25 qershori i “Bajramit të Madh”, “kurban” i paktit Rama-Basha me caktimin e zgjedhjeve

864
Përparim HALILI
Kjo datë e caktuar nga “Shtëpia e Zotit” si ditë bekimi dhe Muaji i Ramazanit që nis më 25 maj, do zhurmojnë nga mëkati i dy partive “motra”
Shteti ka një shërbim protokolli, i cili përveç caktimit të restoranteve, hoteleve dhe të atyre që do ulen në “dreka e darka pune”, ka detyrim të respektoj edhe festat zyrtare, që ato të mos zihen me aktivitete të tjera që cenojnë legjitimitetin dhe atmosferën e ceremonive dhe festimeve të tyre
Paçka se nga të dy “shtëpitë: politike” PS e PD, pas një zallamahie mes njëra-tjetrës, u përshëndet nga halli shtyrja e datës së zgjedhjeve më 25 qershor 2017, kjo datë ka krijuar reagim në “Shtëpinë e Zotit”, mbasi në datën 25 qershor të caktuar nga politika për votime, Zoti e ka caktuar për bekime, si ditë dhe datë e Bajramit të madh. Pikërisht në këtë datë, besimtarët myslimanë, do të festojnë ditën e tyre të shenjtë fetare, por ja që krerët e dy partive politike PS e PD, kanë urdhëruar që në këtë datë të zhvillohen votimet e zgjedhjeve parlamentare. Lidhur me këtë ka reaguar Myftiu e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili ka kujtuar politikën, se kjo është Dita e Bajramit të Madh, ku besimtarët myslimanë do shkojnë të falen në emër të ritit të tyre e jo t’u mbushet kjo ditë me luftën për vota pushteti. Sipas Myftiut të Shkodrës, këtë “mëkat” ndaj Zotit, nuk e ka bërë as ish-pushteti komunist. Dhe është fakt, që paçka se komunizmi i kishte mohuar, ndaluar e “mallkuar” festat fetare, asnjëherë që prej 2 dhjetorit 1945, nuk i caktoi datat e votimeve apo të kongreseve të PPSH, në ditët e shenjta fetare të Ditës Verës, të Bajramit të Madh, të Krishtlindjes, Kurban Bajramit, Novruzit, Pashkës Katolike, Pashkës Ortodokse apo edhe datës së politizuar të 1 Majit. Mirëpo, ja që dy udhëheqësit e PS e PD, në Ditën e Bajramit të madh kanë mbivendosur ditën e votimeve! Për më tepër, që në datën 25 maj nis ramazani dhe kulmon mbylljen e tij me festime të mëdha, në datën 25 qershor, ditën kur shqiptarët edhe duhet të bekojnë Zotin për më shumë paqe edhe duhet të përleshen për votat e pushtetit të krerëve të dy partive, që kanë bërë këtë mbivendosje. Pasi PD mbajti “ramazan” 90 ditë në çadër dhe PS mbajti fjalime anti-çadër, tashmë të bashkuar e me puthje në faqet e pështyra të njeri-tjetrit, caktojnë luftën për vota në ditën që Zoti e ka caktuar për festime! Me sa përcakton ligji, shteti ka një shërbim protokolli, i cili përveç caktimit të restoranteve, hoteleve dhe të atyre që do ulen në “dreka e darka pune”, ka detyrim të respektojë edhe festat zyrtare, që ato të mos zihen me aktivitete të tjera që cenojnë legjitimitetin dhe atmosferën e ceremonive dhe festimeve të tyre. Në Shqipëri janë 14 festa zyrtare, të përcaktuara me data konkrete festimi edhe për vitin 2017, ku data 25 qershor është Dita e Bajramit të Madh. Askush nuk ka fuqi ligjore, që të ndërhyjë në këto festa me aktivitete të tjera, përveç se Zoti, i cili, lejon këtë përshtatje, të bekuar prej tij: “Data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh, mund të ndryshojë sipas kalendarit hënor”. Kjo është e përcaktuar si detyrim edhe në kalendarin Zyrtar Shtetëror të Ditëve të Festave Zyrtare. Mirëpo, ja që drejtuesit e dy partive “motra” me “nënë PPSH-në”, me paktin e tyre e bën 25 Qershorin e Bajramit të Madh, “kurban” të votave për pushtet, duke mos pyetur as për Muajin e Madhnueshëm të Ramazanit”, të cilin e kanë shpallur muaj të fushatës elektorale!
