Besart Xhaferri: Reduktoni luksin dhe korrupsionin, sillni në atdhe trupat e pajetë të Lorencos dhe Leonardit!

37
Sigal

Eksodi masiv nuk ndalet së prodhuari tragjedi dhe dhimbje për familjet shqiptare.

21 vjeçari nga Mirdita, Lorenco Dedaj, u vra me thikë nga një 30 vjeçar kurd mbrëmjen e 30 dhjetorit 2023 në Gjermani.

Ai kishte shkuar në tokën e premtuar për t’ju bërë krah familjes, gjë që atdheu i tij ia pamundësoi.

Së pari shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen Dedaj dhe i kërkoj urgjent Shtetit Shqiptar t’a ndihmojë familjen financiarisht për sjelljen e trupit të pajetë në Shqipëri.

Me të njëjtën dramë si familja Dedaj po përballet edhe familja Farruku në Manzë të Durrësit, pasi nuk kanë mundësi financiare për sjelljen në atdhe të trupit të pajetë të 27 vjeçarit, Leonard Farruku, i vetëvrarë në anijen Bibby Stockholm ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar në Britani.

Qeveria Rama duhet të reduktojë shpenzimet e luksit e të krijojë një fond të posaçëm qeveritar për të mbuluar shpenzimet financiare për sjelljen në atdhe të trupave të pajetë të shqiptarëve që vdesin jashtë vendit!

Nëse i dëbuam nga varfëria, të paktën t’iu japim prehjen ne atdhe me dinjitet!