Edhe pse harxhohen rreth 400 mln. euro për siguinë e të dhënave, rendi publik vihet sërish në rrezik nga goditja e një sulmi kibernetik, pas rrjedhjes së të dhënave sensitive dhe patronazhistëve për qëllime elektorale. Mbyllen shërbimet publike online dhe faqet qeveritare, të cilat janë objekt i keqpërdorimit, nga të dhënat tatimore, patentat, numrat e ID etj. Ja skandali
Shqipëria goditet nga një sulm kiberneti. Mbyllen shërbimet publike online dhe faqet qeveritare
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka njoftuar se ka mbyllur aksesin e shërbimeve online si edhe të faqeve të tjera qeveritare, pasi gjendet në një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike”, thuhet në një njoftim. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedentë dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.
Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohës me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kibernetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit.
Kryeministria: Sulmi kibernetik në e-Albania dhe faqet qeveritare vjen nga jashtë, s’ka ndodhur kurrë më parë
Kryeministria ka reaguar për sulmin kibernetik ndaj shërbimeve publike online dhe faqeve qeveritare duke thënë se nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ndërsa ndër të tjera bëhet me dije se sulmi vjen nga jashtë vendit, e nga institucionet përkatëse po punohet për të penguar cënimin e sistemit të informacionit.”Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare. Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cënimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal,”-shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë. Ndër të tjera, AKSHI i kërkon qytetarëve, mediave, bizneseve dhe gjithë aktorëve të tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.

Denoncimi/ Hacker-at e ‘e-Albania’ janë të Edi Ramës
Pas rënies së portalit, e-Albania, ku janë besuar të gjithë të dhënat e qytetarëve, ka reaguar dhe Kreu i PD, Sali Berisha. Si mundet Edi Rama dhe qeveria e tij të luajnë me privatësinë e qytetarëve në këtë mënyrë?’- shkruan kryetari i PD-së, Sali Berisha. Reagimi i plotë i kreut të PD-së: Shqipëria është gjendur nën një sulm masiv kibernetik ndaj portalit,’ e-Albania’, të pandodhur kurrë më parë. Në të gjenden informacionet më të rëndësishme të çdo shtetasi shqiptar, që tashmë janë nën kërcënimin e përdorimit të paligjshëm nga autorë të panjohur.
Si mundet kjo qeveri, e cila e ka sforcuar me dhunë që portali ‘e-Albania’ të kthehej në një ‘institucion dixhital’ për pothuajse çdo dokument të rëndësishëm, të lejojë një akt të tillë kriminal? Si mundet të ndërmerren nisma të tilla pa pasur një polici profesionale të krimit kibernetik? Si mundet Edi Rama dhe qeveria e tij të luajnë me privatësinë e qytetarëve në këtë mënyrë?
Ky sulm cënon gjithë secilin prej nesh, por Edi Rama nuk është dhe aq i shqetësuar, sepse ai ka kryer vetë sulme kibernetike. Të dhënat me pagat, kartat e identitetit, numrat e telefonave, vendet e punës ishin në dorën e patronazhistëve gjatë gjithë kohës. Por si ndodhi kjo? Nga i morën kriminelët kibernetikë, të ashtuquajtur ‘patronazhistë’, këto të dhëna? Edi Rama dhe qeveria e tij me mendësinë komuniste përndjekin çdo hap të qytetarëve, njësoj siç bënin etërit e tij. Edvin Rama, ka përdorur çdo informacion privat të qytetarëve te portali ‘e Albani’ për shantazhe gjatë kohës së fushatës elektorale.
Sulmi kibernetik do të kishte gjasa të pakta për të ndodhur nëse siguria e portalit do të ishte më e madhe dhe aftësia për kundërpërgjigje ndaj këtyre sulmeve të ishte më profesionale. Sulmi i vërtetë kibernetik ka ndodhur disa kohë më parë, më hapur dhe më i dëmshëm dhe kishte vetëm një autor, Edi Ramën.
Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!: “Përshëndetje doktor. Kam një informacion nga korridoret brenda rilindjes që koka e meduzës Edi Rama e skenoi vetë këtë megaskandalin e kibernitikës për të ndërhyrë tek serverat e të dhënave personale që patronazhistët të kenë akses me të sofistikuar për zgjedhjet e ardhshme që mund të jenë edhe të parakohëshme!

Ish- ministri Manjani: Urgjent një tender sekret të kapim ‘kibernetistin’ përgjegjës për rënien e ‘e-Albania’!
Faqja ‘e-Albania’ dhe disa faqe dhe sisteme qeveritare online kanë rënë përkohësisht, për shkak të një sulmi kriminal kibernetik, që vjen nga jashtë Shqipërisë. Në lidhje me mbylljen e përkohshme të sistemeve qeveritare ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Me ton ironizues, Manjani shkruan në Facebook se faqet online qeveritare u mbyllën në një kohë që qeveria hapi akademinë e mbjelljeve online, ndërsa thotë se Qeveria tashme do shpallë një tender tjetër sekret për të kapur ‘kibernistin që është jashtë shtetit, por kjo ka kosto’.

