Blerim Çela:Duhet një KQZ e pavarur, jo me propozime partiake

487
Sigal

INTERVISTA/  Flet anëtari i Kryesisë së Partisë FRD,  Blerim Çela: Nuk kemi patur asnjëherë zgjedhje të pakontestuara

Ditët e fundit, zhvillimet në KQZ, nuk kaluan pa lënë gjurmë të thellë edhe në partinë e re FRD. Madje, një nga titullarët e kësaj partie z. Blerim Çela komenton se, duhet bërë urgjent një Kod i ri Zgjedhor me KQZ të pavarur dhe sistem proporcional kombëtar, ku të përfaqësohen edhe partitë e vogla e të reja në Parlament, nëse arrijnë numrin e duhur të votave. Z. Berisha beri një koalicion te panatyrshëm dhe tani po korr atë që mbolli para katër vjetësh. Tani largimi i LSI-se e vuri në vështirësi në KQZ,  duke i hapur jo vetëm atij, por gjithë vendit shumë telashe. “Për mendimin tim largimi i LSI-së e çoi atë në vendin që i takon, por nga ana tjetër e ka fuqizuar zotin Berisha se vendet e punës që kishte LSI-ja do t’i marrin demokratët dhe i jep një fytyrë me të ”djathtë” z. Berisha,por nuk besoj se i jep fitoren” ,thekson Çela.

 Cila është arsyeja e kësaj gjendjeje në Parlamentin shqiptar lidhur me shkarkimet e anëtarëve të KQZ, të propozuar nga e majta?

     Ka 22 vjet që PD e PS tallen me këtë popull dhe demokracinë shqiptare duke mos ndërtuar një shtet ligjor, funksional në respekt të ndarjes së pushteteve , të votimeve e numërimit korrekt të votave e sidomos në mos respektimin e Kushtetutës. Nuk dua të shfajësoj as veten time, as miqtë e mi demokratë të djeshëm e të sotëm , por as ish -parlamentarët e djeshëm e të sotëm të së majtës duke ia hedhur fajin vetëm udhëheqësve të të dy partive, konkretisht zotit Berisha dhe zotërinjve Nano e Rama. Ata kanë përgjegjësinë e ndërtimit të një sistemi politik jo në përputhje me parimet demokratike dhe Kushtetutën, por në interes të qëllimeve te tyre partiake për sundim personal. Ata nuk e ngritën vetëm këtë sistem, e ngritën me ndihmën tonë që i besuam verbërisht si të djathtët dhe të majtët. Pa votat tona në parti e në Parlament, ata nuk do të mund të ndërtonin një sistem të tillë ku njëshi është zoti. Është e rëndë kjo që them, por e vërtetë. Kurrsesi kryeministri i sotëm e Presidenti i djeshëm, pra kryetari i përjetshëm i PD-së z. Sali Berisha, nuk do të bëhej ky që është sot, nëse ne ish- deputetët e djeshëm e të sotëm, nuk do ta mbështesnim sistemin partiak e politik të uzurpimit të të gjitha pushteteve nga ai. Ai është njeriu që sot sulmohet më shumë se kushdo tjetër për jetëgjatësi në pushtet, por edhe për faktin se ishte shpresa  e shqiptareve, të djathtë e të majtë që e donin demokracinë, duke e parë atë si shpëtimtarin e vendit. Jo më pak përgjegjësi kanë edhe liderët e së majtës që me mbështetjen e deputetëve të djeshëm e të sotëm, ndërtuan një sistem partiak që nuk i u përgjigj interesave  të vendit, por atyre personale e sunduese për pasurim. Nëse në këtë batak ka rënë partia e z. Berisha sot, është fakt se dje ra për 8 vite me radhë edhe PS e z. Nano. Për fat të keq zoti Rama, adaptoi modelin Berisha. Kjo solli pakënaqësi në radhët e politikanëve e deputetëve të vet, të cilët po mbajnë në pushtet partinë e z. Berisha. E keqja nuk duhet kërkuar vetëm tek këta deputetë, por tek mungesa e demokracisë se brendshme në të dyja këto parti.  I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me PD-në në 1992-‘97, por edhe më vonë, madje edhe në këtë legjislaturë. Kur ligjin e bën njëshi dhe forumet e partive kthehen në shërbim të kryetarëve, ku mendimi ndryshe interpretohet si qëndrim ndryshe, sigurisht që do të ketë reagime, siç pati në të dyja partitë… Nëse z. Berisha, nuk i justifikoi shpresat e shqiptarëve për një Shqipëri të vërtetë demokratike, reagimet kundra tij lindën parti të tjera e tani edhe partia  Fryma e Re Demokratike si protestë e shpresë për një demokraci funksionale. Në PS ka kundërshti, por kontribuuesit e saj nuk ka pse përjashtohen a po mënjanohen nga partia për guximin që demonstrojnë në shfaqjen hapur të ideve të tyre brenda partisë dhe kur mendimi i tyre nuk përfillet,ata janë të detyruar të dalin hapur. Ky nuk është sakrilegj, por detyrë e çdo njeriu të lirë kur sheh se të drejtat dhe mendimet e tij nuk diskutohen ,por dhunohen. Kjo praktikë filloi me PD-në që në vitin 1992 e deri në ditët e sotme e po vazhdon me PS-në. Të dy partitë e mësipërme kanë deformuar thelbin e demokracisë.

