Bojkotohet seanca nga opozita, nuk ka dakordësi për reformën në drejtësi, shtyhet ligji për Teatrin

512
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Sesion i ri parlamentar zhvillohet me debate të vjetra, nuk ka dakordësi për reformën në drejtësi

Mazhoranca shtyn diskutimin për projektligjin “Për teatrin”, nuk ka strategji politike për të kapërcyer kolapsin në drejtësi

Dje në seancën e parë parlamentare për sezonin e ri, opozita e bojkotoi, sepse paraprakisht në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve të Komisioneve Parlamentare dhe Grupeve Parlamentare, nuk u gjet gjuha e përbashkët, mungoi vullneti politik për kompromis dhe palët politike nuk lëshuan “pe” asnjërës. Gjithçka tregoi, se do të vazhdojnë debatet e vjetra midis mazhorancës dhe opozitës, edhe pse tani nuk ka më kohë, pasi siç dihet, deri në qershor 2019 duhet domosdoshmërish të riformatohet Gjykata Kushtetuese, të ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Krerët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI u shprehën për ta rimarrë reformën nga e para dhe të rivotojnë bashkërisht me konsensus 6 ligjet e kësaj reforme, të cilat mazhoranca i ka votuar më parë pa konsensusin e opozitës. Siç pritej, mazhoranca nuk e pranoi këtë propozim të opozitës, duke i qëndruar propozimit të saj, që opozita të sjellë në parlament amendamentin e saj për projektligjin “Për Magjistraturën” dhe ta votojnë bashkërisht. Grindjet, tensionet, akuzat e ndërsjella midis mazhorancës dhe opozitës e lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa u ngritur as SPAK, pa Prokuror të Përgjithshëm.

Socialistët shtyjnë votimin për prishjen e Teatrit

Duket se mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama po shfaqin shenja frike për çështjen skandaloze të “ligjit special” për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve gjatë diskutimeve për punën dhe kalendarin 3 javor, Partia Demokratike ka kërkuar miratimin e dekretit të Presidentit Meta që do të çonte në një ligj të ri për teatrin. Mësohet se konferenca e kryetarëve e ka shtyre shqyrtimin e këtij dekreti në një kohë të mëvonshme. Dekreti për teatrin ishte parashikuar të kalonte në Kuvend në datën 13 shtator. Burimet thanë se ky dekret pritet te kaloje ne datën 20 shtator. Por edhe këtë shtyre, opozita e ka cilësuar thjesht një lëvizje taktike. Ligji special i Teatrit Kombëtar, i votuar vetëm me votat e shumicës socialiste më 5 korrik, u kthye nga Presidenti Meta më 27 korrik.

Mazhoranca i përgjigjet akuzave të Opozitës: Tani kemi krime shumë më pak

Deputeti Balla, nga foltorja e parlamentit u mundua të flasë me shifra, për të rrëzuar akuzat e opozitës, se Shkodra dhe Shqipëria është në duart e krimit, duke thënë, se “Shifrat tregojnë se në vitin 2010, kur Basha ishte ministër i Brendshëm, kishim 18 vrasje vetëm në Qarkun Shkodër, krahasuar me një shifër prej 8 vrasje gjatë tetë-mujorit të parë të vitit 2018. I njëjti numër vrasjesh është dhe në gjashtëmujorin e fundit të mandatit të PD në vitin 2013, ndërsa 6 vrasje u regjistruan në mandatin e parë të Rilindjes”, tha Balla.

Mbyllet Kuvendi, miratohen projektligjet me votat e mazhorancës

Pa opozitën, është mbyllur seanca plenare në Kuvend, pas miratimit të ligjit për shpërblimin e ish të përndjekurve. Projektligji u miratua me 74 vota dhe vetëm me votat e mazhorancës.