“Bomba” e ish- aleatit të Ramës: PS nuk do qeverisë e vetme edhe pse ka 74 mandate

475
Kreu i Lëvizjes ‘Zgjidhja’ dhe ish aleati i Edi Ramës, Koco Kokëdhima ka folur për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe fitoren e PS. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në ‘News24’ Koço Kokëdhima ka thënë se ato ishin zgjedhjet më të këqija dhe që nuk prodhuan asnjë lloj progresi.
“25 qershori shënoi zgjedhje pa asnjë progres. Ishin zgjedhjet më të këqija se ato të kaluarat dhe me standardet më të ulëta. Kjo provoi se ne kishim të drejtë për të refuzuar këto zgjedhje. Duke qenë se ishin zgjedhje pa standarde dhe nuk do sillnin ndonjë gjë të re, ato nuk do prodhonin zgjidhje për popullin. “Zgjidhja” bojkotoi këto zgjedhje dhe ftoi edhe popullin për bojkot”- tha Kokëdhima.

Ai tha ndër të tjera se pjesëmarrja e ulët në votime dëshmoi se populli ka dëgjuar thirjen e lëvizjes ‘Zgjidhja’ për bojkot.

“Të zbresësh pjesëmarrjen në 9% është një shifër shumë e lartë. Ne nuk bëmë fushatë për të bërë zë në fletën e votimit, por për të bojkotuar zgjedhjet. Sa më i thellë bojkoti i këtyre zgjedhjeve, aq më shpejt do vijë reformimi i sistemit elektoral. Bojkoti shënoi rekord në këto zgjedhje”- tha Koco Kokëdhima.

Ndërkohë sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, ku PS mori 74 mandate dhe mund të formojë qeversjen e vetme, Koco Kokëdhima u shpreh se pavarësisht kësaj, PS nuk do qeverisë e vetme, pasi shumica e tillë duket sikur prodhon një stabilitet, por është një stabilitet i rremë.

“Sigurisht Rama mund të ndihet më komfort, por mund të ndihet edhe keq, pasi në këto zgjedhje luajtën rol blerjet e votave. Edhe pse me 74 mandate, PS nuk do qeverisë e vetme, pasi shumica e tillë duket sikur prodhon një stabilitet, por është një stabilitet i rremë. Këto zgjedhje nuk i kanë kuruar plagët e Shqipërisë, as plagët e zgjedhjeve, as plagët e ekonomisë, por vetëm sa i kanë mbuluar ato. Unë nuk pres që këto zgjedhje të prodhojnë stabilitet në qeveri. Këto janë zgjedhje të kontestuara dhe të anatemuara”- u shpreh Kokëdhima, raporton ‘BalkanWeb’.

Duke komentuar marrëveshjen e 18 majit Rama-Basha, Koco Kokëdhima tha se shumica që do qeverisë do bazohet në një bashkëpunim PS-PD, ndërsa marrëveshja nuk i shërbeu vendit dhe zgjedhjeve të lira.

“Shumica që do qeverisë do bazohet në një bashkëpunim mes PS dhe PD. Marrëveshja e 18 majit mendoj se nuk i shërbeu vendit dhe zgjedhjeve dhe nuk i përmirësoi standardet e zgjedhjeve dhe ishte e detyruar për opozitën”- tha ish aleati i Ramës.
Sigal