Shteti në zemër të piramidës CEZ

469
Sigal

KUVEND/ Përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës për kompaninë e shpërndarjes së energjisë. vazhdojnë protestat qytetare kundër CEZ-it

Nuk ka asnjë dyshim se gjatë më shumë se njëzet viteve të demokracisë shqiptare, një nga mashtrimet më të mëdha që u është bërë shqiptarëve është me energjinë elektrike. Ky megamashtrim ka vetëm një emër të përmbledhur në tri germa: CEZ. Është një kompani çeke që mori përsipër administrimin e energjisë shqiptare. Kjo ka ndodhur pak më shumë se dy vjet më parë, kur e shumëtrumbetuara nga Qeveria shqiptare si shpëtimtare dhe zgjidhje e problemeve të energjetikës, mori çelësat e… thesarit shqiptar! E themi këtë pasi, jo vetëm që nuk bëri asnjë investim në energjetikë, por ka dy vjet e më shumë që vetëm grabit në mënyrë të përbindshme shqiptarët. CEZ është një nga historitë më të dhimbshme të tranzicionit shqiptar. Dje në Parlament u bë një debat i ashpër për këtë çështje. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se, qeveria ka nisur negociatat me Bankën Botërore për t’i dhënë 100 milionë euro KESH-it (lexo: CEZ-it). Nga foltorja e Kuvendit, Bode deklaroi se qeveria do të vijojë me importimin e energjisë, për sa kohë që vendi ndodhet në këtë situatë. Mirëpo, ‘dielli nuk mbulohet me shoshë’, thotë populli. Këtë duket se e ka kuptuar më në fund edhe qeveria, ndërsa dje Bode deklaroi hapur se “Kanë ardhur deri tani shtatë misione të Bankës Botërore, vetëm për këtë çështje, Enti Rregullator, që është autoritet i Kuvendit, ka nisur procedurat për heqjen e licencës (CEZ-it). Kështu, për të rikuperuar sadopak nga imazhi i saj, Qeveria e hedh fajin e krizës që ka përfshirë sistemin financiar tek kompania “CEZ”, që është keqmenaxhuar. Deklarata e Bodes u kundërshtua fort nga opozita. Thelbi i argumentit: CEZ është një kompani mashtruese, mbase piramidë, të cilën e kanë përzënë sit ë tillë nga mjaft vende të tjera, ndërsa ne vazhdojmë ta mbajmë, madje ta përkëdhelim. Përse? Pikërisht këtu lindin shumë pikëpyetje. Mos kjo qeveri dhe ky shtet është në zemrën e kësaj piramide mashtruese? Deputeti socialist Ahmetaj e tha fare shkoqur dje se kjo qeveri është e kapur nga CEZ. Ndoshta Ahmetaj ka të drejtë. Sjellja e deritanishme e kësaj qeverie lë shumë për të dyshuar. Sepse është fakt i pakontestueshëm se CEZ gjatë kohës që zhvillon biznesin në Shqipëri, nuk ka bërë asnjë investim, por vetëm ka grabitur xhepat e shqiptarëve. Ndaj dhe revolta qytetare ka ardhur në rritje.

Nga historia

Më 24 shtator 2010 CEZ Group dhe Qeveria e Shqipërisë deklaruan ri-emërtimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë në Shqipëri në CEZ Shpërndarje. Duke lënë pas një filozofi të vjetër pune dhe menaxhimi dhe duke përqafuar standardet dhe vlerat e CEZ Group, ri-emërtimi i kompanisë sipas imazhit te korporatës të CEZ erdhi si një hap i natyrshëm përpara. “Ne po ndërmarrim ndryshime thelbësore në kompani. Shume shpejt të gjithë do të jemi në gjendje të dëshmojmë dhe përjetojmë që CEZ Shpërndarje, kompania e re që ne po ndërtojmë nuk ka shumë gjëra të përbashkëta me atë që në gjetëm kur erdhëm për herë të parë në Shqipëri,” deklaroi gjatë konferencës për shtyp Josef Hejsek, Kryetar i Bordit të Drejtoreve të CEZ Shpërndarje. “Në një vit, ne kemi riorganizuar kompaninë për ta bërë më eficente dhe po investojmë vazhdimisht për ta transformuar atë në një kompani të orientuar ndaj klientit që operon në përputhje me standardet europiane.” Prezent ne konferencën për shtyp, Zv/kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Ilir Meta në emër të Qeverisë Shqiptare, përgëzoi kompaninë për ndryshimet dhe e siguroi CEZ Group për mbështetjen e Qeverisë në lidhje me investimet e CEZ Group në Shqipëri.

Dy vjet më vonë: 16 prill 2012

Kryeministri i Republikës çeke, Petr Necas në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Sali Berisha deklaroi se, pret që kompania ceke CEZ Shpërndarje të zgjidhë mosmarrëveshjet e krijuara kohëve të fundit në tregun shqiptar, në mënyrë që të kthehet në investim suksesi. “Problematika lidhur me CEZ-in dhe marrëdhëniet komplekse në Shqipëri është trajtuar nga të dyja palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe, besoj se po shkohet drejt dhënies së përgjigjes më të mirë të problemeve. Kam besim të plotë në kapacitetet e mëdha investuese dhe menaxhuese të CEZ, si një korporatë ndër më të mëdhatë në Europë dhe në mbështetjen që qeveria ceke i japin korporatës për të investuar. Unë e garantova Kryeministrin se jemi për suksesin e CEZ dhe ramë dakord për të përgatitur një histori suksesi në interes të konsumatorëve shqiptar, në interesin më të mirë të korporatës CEZ në Shqipëri”,- deklaroi kryeministri shqiptar.

