Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi si dhe kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, u shpreh sot gjatë fjalës në seancën plenare të Kuvendit se drejtësia e vërtetë duhet të ishte pengesa kryesore për inkriminimin e politikës dhe korrupsionit.
Blushi e mori fjalën pas raportimit të Avokates së Popullit, Eranda Ballanca në seancën e nisur prej paradites së sotme ku raportuan edhe drejtuesit e disa institucioneve të Drejtësisë.
Blushi iu referua indeksit të sundimit të ligjit, që sipas tij, vërtetoi se lufta kundër korrupsionit është përkeqësuar 100% në raport me 10 vite më pare kur Reforma në Drejtësi nuk ishte miratuar.
Blushi u shpreh se deputetët socialist kanë dosje shantazhi në SPAK, ndaj sipas tij, detyrohen të votojnë afera korruptive.
“Aktualisht numri i të paraburgosurve nga SPAK, që ndodhen pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, përbën vetëm 9.7% të totalit, pra nga 2,791 të paraburgosur, vetëm 270 janë nën hetim nga SPAK”, tha Blushi
Ndërkohë, sipas tij, numri i të dënuarve me burg pas hetimeve të SPAK përbën vetëm 9.5% të totalit — nga 1,722 të burgosur, vetëm 165 persona janë dënuar në bazë të procedimeve të kësaj strukture.
“Nëse do të krahasojmë këtë përqindje me faktin që SPAK mbulon vetëm 1.39% të çështjeve penale në vend, del qartë përdorimi i kësaj strukture si mjet represioni politik nga Edi Rama”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë.
Blushi u ndal edhe tek mbajtja në burg e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta të cilit sipas tij, i është privuar e drejta që ia njeh ligji për t’u takuar me deputetë dhe eurodeputetë si dhe të komunikojë lirshëm me mediat dhe gazetarët.





