Ja paralajmërimi i “Telegraf” për katastrofën e grabitjes së të dhënave dhe pasigurinë e AKSH
Raporti vjetor i Freedom House i quajtur “Liria në Botë 2022” vuri në dukje se “kritikët, përfshirë anëtarët e opozitës, kanë akuzuar PS-në për vjedhjen e të dhënave nga faqet zyrtare të internetit të qeverisë dhe përdorimin e tyre për të “frikësuar” votuesit.
Ngritja e ‘e-Albania’ u trumbetua si një shpresë e madhe për shqiptarët nëpërmjet të cilës do të zgjidheshin hallet e shqiptarëve dhe do t’u thuhet lamtumirë radhëve, sorollatjeve dhe kohës, e cila sikurse thotë populli është flori edhe pse nuk mund të blihet me flori. Ndërkohë bëhen tendera për përmirësimin e ‘e-Albania’ dhe kësaj iu shtua dhe skandali i daljes së të dhënave sensitive të qytetarëve, të dhënat personale, pagat, bilancet, targat etj, dolën në rrugë të madhe dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për investimin. Në listën e pagave janë emrat e shumë biznesmenëve, drejtues kompanish si dhe persona publik. Nga ky skandal më shumë të prekur janë drejtues bankash, kompanish farmaceutike, kompani sigurimesh, të naftës, të telefonisë.
Ngritja e’ e-Albania’ u trumbetua si një shpresë e madhe për shqiptarët nëpërmjet, të cilës do të zgjidheshin hallet e shqiptarëve dhe do t’u thuhet lamtumirë radhëve. Të dhënat sensitive të qytetarëve sërish në rrezik.
Vitet e fundit, Shqipëria ka investuar në dixhitalizimin, ku shifrat i thuhet se arrijnë rreth 400.mln euro, por siç është parë deri më tani, siguria e informacionit është shumë e ulët dhe dekonspirimi i të dhënave sensitive është shumë i lartë. Ky publik, përveçse mund të ekspozojë të punësuarit ndaj keqbërësve mund të bëhet shkak për rritje të konflikteve sociale, pasi të dhënat rreth pagave preferohen të mbahen të fshehta. Databaza përmban numrat personalë, emrat, subjektet punëdhënëse si dhe pagën mujore të të gjithë personave të regjistruar si të punësuar në sektorin publik dhe atë privat në Shqipëri.
Sikur të mos mjaftonin këto AKSHI dhe ministria e Financave kërkuan të marrin edhe 63 mln. USD borxhe tek BB, nën emërtimin “Përmirësimi i aksesit Universal në Shërbimet Publike me Standard të Lartë përmes Gov-Tech”, me të cilat do të rriteshin me 15% pensionet. Në rastin e patronazhistëve SPAK mbylli hetimet pa gjetur asnjë përgjegjës, ku vetëm pas 8 muajsh më 7 janar të këtij viti arrestuan 4 të dyshuar, për rrjedhjen e parë të të dhënave dhe jo të dytën apo të tretën edhe pse u publikuan të dhënat sensitive, le të shohim si do shkojnë hetimet kësaj here!
Raporti vjetor i Freedom House i quajtur “Liria në Botë 2022” vuri në dukje se “kritikët, përfshirë anëtarët e opozitës, kanë akuzuar PS-në për vjedhjen e të dhënave nga faqet zyrtare të internetit të qeverisë dhe përdorimin e tyre për të “frikësuar” votuesit. Partia në pushtet ka mohuar vazhdimisht se baza e të dhënave është krijuar ose përdorur në mënyrë të paligjshme.”
Gazeta “Telegraf” pati paralajmëruar kohë më parë këtë skandal të radhës, në kohën kur kryeministri Rama ushtroi presion mbi bankat, gjatë takimit me drejtuesit e bankave. Ja shkrimi i plotë i datës 7 Maj 2022:
Bankat e huaja paralajmërojnë largimin, por edhe dëmshpërblim në arbitrazh

Engjëll Musai
Drejtor i ‘Telegraf’
Bankat ndërkombëtare paralajmërojnë largimin nga Shqipëria, dhe mbylljen e llogarive nga klientët shqiptarë. Ironia dhe trillimi u konstatua në takimin, që Kryeministri Rama zhvilloi me drejtuesit e bankave, që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri për shërbimet online, i shoqëruar nga Guvernatori Sejko. Që në fillim të fjalës së tij, u rrëfeu bankierëve, a thua se ishte me ministren Manastirliu në spitalet obsetro-gjinekologjike, duke u treguar bankierëve se dhimbja për kredinë është njëlloj si dhimbjet e lindjes së nënave. Nuk po e zgjasim dashamirësinë e tij për gratë dhe nënat, por besoj se ky krahasim ishte një lajthitje në objektiv, aq sa la të çuditur edhe vetë bankierët e thirrur nga kryeministri: çka u vu re prej tij kur u tërhoq nga ky krahasim, duke u munduar ta “rregullonte” duke thënë se unë nuk i kam provuar dhimbjet ?! Qëllimi i këtij takimi nga ana e kreut të qeverisë kishte të bënte me ofertën e këtij të fundit, që sistemi bankar të përdorte si server ‘e-Albania’. E ndërkohë që Rama fliste për shpejtësinë e veprimeve dhe sigurinë, platforma e AKSHI-t,’ e-Albania’ ishte jashtë shërbimit.

