“Beu” i rezervave ka marrë revan prej grabitqari, po përdor depot e shtetit si “qilar” privat me emrin e kryeministrit

646
Auditi i Brendshëm, duhet hetuar për “mëkatet” e fshehjes së 137 aferave korruptive të bëra në zyrat dhe magazinat e “Çifligut Dashi”
Përparim Halili 
“Beu” i rezervave ka marrë revan prej grabitqari, po përdor depot e shtetit si “qilar” privat duke përdorur emrin e kryeministrit 
Burime nga Ministria e Brendshme prej nga varet zyrtarisht kjo drejtori, por edhe informacionet që po dalin nga “shtëpia politike” në lagjen ‘Kombinat’ të Tiranës, thonë se Irfan Dashi i Rezervave të Shtetit, po përjeton frikën e largimit nga kjo detyrë dhe, siç duket, për të përlarë sa e çfarë të mundet, po sajon ankande edhe për shitje… streçesh!
Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit, sipas emërtimit dhe funksionit zyrtar është një institucion shërbimi publik sigurie e administrimi produktesh, mallrash dhe pajisjesh që shteti i magazinon, për përdorim në raste emergjencash natyrore e njerëzore. Po kështu, ky institucion ka detyrë depozitimin edhe ruajtjen e mallrave të sekuestruar ose rikthimin e tyre tek subjektet, në përputhje me vendimet gjyqësore dhe aktet përfundimtare administrative! Në parim, kështu deklaron edhe kreu i Rezervave të Shtetit, drejtori Irfan Dashi, por sipas informacioneve që disponojmë, rezulton ndryshe. 
Batërdia në Rezervat e Shtetit, “lëndë e parë” për drejtësinë
Ndërsa në praktikë, sipas informacioneve që dalin edhe nga tavolinat ku “drejtori i ndershëm i rezervave” ulet pi kafe e ankohet të shefat, miqtë dhe mikeshat “për sulme nga brenda e nga jashtë”, ka fakte, se ai vepron kundër ligjit! Këtë e thonë edhe shumë prej letrave të dala nga zyrat e tij dhe nga “sirtarët” e Ministrisë së Brendshme, të cilat konfirmojnë raste më përmbajtje “lëndë të parë” për drejtësinë, siç janë edhe “njollat” e lëna në shumë detyra shtetërore si drejtues i përjetshëm, karrierë e nisur si drejtor dhje magazinier i miliardave të firmave piramidale, për të cilat i janë mbyllur letrat nga “mirëdashja”! Gjersa të gjithë flasin, gjersa të gjithë në ministri kanë prova shkresore faktike, për abuzime të fshehura e të zhdukura nga Auditi i Brendshëm, gjersa drejtorët e tij “hapin barkun e nxjerrin zorrët” nëpër kafene për zullumet e drejtorit të tyre, përse kryeministri nuk “zgjon” institucionet në vartësi të tij, për të nisur procedurat e hapjes së “dosjeve të punëve”, të bëra në Rezervat e Shtetit, qoftë edhe për të nxjerrë publikisht pastërtinë e figurës së përgojuar të drejtor Irfanit?! Kjo duhet bërë edhe për faktin, që si në rastin e përmbytjeve edhe tani në rastin e zjarreve, rezultoi që Emergjencat Civile mbetën me duar në xhepa, mbasi depot e rezervave nuk kishin asnjë bisht lopate e kazme, apo një copë tub uji, mbasi janë shitur dhe ky fakt duhet zbardhur! 
Disa pyetje, që klanë lidhje me depot e rezervave
Janë disa pyetje që duan përgjigje e që në vijim, do t’ua japë “Telegraf” me fakte konkrete! 