Tabloja e sotme

Qytetarët janë ngritur në protesta masive. Nuk mund të durohet më tej laku I CEZ-it në qafën e shqiptarëve. Mirëpo ç’ndodh? Ndërsa qytetarët protestojnë kundër CEZ-it, shteti ynë në vend që të verë përpara përgjegjësisë ligjore kompaninë mashtruese, ndëshkon qytetarët e vet. Pardje u ndaluan dhe u proceduan penalisht 40 qytetarë, për të vetmin mëkat sepse protestuan kundër CEZ-it! Absurditet më të madh nuk gjen në faqe të dheut. Dhe pse të mos thuash atëherë se shteti është zemra e kësaj piramide të madhe mashtruese?

________________________________________________________________________________

PËRPLASJET NË KUVEND PËR CEZ-in

Debate në Kuvend në lidhje me aktin normativ, i propozuar nga Ministria e Financave, që ka të bëjë me disa ndryshime në ligjin e buxhetit të shtetit të vitit 2012. Ministri i Financave, Ridvan Bode tha se, akti ka të bëjë me detyrimet e papërmbushura që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkitë e komunat për sistemet e pompimit kanë ndaj shoqërisë “CEZ”, një situatë kjo anormale në respektimin e marrëdhënieve kontraktuale. Në këto kushte, me qëllim shmangien e problemeve sociale, qeveria propozon aktin normativ, që detyrimi i ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe detyrimeve të njësive vendore për pompat e ujit dhe për energjinë të zbritet nga transferta e pakushtëzuar e njësisë së qeverisjes vendore dhe të destinohet për shlyerjen e detyrimeve elektrike ndaj CEZ, detyrime të shtrira në kohë nga viti 2007 deri në qershor 2012. Sipas qeverisë, kjo është një zgjedhje e sforcuar dhe e detyruar, por që duhet bërë për vendosjen e kredibilitetit në marrëdhëniet kontraktuale me ndërmarrjen.

Bode: “Negociata me BB për t’i dhënë 100 milionë euro KESH-it”

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se, qeveria ka nisur negociatat me Bankën Botërore për ti t’i dhënë 100 milionë euro KESH-it. Nga foltorja e Kuvendit, Bode deklaroi se, qeveria do të vijojë me importimin e energjisë, për sa kohë që vendi ndodhet në këtë situatë. “Negociata me BB për t’i dhënë 100 milionë euro KESH-it. Do vijojmë importimin e energjisë. Importim të energjisë për sa kohë jemi në këtë situatë”,- theksoi Bode. Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, theksoi se akti është i balancuar, akuzoi opozitën se po tenton të përfitojë nga një situatë vështirësie dhe nuk kontribuon në zgjidhjen e situatës. “Ju lumturoheni kur ka vështirësi dhe nuk kontribuoni për zgjidhjen e situatës. Një opozitë e vërtetë bëhet pjesë e zgjidhjes, ndërkohë ju qeverisni në një pjesë të Komunave dhe të Bashkive të vendit, ndaj ju duhet ti bëni thirrje që të menaxhojnë mirë sipërmarrjet e ujësjellësve, të paguajnë faturat elektrike, të mos rrisin numrin e militantëve të punësuar. Ky do ishte konstruktivitet. Akti normativ. nuk bllokon dhe nuk shkurton fonde buxhetore, por i jep mandat Ministrisë së Financave të garantojë shlyerjen e fatura elektrike dhe sipërmarrjes së ujësjellësit, akti është i balancuar. Do ishte mirë që në të ardhmen mos të vijmë në masa shtrënguese”,- deklaroi Shehu.

Ahmetaj-Bodes: “Ti je përgjegjës për kolapsin”

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj, akuzoi ministrin e Financave Bode si të vetmin përgjegjës për dështimin e sistemit energjetik, siç tha ai. “Sistemi energjetik i superfuqisë energjetike ka dështuar, është në kolaps. Ministri Bode tha se, fajin e ka CEZ. Ne si opozitë kemi 3 vite që i themi që sistemi energjetik është duke u keqmenaxhuar nga korrupsioni i kësaj qeverie. Ju e dëgjuat që sistemi energjetik është një piramidë që e ka nderuar kjo qeveri”, tha Ahmetaj. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka bërë asgjë që të parandalojë këtë situatë. “Këta nuk e detyrojnë dot CEZ të zbatojë ligjin, të ka kapur CEZ-i për gryke se jeni qeveri e kapur. Ti zoti Bode je përgjegjës për kolapsin e energjetikës”, shtoi Ahmetaj.

Braçe: “Zgjidheni ose do i zhysni shqiptarët në hale”

Deputeti socialist Erjon Braçe, kërkoi prezencën e Ministrit Bode, gjatë debatit për situatën energjetike në vend si dhe borxhet e Ujësjellësit, duke i cilësuar si çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. “Ne nuk mund të rrimë në Parlament të diskutojmë me një çështje që nuk i përket as PD-së dhe as PS-së, por ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe të paktën ministri i Ekonomisë duhet të jetë këtu dhe të mbajë përgjegjësi si do zgjidhet kjo situatë. Në rast se nuk do zgjidhet do i çojë shqiptarët në hale”,- deklaroi Braçe.