       Po jap 2 – 3 fakte të deformimeve të shtetit demokratik: –

       Kur ishte në pushtet PD-ja 1992-1997 të gjitha pushtetet ranë në dorë të z.Berisha (ne mendonim se ranë në dorë të Partisë Demokratike , ç’ka përsëri ishte e gabuar) sepse në demokraci ndarja e pushteteve është kushti themelor për funksionimin e saj. Erdhi PS-ja në pushtet në vitet 1997 – 2005. Në vend që të korrigjonte gabimet e PD-së,bëri të njëjtin gabim,por me mllef më të madh,duke shkuar deri në vrasje militantësh të PD-së. Të gjitha pushtetet kaluan në dorë të z. Nano (socialistët,ashtu si ne, kujtonin se kaluan në dorë të PS-së ), madje edhe KQZ-ja u dominua prej tyre dhe z. Berisha bërtiste në Parlament:- ”Duhet ndarje e drejtë e KQZ-së, tre maxhoranca e tre minoranca, ndërsa kryetari t’i kalojë maxhorancës, d.m.th. PS-së. Në të vërtetë PS-ja e gllabëroi të gjithë KQZ-në deri në votimet e vitit 2005. Me ardhjen e z.Berisha në pushtet në 2005, u shpartalluan bandat e krimit e korrupsionit të PS-së, por në vend të funksionimit të një shteti ligjor të së drejtës,u ngritën bandat e krimit e të korrupsionit të PD-së. Pra nuk u arrit asgjë, vetëm se ikën bandat e kuqe dhe u instaluan bandat blu.  Po populli çfarë fitoi? Asgjë, përveçse  rrugë, një pjesë e të cilave pa standarde. U rritën pak pensionet, si dhe rrogat e arsimtarëve e shëndetësisë kënaqshëm, por problemet e demokracisë e sigurisë nuk ecën si duhet, ritmet e rritjes së ekonomisë, përjashto vitet 2005 – 2009, patën ulje drastike dhe niveli i varfërisë u rrit në përpjesëtim të drejtë me atë të korrupsionit. Atë qe nuk e fiton qytetari e fshatari i thjeshtë e fiton zyrtari e qeveritari i korruptuar. Pushtetet i kaluan të gjitha Berishës e klanit te tij, dhe për këtë tani janë të ndërgjegjshëm edhe demokratët.

   Asnjëherë  dhe nga asnjëra palë nuk u fol për KQZ të pavarur, por të balancuar. Kur ndërtohet një KQZ, me balancim partish (dy ujqit e mëdhenj) dhe jo një KQZ e pavarur nga partitë,nuk mund të ketë zgjedhje të pa kontestuara, aq më tepër kur Kodi Zgjedhor nuk konverton në deputetë votat e fituara nga partitë e vogla e të reja. Nuk mund të funksionojë demokracia kur problemet kushtetuese i zgjidhin 2 krerët e partive të mëdha dhe deputetët votojnë me urdhër, siç ndodhi në 2008 me ndryshimet kushtetuese…  Z.Rama nuk ka përse qahet. Këtë sistem e pranoi vetë, tani le ta vuajë. Deshi balancim, le ta gëzojë. Herë tjetër të kërkojë KQZ të pavarur që të ketë të drejtë morale e juridike të dënojë  shkarkimet e anëtarëve të KQZ-së.

