Blerina Llalla: Krimi s’mund ti marri peng zgjedhjet e lira të 25 prillit

284
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Reforma në drejtësi, mbeti kryefjalë e përgjërërimit të fushatës “Rama 3” nën kamuflimin e Rilindjes. Po si mund t’i besohet kësaj thirrje kur më të parët që e shkelni jeni ju dhe anëtarët e kryesisë tuaj? Kur jo më larg se tre ditë më parë Syri me shikim të mprehtë, na dëshmoi me një foto ekskluzive se një nga figurat më kryesore të PS, siç është zoti Taulant Balla, shfaqet nga kërthiza e Shqipërisë duke bërë fushatë me figura të inkriminuara, personazhe nga bota e krimit dhe trafikimit! A mos është kjo kërthiza e kësaj Rilindje? Qendra dhe kordoni që e mban në jetë? E po duhet prerë!   Dita-ditës kemi qenë dhe jemi dëshmitarë që kriminaliteti dhe të gjitha llojet e trafiqeve kanë “Rilindur” aq fuqishëm sa nuk e kishim menduar gjatë kohës së drejtimit të vendit nga kjo qeveri arrogante. Është paradoksale të mohosh një fakt të tillë, por është po aq tallëse, fyese dhe poshtëruese që të flasësh përpara elektoratit popull për drejtësi dhe të përdorësh elementët kriminalë për fushatë. Sidomos në një kohë kur vetë ligji, kodi etik elektoral, dhe ndërkombëtarët thërrasin në emër të proçeseve demokratike të vendimarrjes, në emer të proçeseve të integrimit duke thënë: – Mos! Politika të qëndrojë larg krimit!  Ndoshta karakteri politik i Rilindjes është mosbindja! Por ky njëkohësisht është një tregues se si funksionojnë dhe vlerësohet puna e institucioneve të drejtësisë dhe policisë në vendin tonë nga kjo politikë. Duket që të gjitha strukturat i janë dorëzuar krimit që i komandon. Ku persona me preçedent penal e kriminal për vepra të ndryshme, si Astrit Sufali në krah të Taulantit në Peqin, bëjnë hije me shokë, e s’lënë as policin të realizojë misionin e tij me sukses.

Përkundrazi, në vend që të goditet, është krimineli ai që godet uniformën e shtetit, mishin, kockën, emrin dhe figurën e tij! E bën, se e ndihmon politikani, deputeti e sekretari. Këto janë asetet e kësaj kaste politike që i japin status dhe forcë njëri-tjetrit. E kështu kanë krijuar një shtet ku paguan oligarku, ku policia dhe drejtësia komandohen prej kriminelit që të emëron dhe të ç’emëron si polic e titullar. Një palë duke i marrë si truproja personale dhe të tjerët duke i ndëshkuar sepse kryejnë detyrën konform ligjit. Fitimi dhe përqindjet i qarkullojnë në trekendëshin e tyre bermudian, me tre kulmet: politikan, oligark dhe kriminel. Elbasani mbetet një qark shumë delikat, një zonë e nxehtë ku këto rryma përplasen fuqishëm, nën e mbi tokë. Pa shumë zhurmë por që lëkundjet ndjehen. Taulant Balla me në krah oligarkun dhe krimin nuk mund të gënjejë më një popull as natën për ditë, as ditën për natë rrugicave që kërkojnë diell. As Rilindja e famshme e Baba Ramës. Jemi të kënaqur me gënjeshtrat tuaja sot e tetë vjet, aq sa kemi mësuar si bëhen e t’ju themi: – Ikni, se e bëjmë vetë rolin tuaj në skenë të hapur. Jeni thjesht pa shije! Peshku është qelbur nga koka dhe vetëm mizat e ngordhura i venë pas!  Mos harroni që shohim më mirë nëpërmjet syve tanë, pa syze 3D, Xray dhe optike! Madje shohim aq mirë sa do t’a kuptoni kur të shohim emrat dhe do të shihni X që do të shënojmë në qitjen e 25 prillit. Elektorati që mendoni se ja hodhët e ja mblodhët e ka syrin pishë dhe atë ditë do të godasi në shenjë frutat më të mira për ndryshimin e menusë politike! Po aq sa do të shihni një aftësi shinjestrimi të lartë për të rrëzuar pemën e së keqes që ka mbirë në këtë vend! Votat tona do jenë fishek për drejtësi!  Krimi mund të jetë zgjedhja juaj, por nuk është zgjidhja jonë! Krimi mund të jetë zgjidhja juaj, por nuk është zgjedhja jonë! Zgjedhja dhe zgjidhja jonë është drejtësia! Ajo drejtësi që po vjen kundër krimeve tuaja Rilindase, që kanë vetëm një dat dhe afat skadence 25 Prillin! Në pranverë fillojnë punët e mira! Mos u mërzit. Ja, prit dhe pak “Rilindje”.