• Cilët dhe sa shtetarë e politikanë të “Rilindjes”, janë “zhgërryer” në depot e Rezervave të Shtetit, për të përlarë vetura luksoze për fëmijët, gratë, dhëndurët e dashnoret apo për të bërë biznes, duke i blerë si “skrap” me kilogramë pa u kryer akoma ankandi, duke hequr në peshë dhe sasi firmave që shpallen fituese, që siç shprehet në shumë raste drejtor Irfani, janë “me “porosi nga kryeministri, ministrat, deputetët dhe senatorët e PS”?! 
• Sa prej tyre, kanë shkuar e “kanë mbaruar punë” me urdhër të drejtor Irfanit, për ndërrim auto-motorësh, amortizatorësh, sedilesh, gomash e pjesësh këmbimi të auto-mjeteve të rënda dhe auto-veturave “VIP”? 
• Sa prej shtetarëve dhe politikanëve, janë pajisur me dhoma gjumi “princeshash”, me pajisje elektronike shtëpiake moderne, impiante ndriçimi për vilat dhe resortet turistike e rezidencat private? 
• Sa shtetarë kanë përlarë orendi e deri komplete enësh kuzhine “për vjehrrën dhe kunatën e varfër në fshat”, pa harruar lojërat dhe pajisjet elektronike për fëmijë?! 
Nuk e kemi fjalën për ata shtetarë të lartë, që vazhdojnë të mbushin kamionçinat me arka wiski, shampanje e vere “sheikësh”, një shishe prej të cilave kushton sa një pagë mujore polici e mësuesi, por që u shitet me “skonto” sa vlera e një bidoni qumështi prej Preze, madje në disa raste edhe falas si “qokë respekti”, duke i konsideruar “të thyera” gjatë transportit apo administrimit nëpër depo?! Eh, sa firma private në Korçë, Shkodër, Pukë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Burrel, Durrës, Sarandë, Velipojë, Pogradec, Dibër, Elbasan në Tiranë, madje edhe atje ku drejtor Irfani ha tava peshku me vartësit e besuar, janë furnizuar me produkte ushqimore, pije, orendi e pajisje! Eh, sa shtetarë qendrorë e lokalë, shoqe, miq e shokë edhe jashtë shtetit, kanë “hedhur dasmat” dhe kanë kaluar Wikendet e plazhet, me mallrat që kanë marrë pothuajse veresie në depot e Rezervave të Shtetit! E në këtë kuadër, zoti kryeministër, mirë bëni që flisni për “kazanë mediatikë”, por duhet të dini se brenda mjediseve të Rezervave të Shtetit “vlojnë” edhe “kazanë alkoolikë”, të cilët prodhojnë pije nga frutat e pemëve që janë brenda territorit të drejtorive rajonale, ndonjë “gotë” prej të cilës e ka provuar me “lakror” edhe Niko Peleshi! Të gjithë faktet e evidentuara deri sot dhe ato që patjetër i ka fshehur Auditi i Brendshëm në bashkëpunim me drejtorët rajonalë, me shefat e financave, me magazinierët, me zyrën juridike “Gramshi”, me zyrën e prokurimeve dhe KVO-në, tregojnë se Rezervat e Shtetit janë duke u trajtuar si “çiflig” personal mallrash e objektesh, të dhëna për përdorim privat një individi, i cili në koordinim me deputetët që komandojnë zonat, kanë përzgjedhur e emëruar drejtorët rajonalë, që së bashku me punonjësit e tjerë konsiderohen dhe trajtohen si “argatë” të “beut të madh” të rezervave të Shtetit! 
