Biseda për largimin e shefit të SHISH dhe çfarë mendon për Tahirin e median. Gabimi me reportazhin italian

543
Rama: Biseda për largimin e shefit të SHISH-it
Kryeministri shpjegon arsyen e largimit të Visho Ajazit dhe pse e propozoi si ambasador në NATO. Marrëdhëniet me ambasadorin Lu
Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për arsyet e largimit nga detyra të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, dhe propozimin e tij si ambasador në NATO. “Ajazi ka ardhur tek unë para disa muajsh, dhe më ka kërkuar ta mbështes për një detyrë në NATO, pasi NATO kishte hapur një konkurs për shef programesh për mbrojtjen kibernetike dhe ai ka kërkuar një referencë nga qeveria shqiptare”, u shpreh Rama në emisionin “Studio e Hapur”. Kryeministri shtoi se Ajazi synonte këtë pozicion, duke u bazuar tek fakti se koha e tij në këtë detyrë ishte drejt përfundimit. “Ne i dhamë gjithë mbështetjen. Do të ishte një krenari që një shqiptar, pavarësisht se ku ka punuar, do të merrte një pozicion të rëndësishëm në një institucion të NATO-s. Pra historia e largimit të Visho Ajazit nga Shërbimi fillon më përpara, me vetë iniciativën e tij. Dhe krejt normalisht, unë nuk jam një kryeministër që do të ndjehesha mirë, nëse Drejtuesi i Shërbimit Sekret të Shqipërisë, të dilte në rrugë i papunë”, tha Rama. Ai shtoi se kjo nuk është e denjë për shtetin. “Kemi lënë rrugëve shumë figura. Ajazi më ka dërguar një letër dorëheqjeje që unë nuk e kam bërë publike, se nuk jam këtu për të provuar sa banalitete prodhoni ju çdo ditë, apo si PD ata të tjerët, por më ka dhënë një dorëheqje të denjë. Dhe nuk ka qenë absolutisht një pazar apo detyrim i imi”, u shpreh Rama, ndërsa vlerësoi se emri i propozuar për drejtor të Shërbimit është i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë dhe ka karrierën e tij të plotë. 

Lidhur me marrëdhëniet me ambasadorin amerikan në Tiranë, Rama tha se ato janë shumë të mira. “Nuk jemi në afatet e vlerësimit, se presim të arrijmë disa rezultate të tjera. Pa SHBA dhe pa këtë (ambasadorin), reforma në drejtësi dhe Vetingu, do ishte më vështirë të bëhej”, u shpreh shefi i qeverisë. Sipas tij, krimi i organizuar në Shqipëri është i instaluar kohë më parë. “Dhe është larg së qenit krimi i organizuar i filmave, i krimit italian. Nuk është aq i sofistikuar dhe i gjithëpushtetshëm, dhe ne i kemi të gjitha kapacitetet për ta shkatërruar. S’po themi që s’do kemi më krim, se krim ka kudo, në Amerikë e kudo. Po të shihni shifrat e drogës në SHBA, janë marramendëse”, tha Rama.

Rama…
…për Tahirin:
“Nëse faktohen akuzat, unë do të duartrokas i pari suksesin e prokurorisë. Nuk do ishte hera e parë e politikës, që një ministër i suksesshëm qëlloi në një shkelje fatale të ligjit. Dhe fataliteti është i tij, nuk është as i imi, as i qeverisë. Çdokush që kalon moshën e parashikuar nga ligji është përgjegjës për veprimet e veta. Është njësoj si t’i thuash një prindi për fëmijën e tij të rritur se mban përgjegjësi për veprimet e tij”.

…për kanabisin:
“Për situatën me kanabisin kemi marrë përgëzime nga të gjithë ata që janë me sytë katër, ndërsa në vendin tonë vazhdon historia e përbaltjes. Tashmë të gjithë duhet të ndihen të çliruar së lufta ndaj kanabisit është një sukses. Nuk ka vend tjetër në botë, ku njëri palë të hedhë gjithë llumin e mllefit për vendin e vet. Nuk fitohen zgjedhjet duke u përpjekur të diskreditosh vendin tënd tek të huajt”.

…për median:
“Unë nuk kam shpifur kurrë. Kurrë nuk e kam parë shpifjen si instrument politik. Nëse kam fyer dikë, nuk ka qenë ky qëllimi ynë. Ajo që është themelore, është se unë përpiqem të jem as më i vërtetë, në gjithçka shpreh. Kam dhënë opinionin tim, dhe atyre që kam thënë, nuk i heq asnjë presje”.

…për reportazhin italian:
“Reportazhin unë nuk e kam parë vetë, unë e mora si informacion. Ç’ka kam thënë është se rastet janë sporadike. M’u kujtua historia e një reportazhi tjetër që është bërë për kanabisin kur gazetarët paguanin njerëz që të gjuanin me kallashnikov. Unë pa e parë fola me një paragjykim, kam bërë gabim për sa i përket reportazhit në fjalë e kam bërë pa dashje, kam gabuar”.
Sigal