CEZ rikthen ‘gjinkallat’ në Berat

482
Sigal

Edhe pse ka rritur çmimet e energjisë dhe abuzimet më faturat, tashmë konsumatorët po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike, e cila ndërpritet çdo ditë që në orët e para të mëngjesit. Por këtu nuk mbaron gjithçka pasi përveç këtyre duhet të durosh edhe zhurmën e gjeneratorëve, të cilët gumëzhijnë nëpër lagjet e qytetit. Ka disa ditë që CEZ, ka bërë ndërprerjen e energjisë elektrike me pretekstin e remonteve. Ndërprerjet bëhen nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 të pasdrekës. Ky veprim ka shqetësuar jo vetëm familjarët, por dhe biznesmenët e qytetit, të cilët cenohen direkt tek biznesi i tyre. Madje duhet theksuar që në shumë biznese është ndërprerë puna dhe në shumë të tjerë janë dëmtuar produktet ushqimore. Njerëzit shprehen se CEZ, po rikthen ‘gjinkallat’ (gjeneratorët) në qytet. Biznesmenët shprehen se e kanë të vështirë që të komunikojnë me drejtuesit e CEZ, pasi në momentin e shkëputjes së energjisë ata largohen dhe telefonin e dezhurnit e lënë hapur me qëllim. Drejtuesit e CEZ, janë përgjegjës për këto veprime të pamatura. Ne jemi biznesmen dhe kemi për detyrë që të shlyejmë detyrimet ndaj saj, por jo CEZ-i të na ndëshkojë me ndërprerjen energjisë elektrike. Ne nuk kemi gjeneratorë,- janë shprehur disa pronar të pikave interneti, tashmë jemi të detyruar që të mbetemi pa punë për mungesën e energjisë elektrike.