Bill Clinton entuziazmohet nga shqiptarja, kandidate për Kongresin Amerikan, çfarë biseduan për Shqipërinë

434
Sigal

Suzanna Shkreli, e cila po kandidon për kongresiste në Michigan, ka pasur
një të papritur të bukur dje, kur është takuar me ish-presidentin Bill Clinton,
gjatë paradës për Ditën e Punës në Michigan. Në një shënim në Facebook, Shkreli
tha se e kishte falënderuar ish-presidentin amerikan, për çfarë kishte bërë për
shqiptarët, gjatë kohës që drejtonte Shtetet e Bashkuara. “Ai u entuziazmua kur
i tregova se isha shqiptaro-amerikane e brezit të parë që po kandidoja për
Kongres”, shkruan Suzanna, raporton Illyria, duke thënë se nëse fiton në
nëntor, do të hyjë në histori. Ndihmës-prokurorja 29-vjeçare ka hyrë në një
garë jo të lehtë përballë kongresistit republikan në fuqi, Mike Bishop, në
Distriktin e 8, Michigan, të Shteteve të Bashkuara. Ajo e filloi fushatën me
vonesë, pas tërheqjes së një kandidate fillestare, por është optimiste se,
përkundër kushteve, do të ketë sukses në nëntor. Ajo ka marshuar sot me
sindikatat punëtore, ka folur kundër marrëveshjes tregtare të Paqësorit, të
Presidentit Obama, që mund të humbasë vende në Michigan dhe ka marrë pjesë në
disa takime publike, ku është prezantuar nga demokratë të njohur të shtetit.
Zgjedhjet për Kongresin, ashtu si ato presidenciale, do të mbahen në 8 nëntor.