Por kryeministri u përballë edhe me analizën logjike dhe profesionale të atyre, që kanë paratë, apo kanë dalë garant për paratë e bizneseve, qytetarëve, institucioneve ndërkombëtare dhe atyre vendase. Po si mundet që një kërkesë kaq e papërgjegjëshme t’u bëhej bankave, pavarësisht heshtjes së turpshme dhe tinzare të Guvernatorit të pranishëm, kur masakra me vjedhjen e të dhënave personale të pagave, tatimeve dhe automjeteve, sot po përdoret si rast unikal kudo në botë?! Rama u thotë Bankave aplikoni, që aktivitetet tuaja të kalojnë nëpërmjet platformës ‘e-Albania’. Pra Bankat s’ia lënë në dorë patronazhistëve të dhënat e qytetarëve, pasurinë e tyre dhe pasurinë e Bankës. Pra militantët e partisë pasi grabitën Shqipërinë të marrin edhe paratë e qytetarëve, por edhe të vetë oligarkëve të pasuruar nga PPP e qeverisë. Mesa duket Soros dhe levat e tij në Tiranë pasi po grabisin Naftën, Minierat, Portet, Aeroportet, Vlerat Muzeale, Kalatë, Ujin, Bregdetin, HEC-et, Bukën etj, kërkon të marrë edhe paratë kesh. AKSH-i pasi i shpartallojë të dhënat, i nxori në rrugë të madhe, ua dha në dorë bandave, kriminelëve, po kërkon të grabisë edhe bankat!! Kjo është çmenduri! Dhe reagimi nuk ka munguar, pasi kompanitë qëndrore europiane dhe botërore sipas burimeve konfidenciale, kanë nisur reagimet e fuqishme duke orientuar avokatët për largimin e tyre dhe përgatitjen për në gjykatat ndërkombëtare, dhe klientët përgatiten të tërheqin paratë. Bankat i kërkojnë Ramës, që na duhet marrëveshje mes palëve për pagesat, pra midis Bankës dhe entit që ofron shërbimin, kurse Rama flet ‘kodra pas bregut’, bashkë me drejtoreshën e AKSH-it, që duhej të ishte futur në burg. Një ditë do të shkojë drejt burgut për shitjen e të dhënave të institucionit. Këta ‘dy zonja’ se edhe veten e futi tek zonjat, kërkon me çdo kusht të futë kthetrat dhe të marrin të dhënat e bankave dhe drejtimin e tyre.

Mbyllja e ‘e-Albania’ si zjarret në hipoteka
Nga Petrit Vasili
Bllokimi i shërbimin publik on line, si zjarret në hipoteka të qeverisë në ‘hall të madh’! Sot Qeveria ka mbyllur shërbimin publik online për ‘sulme kibernetike’ siç po thotë vetë. Ka disa pyetje që duan përgjigje sot:
- Kur dolën të dhënat personale, që ishin në duar të patronazhistëve a nuk ishte vetë qeveria, që i nxori dhe i përdori për të grabitur zgjedhjet?
- Po kur dolën numrat e telefonit dhe targat e makinave pse nuk u shqetësua qeveria apo ishte vetë edhe aty?
- Po kur dolën rrogat e qindra mijëra qytetarëve a nuk ishte vetë qeveria, që i nxori?
- A nuk ishte Edi Rama, që deklaroi vetë, se do të bënin publike rrogat e qytetarëve?
- A nuk ishte qeveria që bënte gjoja të paditurin dhe akuzonte gazetarët për nxjerrjen e këtyre të dhënave?
- A nuk ishte qeveria, që tha kështu ndodh në të gjithë botën dhe bëri sikur nuk kishte ndodhur gjë?
- Pse nuk ka asnjë të ndëshkuar nga qeveria për daljen e miliona të dhënave personale? Qeveria në mënyrë të trashë po kërkon të legjitimojë dhjetëra milion euro tender për gjoja mirëmbajtjen e AKSH. Kjo ngjan si dy pika uji edhe me gjoja emergjencën e plehrave, që shpalli qeveria, për të justifikuar hajdutllëkun me inceneratorët. Por më kryesorja është se ne kemi parë që marrin ‘flake’ hipotekat dhe prokuroritë atje ku ka dokumente ‘përvëluese’ për qeverinë. Mbyllja e shërbimeve publike online ngjan si dy pika uji me zjarret në hipoteka, sepse edhe në këtë rast qeveria, që është në ‘hall të madh’ për shkak të dokumenteve asgjësuese, që po publikohen përditë kërkon të ‘çlirohet’ me çdo mjet prej këtyre dokumenteve. Ky sigurisht është një mundim i kotë, sepse shejtani tashmë ka dalë nga shishja…!




















