Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Hahn përgatit raportin final

475
Sigal

Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian, pritet të paraqesë më 29 maj progres-raportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përmes komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Johannes Hahn-it. Sikurse është njoftuar edhe në faqen zyrtare të PE-së, punimet e Komitetit do të zhvillohen të mërkurën në orën 11.00.

Referuar deklaratave të mëhershme të eurokomisionerit Hahn, Komisioni Europian pritet që të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet me statusin e vendit kandidat, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parimisht,  është planifikuar që Këshilli Evropian të marrë vendimin mbi çeljen e procesit të negocimit me këto dy vende brenda muajit qershor, por nuk përjashtohet që votimi i 27 vendeve anëtare të shtyhet për në korrik, në fillim të presidencës finlandeze të BE-së, për arsye se disa shtete kërkojnë marrjen e aprovimit të parlamenteve kombëtare.

Komisioni për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian drejtohet nga David McAllister, deputet i partisë të kristiandemokratëve (CDU) në Gjermani dhe përbëhet nga anëtarët Dubravka Suica (EPP), Andi Kristea (S&D), Anders Vistisen (ECR) dhe Javier Permuy (GUE/NGL).