Frika nga shkarkimi, ofensivë me shitje dhe nxjerrje mallrash jashtë përdorimit 
Mjafton të shikosh njoftimet në buletinet javorë të APP të bëra nga “Irfanët” e drejtorive rajonale të rezervave, për më tepër, mjafton lexosh dhe verifikosh ligjshmërinë dhe përmbajtjen e materialeve në procesverbalet për nxjerrje mallrash jashtë përdorimit dhe konstaton faktin që, veçanërisht në 12 muajt e fundit, kanë qenë e vazhdojnë të jenë të shumtë ankandet e shitjes dhe aktet e asgjësimit të mijëra copë, “parti”, ton, metër kub, “koli” e kilogramë mallra! Kujtojmë se, procedura e shitjes dhe asgjësimit të mallrave, realizohet sipas skemës horizontale-vertikale, me propozim dhe kërkesë nga “baza”, me konstatim dhe vlerësim fizik nga një “grup pune” i ngritur nga “drejtori i madh”, me komision të ngritur po nga “drejtori i madh” për vlerësim amortizimi fizik e funksional të mallrave dhe vendosje çmimesh e në fund, vihet firma dhe vula e miratimit nga “drejtori i madh”, duke çuar procesin deri tek shitja, që në shumë raste (siç thuhet) shoqërohet edhe me porosi po nga “drejtori i madh”, të cilin drejtorët rajonalë të rezervave e quajnë “Beu ynë”! 
Në çdo abuzim, ka përdorur emrin e kryeministrit dhe të deputetëve që komandojnë zonat
Këto fakte, kanë krijuar bindjen e Kryeministrit Edi Rama, për ta shkarkuar pa “gjyq publik”, por me dorëheqje! Burime nga ministria e Brendshme prej nga varet zyrtarisht kjo drejtori, por edhe informacionet që po dalin nga “shtëpia politike” në lagjen Kombinat të Tiranës, thonë se Dashi i “kopesë” së Rezervave të Shtetit, po përjeton frikën e largimit nga kjo detyrë dhe, siç duket, për të përlarë sa e çfarë të mundet, po sajon ankande edhe për shitje… streçesh! Vendimi që pritet të marrë kryeministri në fillim të shtatorit, sipas informacioneve dhe disa investigimeve me “zë e me figurë” që ka kryer gazeta “Telegraf”, thuhet se kanë shkak faktin, që drejtor Irfani, pas çdo zullumi që ka bërë, në shumicën e rasteve ka përdorur edhe emrin e kryeministrit, si gjoja “urdhërues dhe përfitues”! E jo vetëm kaq, por për çdo zonë ku ka drejtori rezervash e janë bërë zullume, ai ka përdorur e po përdor emrat e politikanëve që janë pjesë e ekipit të ngushtë kryeministrit! Psh., për çdo zullum në depot e rezervave të Tiranës, ai përdor emrin e ish-ministrit Tahiri. Për çdo zullum në depot e rezervave të Durrësit, ai përdor emrin deputetit Blendi Klosi. Për çdo zullum në depot e rezervave të Korçës, ai përdor emrin e ish-zv/kryeministrit Niko Peleshi. Për çdo zullum në depot e rezervave të Elbasanit e Librazhdit, ai përdor emrin e guvernator-deputetit Taulant Balla, për të cilin, sipas disa letrave që disponojmë, thotë se depot me sipërfaqe mbi 30 mijë m2, që gjenden majtas në të hyrë të Librazhdit, i ka dhënë me koncesion për 30 vjet, mbasi i ka marrë në përdorim një familjar i deputetit Balla për biznes “fason”, duke përdorur një gjoja biznesmen italian, të cilin pasi e futën në një lojë kredie bankare e përzunë! Për zullumet në depot e Fierit, ai përdor emrin e Gramoz Ruçit, që besojmë se nuk ka asnjë lidhje e asnjë dijeni! Për zullumet në depot e Gjirokastrës edhe për depot e Përmetit ku u kap mbi 1 ton drogë, ai ka përdorur emrin e “ekuivalentit në çdo drejtim”, pazarxhiut Arben Ahmetaj! Për çdo zullum në depot Vlorës, ka përdorur emrin e ministrit Damian Gjiknuri! Për çdo zullum në depot në Matit, ka përdorur emrin e koordinatore-deputetes së nderuar Lindita Nikolla. Për çdo zullum në depot e Pukës, ka përdorur dy emra: të Ditmir Bushatit dhe Ilir Beqjes! Kur ndonjë nga këta e kundërshton ose e shpërfill, ai “injekton” dozën e ndikimit: “Më duket se është i interesuar edhe kryeministri”! 