     Për mendimin tim duhet bërë urgjent një Kod i ri Zgjedhor me KQZ të pavarur dhe sistem proporcional kombëtar që të përfaqësohen edhe partitë e vogla e të reja në Parlament nëse arrijnë numrin e duhur të votave.

    – A ishte i drejtë shkarkimi i anëtarit te KQZ-së i LSI-së?

– Me këtë sistem të ndërtuar nga të dyja palët si një sistem i balancuar, koha tregoi se nuk na shërbeu, na çoi në një konflikt interesash që mund të riparohet vetëm me një Kod të ri Elektoral e KQZ të pavarur. Po të ndërtonin një KQZ të pavarur, jo me propozime partiake, z. Berisha nuk do të guxonte të shkarkonte anëtarët e saj. Nuk kemi patur asnjëherë zgjedhje të pakontestuara dhe përsëri nuk do të kemi zgjedhje të lira, përderisa ndërtohen KQZ politike.

 – Si ju duk dorëheqja e nënkryetarit të KQZ-së, z.Denar Biba?

      U desh dorëheqja e këtij juristi dinjitoz që të tundej e gjithë politika shqiptare. Po të lexoni me kujdes nën rreshtat e deklaratës së tij, do të shikoni një protestë të ndershme e të drejtë ndaj sistemit politik shqiptar që ka ndërtuar një Kod Zgjedhor e një KQZ të politikës me anëtarë që i kthejnë në marioneta të partive, siç thotë zoti Denar Biba.  Zoti Denar Biba, sipas mendimit tim, e pranoi këtë detyrë, jo për t’u kthyer në marionetë  politikes, por si jurist për t’i dhënë vendit dhe popullit shqiptar organizim zgjedhjesh të lira e të ndershme. Në se më parë anëtarët e këtij komisioni, pa dëshirën e tyre, janë keqpërdorur nga politika, ky djalë i ri me personalitet njerëzor dhe profesional, nuk pranoi te binte në atë batak . Ai u bë shembull pozitiv për të gjithë ata zyrtarë të emëruar nga politika që të dinë të ruajnë pozicionin e tyre institucional në përputhje me kushtetutën e ligjet e shtetit , dhe sidomos të ruajnë dinjitetin e tyre njerëzor. Zoti Denar Biba e thotë shqip në ligjëratë të drejtë: ”Akti i djeshëm i Parlamentit tregoi mungesën e vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri…. Populli ynë meriton demokracinë e shtetin e së drejtës, ndaj nuk i duhet servirur atij një KQZ me katër marioneta në duart e politikanëve.” Pra ai kërkon respektimin e rregullave të demokracisë ku institucionet e shtetit e sidomos ato të pavarura siç është KQZ-ja të mos formohet me njerëz të vënë nga politika,  por me njerëz që të gëzojnë pavarësi e patundshmëri të plotë në ushtrimin e detyrës,duke i dhënë popullit shqiptar zgjedhje të lira,të drejta,të ndershme e të pakontestuara, sepse, thotë zoti Denar, ky popull e meriton. Kjo është dhe një ndjeshmëri jo vetëm njerëzore, por edhe patriotike.

      Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Kur kryen veprime politike amorale,do të presësh të tilla dhe nga të tjerët. Z. Berisha bëri një koalicion të panatyrshëm dhe tani po korr atë që mbolli para katër vjetësh. Tani Largimi i LSI-së e vuri në vështirësi në KQZ  duke i hapur jo vetëm atij, por gjithë vendit shumë telashe. Për mendimin tim largimi i LSI-së e çoi atë në vendin që i takon, por nga ana tjetër e ka fuqizuar zotin Berisha se vendet e punës që kishte LSI-ja do t’i marrin demokratët dhe i jep një fytyrë me të ”djathtë” z. Berisha,por nuk besoj se i jep fitoren.

      Ne shpresojmë që njerëzit këtë radhë do të mendohen mirë para se të japin votën.