ana e KESH SHA të pranohet marrja e energjisë nga KEK në kushtet kur ka prurje të mëdha. Veprimet e mësipërme janë në mospërmbushje me marrëveshjen e shkëmbimit të energjisë elektrike neni 1” thuhet në dokumentin e auditimit. I njëjti ka bërë edhe rekomandim për korporatën duke nënvizuar se nga shoqëria KESH SHA, duhet të bëhen përpjekjet e duhura për zbatimin e marrëveshjes së shkëmbimit të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë përfitimet e të dy palëve, duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga pala tjetër, me synim përballimin e problematikave dhe optimizimi e shkëmbimit të energjisë elektrike, për të dy kompanitë.