Kalendari i 14 Festave Zyrtare për vitin 2017
1. Data 01 dhe 02 Janar Festat e Vitit të Ri
2. Data 14 Mars, Dita e Verës
3. Data 22 Mars, Dita e Nevruzit
4. Data 16 Prill, e Diela e Pashkëve Katolike & E diela e Pashkëve Ortodokse
5. Data 17 Prill, e Hëna e Pashkëve Katolike & E hëna e Pashkëve Ortodokse)*
6. Data 1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve
7. Data 25 Qershor, Dita e Bajramit të Madh
8. Data 26 Qershor, e Hëna e Bajramit të Madh)*
9. Data 1 Shtator **Dita e Kurban Bajramit
10. Data 19 Tetor, Dita e Lumturimit të Nënë Terezës
11. Data 28 Nëntor, Dita Flamurit dhe e Pavarësisë
12. Data 29 Nëntor, Dita e Çlirimit
13. Data 08 Dhjetor, Dita Kombëtare e Rinisë
14. Data 25 Dhjetor, Krishtlindjet
• Në rastet kur festat zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pushimi.
• Data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh mund të ndryshojë sipas kalendarit hënor. Në rast se do të ketë ndryshime, do të viheni në dijeni me një njoftim të dytë.
Dy qëndrime
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari: As komunizmi nuk caktonte votime në ditët e festave fetare
Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari duket se nuk e ka mirëpritur vendimin e marrë që zgjedhjet të mbahen më 25 Qershor, dhe për këtë situatë ka fajësuar liderët Edi Rama dhe Lulzim Basha. Kjo datë zgjedhjesh përkon me datën e parë të festës së Bajramit të Madh, Myftiu shpreh pakënaqësinë e tij dhe shton se një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në komunizëm, ndonëse feja ishte e ndaluar. Ai ka thënë: “Jemi befasuar nga dy drejtuesit kryesorë kur dëgjuam se caktuan zgjedhjet ditën e Bajramit. Një fenomen që as në kohën e komunizmit nuk ka ndodhur, edhe pse feja ishte e ndaluar. Natyrshëm ne presim reagimin e KMSH, por kjo është e pafalshme ndaj shenjtërisë së kësaj dite. Festat tona janë të shenjta e solide që prekja e tyre duhet të jetë kufi i ndaluar për të gjithë”, ka thënë Sytari në një prononcim për mediat.

Ylli Gurra, Myftiu i Tiranës: Zgjedhjet e 25 qershorit, nuk e pengojnë festën e Bajramit 
Myftiu i Tiranës Ylli Gurra për të njëjtin qëllim. Gurra duket se nuk është dakord me myftiun e Shkodrës teksa e konsideron këtë një koinçidencë që sipas tij më tepër lidhet me limitet kohore për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Për Gurrën më tepër kjo datë është e ndikuar nga ligji. “Në fakt në aspektin fetar nuk ka asnjë problem. Ceremonia e datës 25 qershor nis në orën 06:00 deri në 06:45 të mëngjesit. Pastaj i gjithë harku i ditës është festë për të gjithë besimtarët myslimanë që bëjnë vizita tek njëri –tjetri. Unë nuk e kuptoj se nga është prekur myftiu i Shkodrës që ka këtë qëndrim. Gjithsesi data e zgjedhjeve nuk e prish harmoninë e kësaj feste”, u shpreh myftiu i Tiranës Ylli Gurra për gazetën “Telegraf”. Ai tha se nuk besonte që kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha të kenë vendosur datën e zgjedhjeve qëllimisht në 25 qershor, duke e ditur se në këtë ditë është edhe dita e Bajramit të Madh. Por Gurra është i sigurt, se vendimi për 25 qershorin më tepër është vendosur i ndikuar nga limitet ligjore të përcaktuara për të mbajtur zgjedhjet. “Nuk është për t’u menduar se mund të jetë diçka e qëllimshme”, tha Gurra.
Sigal