Sigal

Sikur të kishin gojë depot, zyrat dhe subjektet private…! 
Sikur të kishin “gojë” e të flisnin zyra e drejtor Irfanit, zyrat e drejtorive Rajonale të Rezervave të Shtetit, kryetari dhe anëtarët e Auditit të Brendshëm, zyra e prokurimeve, komisioni i ofertave (KVO) dhe bizneset që i ka ldhur puna e pazaret me drejtorin e Rezervave të Shtetit, do të mbushej një “arkiv me dëshmi zullumesh”. Nëse kryeministri, ka vendosur të pastrojë administratën nga drejtorët abuzatorë dhe nga vartësit e tyre “Mon-Kukaleshër”, që vetëm bëjnë “amin” e punojnë me nga dy palë letra që në fund miratohen nga “agai” ato që duhen sipas skemave abuzive e interesave dhe jo ato që duhen sipas ligjit, kryeministri të ndalet edhe tek krimet ekonomike-financiare që janë bërë e po bëhen në këto katër vite në depot e Rezervave të Shtetit, aq sa e kanë lënë shtetin pa “1 dorë kripë”! Nëse do të dëshmonin subjektet që kanë marrë pjesë në ankande, do të rrëfenin për pazaret me automjetet e rënda dhe auto-veturat, me pjesët e këmbimit, makineritë, pajisjet e çdo lloji, produktet ushqimore, veshmbathjet, vegla pune, pajisje elektro-shtëpiake, pajisje elektronike e mobilie zyrash, kopshtesh, çerdhesh, konviktesh, dhoma gjumi, materiale ndërtimi, komplete gatimi familjare e restorantesh, karrige e pajisje “Bar-Kafe”, pajisje prodhimesh brumi, shtypshkrime, detergjentë, kancelari e deri tek arkat e gjithçka…
Po vazhdon përvoja e shitjes së makinerive të firmës “BE-HA-SE”
Që drejtori i rezervave të jetë “i qetë”, po i themi se në redaksinë e gazetës “Telegraf”, në kryeministri, në SHISH, në ministrinë e Brendshme prej nga varet “Lëkura” Dashi dhe kudo ku ka institucion kontrollues e ligj-zbatues që nga “zyra bashkëqeverisëse”, që nga celulari, adresat elektronike dhe posta me zarf e kryeministrit e deri tek deputeti Taulant Balla, të cilit i ka “nxjerrë bojën” me përfolje aferash, janë depozituar e po depozitohen informacione abuzimesh për të dhe “çetën” e tij në qendër dhe zona! Këto denoncime janë bërë jo vetëm nga zyrtarët që firmosin zullume me imponim e kërcënim për largim nga puna dhe “nxirrje biografie në dosjet e DAP-it, por edhe nga individë e subjekte që marrin pjesë nga ankandet abuzivë që organizon Komisioni i Ofertave. E po kështu, nga individë dhe subjekte, të cilëve u nxirren në shitje mallrat e sekuestruar, për shkak se një “usta” i emëruar prej drejtor Irfanit “me porosi” të një “miku” nga jashtë shtetit, u ul koeficientin fizik e teknik dhe u ngre nivelin e amortizimit, si presion për pazare, siç ka ndodhur edhe me akt-vlerësimin e 40 makinerive të firmës “BE-HA-SE”, të cilat sipas njoftimit të ankandit të datës 20 prill 2015, u nxorën në shitje “për skrap”, me peshë 540 mijë e 899 kilogramë, ndërkohë që ato ishin makineri të reja e në gjendje motorike, fizike e teknike me kapacitet të plotë pune, duke u ulur vlerën reale me 824 milionë lekë, ligjëruar si “ulje koeficienti”…!