Berlin – “Hertie School of Governance” i Akordon Ministres Shahini “Çmimin e Arritjeve të Alumni” për Vitin 2019 ​

1036
Sigal

“Hertie School of Governance” i ka akorduar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini “Çmimin e Arritjeve të Alumni” për Vitin 2019-të për kontribut në shërbimin dhe të mirat publike.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori Shqiptar në Gjermani Z. Artur Kuko dhe Ambasadori Kosovar Z. Beqë Cufaj, teksa çmimi u dha personalisht nga Presidenti i këtij institucioni prestigjioz, Z. Henrik Enderlein.

“Besa Shahini është nga ato alumni të shkollës, të cilën e merr si model çdo student i yni. Karriera e Besës ka qenë e jashtëzakonshme. Shtrihet nga shoqëria civile, vazhdon me jetën akademike dhe tashmë në qeverisjen qendrore – duke u angazhuar në shumë shtete si: Kosova, Kanadaja, Gjermania dhe tani në Shqipëri. Është pikërisht ajo çfarë duam ne si ‘Hertie School’ dhe jemi shumë krenarë teksa e shohim duke ndodhur me të diplomuarit tanë”, u shpreh Presidenti i “Hertie School of Governance” Z. Enderlein.

“Çmimi i Arritjeve të Alumni”, themeluar në vitin 2015-të, nderon të diplomuarit për arritjet e tyre në politikat dhe menaxhimin publik, të cilët kanë demonstruar angazhim inovativ në bazë të principeve të mirë-qeverisjes.

Znj. Shahini është një prej 1500 të diplomuarve të “Hertie School of Governance”. Mbi 170 të diplomuar nga 34 shtete të ndryshme iu bashkuan “Ri-Unionit të Alumni 2019”. Ata janë pjesë e një rrjeti shumë aktiv në botë nëpër qytete si Brukseli, Parisi, Uashingtoni, Meksiko City dhe Bogota.